Hyrje » Lajmet » Kosova »

Ringjallet “Plani i Banskos” për zhvillimin ekonomik

 

Prishtinë, 24 prill – Plani i Qeverisë për zhvillim ekonomik, i njohur ndryshe edhe si “Plani i Banskos”, i hartuar vjet, është “ringjallur” përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), i cili ka mbajtur të hënën takimin e vet të parë.

Ky Këshill, është vendosur të ketë në përbërje gjysmën e ministrive të Kosovës, që kryesohet nga zëvendëskryeministrja, Mimoza Kusari- Lila, e cila njëkohësisht është edhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë.  Në takimin e parë të tij është diskutuar mbi  reformat dhe politikat ekonomike dhe aty u miratua rregullorja mbi strukturën dhe  funksionimin e Këshillit.

Nga MTI-ja është bërë e ditur se në fjalën e saj hapëse, me pjesëmarrjen e ministrive, asociacioneve të biznesit, si dhe donatorët që ndihmojnë Qeverinë e Kosovës në  reformat ekonomike, zv. kryeministrja Kusari – Lila ka folur mbi rolin dhe rëndësinë e këtij këshilli.

Në konferencën për shtyp, të mbajtur pas takimit, ajo ka thënë para gazetarëve se “ky këshill do të koordinojë dhe udhëheq hartimin e politikave dhe implementimin e reformave që kanë për qëllim përmirësimin e biznesit dhe ambientin e investimeve, si dhe arritjen e qëndrueshme ekonomike”.

Kusari-Lila ka pohuar se ngritja e dialogut publiko-privat ndërmjet Qeverisë dhe bizneseve ka rëndësi kruciale dhe pikërisht për këtë arsye, komuniteti i biznesit do të jetë i përfshirë në të gjitha proceset e hartimit të politikave.

“Komuniteti i biznesit duhet ta perceptojë këtë këshill si vend ku mund t’i shprehin pikëpamjet dhe idetë për reformat ekonomike”, ka nënvizuar ajo.

Sipas saj, çdo legjislacion për ambientin e biznesit tani e tutje duhet të diskutohet në Këshill.

”Është tejet e rëndësishme që çdo legjislacion që ka ndikim në politikat ekonomike të diskutohet fillimisht në këtë forum, në mënyrë që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të jenë të informuar dhe të japin kontributin e tyre për të bërë procesin sa më gjithëpërfshirës dhe efikas që është e mundur”, ka theksuar ajo.

E pyetur më pas se përse është pritur kaq shumë që të flitet haptas për “Planin e Banskos””, ajo ka thënë se “në fakt kemi pasur disa takime, grupi për ekonomi, i cili përbëhej nga pesë ministrat e sektorit të ekonomisë, MTI-së, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, asaj të Infrastrukturës, të Bujqësisë dhe të Financave, të paktën një herë në muaj që ta përcjellim ecurinë e Planit Nacional, por tash është vendosur që një premtim i mëhershëm për të formuar Këshillin, të realizohet në mënyrë që të zgjerohet grupi i ministrive anëtare të saj, meqë zhvillimi ekonomik prek rendin dhe ligjin”.

Kusari-Lila ka pohuar se “janë dakorduar që aty të përfshihen edhe Ministria e Drejtësisë, e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Integrimeve dhe ajo e Arsimit. Kurse, në fund është pajtuar që të jetë edhe Ministria e Shëndetësisë, me kërkesë të ministrit të saj, Ferid Aganit”.

Në lidhje me prioritetet që ka Këshilli, përpos ligjeve, ajo ka thënë se  “përveç aspektit legjislativ është edhe përcaktimi i prioriteteve zhvillimore, konsolidimi i dialogut publiko-privat dhe bashkërendimi i prioriteteve,  të cilat pastaj do t’i rekomandohen edhe Qeverisë dhe Kuvendit  nëse ka nevojë”.

Sipas saj, aty mund të përfshihen ndryshimet e politikave në kuadër të ministrive, që janë prezentë. Krejt kjo në funksion të avancimit të agjendës zhvillimore të vendit.

Duke sqaruar se cilat janë në fakt pjesët e implementuara të këtij Plani, ose që janë në implementim e sipër, Kusari-Lila ka thënë se fjala është për avancimin e objektivave për zhvillim ekonomik si dhe  ruajtja e qëndrueshmërisë marko-fiskale. “Është punuar në drejtim të gjetjes së modalitetit në rishikim të politikave fiskale dhe hartimi i listës së produkteve që do të lirohen nga tatimet, siç është lënda e parë për sektorët e prodhimit dhe ambalazhi, si dhe paketimi. Këtu bënë pjesë edhe emetimi i letrave me vlerë-bonot e para, të cilat tashmë janë në realizim e sipër, ka thënë ajo.

Në ambientin investiv janë bërë ndryshimet e disa ligjeve me qëllim të lehtësimit të procedurave për veprimtarinë e bizneseve, ka vlerësuar zv.kryeministrja Kusari-Lila

Në Këshill janë të ftuar të marrin pjesë edhe Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane dhe Aleanca Kosovare e Biznesit. /Koha/

 

 
 
 
 

AdetAdet Donemiadet düzensizligi
AdetAdet Donemiadet düzensizligi
Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com