Studentet e Fakultetit te Arteve te UP,protestuan …(foto)
Nën tingujt e instrumenteve muzikore, studentët e Fakultetit të Arteve të UP-së, kanë protestuar të martën, duke kërkuar nga rektorati i UP-së, kushte dhe hapësirë të nevojshme për studime. Ata po ashtu kanë bërë të ditur se do të protestojnë deri në plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme, pasi që kushtet në të cilat po i kryejnë studimet, janë mjaftë të vështira.
Organizatorët e protestës kanë thënë se neglizhenca dhe mos përgjegjësia e rektoratit i ka shtyrë ata të dalin në rrugë.
Shaban Behrami, student në këtë fakultet, njëherësh edhe organizator i protestës, ka thënë se objekti në të cilin ata studiojnë, as për së afërmi
nuk përkon me standardet e duhura. Sipas tij, në kushte të tilla nuk mund të ketë studim dhe krijim artistik.
Behrami: Nuk ka studim as krijim artistik pa hapësirë të nevojshme
“Sot e sa vite ne studentët e Fakultetit të muzikës nuk patëm një hapësirë për të studiuar. Objekti cili i është dhënë departamentit të muzikës mund ta ketë emrin por faktikisht nuk i plotëson kushtet. Nuk mund të ketë studim dhe krijim artistik nëse nuk ka hapësirë të nevojshme. Më shumë e dëgjojmë zhurmën nga qyteti se sa që i dëgjojmë ushtrimet tona që ne i luajmë”, ka thënë ai.
Duke folur për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen studentët e Fakultetit të Arteve, Behrami ka thënë se, përveç kushteve të vështira në të cilën ndodhet objekti, ka edhe mungesë të instrumenteve muzikore, pasi që, sipas tij, instrumentet me të cilat performojnë kapin kosto të lartë financiare dhe se nuk kanë mundësi t’i blejnë vetë.
Behrami: Blerja e instrumenteve po na kushton shumë shtrenjtë
“Blerja e këtyre instrumenteve po na kushton shumë shtrenjtë dhe po na e vështirëson edhe më shumë studimet tona. Për këtë arsye ne sot ju kemi drejtuar rektoratit në emër të gjithë studentëve të fakultetit të
muzikës për t’i shprehur pakënaqësitë tona dhe shpresojmë që do të ndikon tek ta që të na i marrin për bazë ankesat tona”, ka thënë ai.
Organizatorët e kësaj proteste, më pas janë takuar edhe me sekretarin e rektoratit, ku kanë marr premtime se do të angazhohen më shumë në atë drejtim që kushtet e tyre të përmirësohen. Ata kanë kërkuar objekt të ri, në mënyrë që studimet e tyre t’i vazhdojnë në mënyrë normale.
Po ashtu, ata kanë kërkuar nga të gjithë studentët e UP-së që të kërkojnë të drejtat e tyre dhe mos të heshtin para padrejtësive që po u bënë rektorati.
Protesta e sotme nuk do të jetë e fundit, por sipas organizatorëve, do të jetë e para dhe se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre do të radikalizohen qëndrimet e tyre.
***********
Lëvizja Studentore për Barazi STUDIM KRITIKË VEPRIM ,i mbështet dhe solidarizohet në tërësi me kërkesat e studentëve të Fakultetit të Arteve, gjegjësisht të Departamentit të Muzikës, që protestuan sot për të kërkuar kushte të domosdoshme për studim në fushën e tyre.
Ne theksojmë nevojën e rritjes së buxhetit për arsim të lartë në përgjithësi e për Universitetin e Prishtinës në veçanti. Universitetit të Prishtinës në vitin 2011 i janë ndarë rreth 14 milion euro nga buxheti i Republikës, ndërkaq shpenzimet e Qeverisë për derivate dhe telefona kanë qenë 27 milion euro. Është shumë e dukshme që problemi nuk është te mungesa e fondeve por te ndarja e tyre.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë studentëve në të gjitha fakultetet që të fillojnë e të organizohen për ngritjen e problemeve me të cilat ata përballem çdo ditë. STUDIM KRITIKË VEPRIM përkrah dhe ndihmon çdo iniciativë për transformim të kushteve në Universitet dhe transformim të Universitetit në tërësi.
Problematikat e ndryshme në Fakultete të ndryshme janë simptoma të problemeve të tërësisë sistemore universitare. Zgjidhja për to nuk është e veçantë. Ashtu siç problemet në Fakultete burojnë nga sistemi edhe zgjidhja e tyre bëhet duke u angazhuar për transformim të tij. Prandaj angazhimi i secilit kudo, duhet të jetë nën një frymë me të gjithë gjithkun!/kosovalbaner.com/
