Austria mbështet Kosovën në rrugën evropiane
Prishtinë, 19 prill – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot drejtorin Politik të Austrisë, Jan Kickert, me ç’rast diskutuan për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve si dhe për perspektiven evropiane të Kosovës. Po ashtu u fol edhe për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës.
Zyrtari austriak, Jan Kickert, ripërsëriti se shteti austriak do të vazhdojë të mbështes Kosovës në fusha të ndryshme. Ai e siguroi ministrin Hoxhaj se Austria do të mbështesë Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, gjatë studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e stabilizim – asocimit.
Ministri Hoxhaj ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës pa viza në zonën Schengen.
Ministri Hoxhaj shprehi shqetësimin për gjendjen në veri të Kosovës dhe arrestimet ilegale të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe kërkoi më shumë presion ndaj Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare. /Koha/
