Shqiptarët, pa një qëllim në jetë
Kaiserling-u i quan shqiptarët “hajdutë fisnikë të përjetshëm”. Akuza është e rëndë, po të marrim parasysh se themelonjësi i shkollës së famshme të Darmstad-it është, bashkë me Spengler-in, një nga filozofët politikë më origjinalë e më të shquar të Gjermanisë pas luftarake. Prandaj gjykimin e tij duhet ta studiojmë me seriozitetin e duhur, me gjak të ftohtë dhe pa ndjenjën e një pseudo-patriotizme romantike, e cila nuk ka më vend në kohën e sotme. Le të gjurmojmë historinë e shkruar dhe jetën tona politike, shoqërore dhe intelektuale të tanishme. Le të bëjmë një “exame de conscience” në veten tonë, ose që të përdorim një term të psikologjisë, një “introspektion”. Dhe nga e gjithë kjo punë le të nxjerrim qëllimin e jetës shqiptare. Sepse pikërisht këtë kuptim ka akuza kaiserlingiane.
Në të shkuarën shqiptari nuk ka pasur asnjë qëllim jete. Vetëm perioda e shkurtër e Skënderbeut përmbante farën e një nacionalizmi, e cila po të zhvillohej e të rrënjosej, mund të përgatiste sheshin për një qëllim jete edhe për ne shqiptarët. Mjerisht rrethanat historike nuk e permetuan këtë gjë. Shqiptari jo vetëm që u kthye në gjendjen e tij të parë, por nën sundimin turk mori edhe damkën e “hajdutit”, d.m.th. të njeriut që lufton jo për një ideal, po për “pare” dhe të huajt. Është fataliteti tragjik, që na ka lënë trashëgim historia e shkruar shqiptare! Dhe është për të ardhur keq kur njeriu këndon në disa historia tepër qesharake se hajduti i Janinës që quhej Ali Pasha paskish qenë “hero kombëtar”! Nuk ka shtrembërim më të shëmtuar të sensit të vërtetë të historisë se sa kjo gjë.
Edhe perioda e Rilindjes sonë ka qenë një përsëritje e periodës së Skënderbeut. Ka pasur për qëllim nacionalizmën. Po për fat të keq ky qëllim nuk ka qenë kolektiv, nuk ka qenë për gjithë popullin, por për pak njerës të zgjedhur, të cilët personifikonin edhe tërë nacionalizmën shqiptare. Domethënë shqiptari si kolektivitet nuk pati përsëri një qëllim jetë edhe në këtë periodë e cila për fatin tonë të bardhë e të madh pati përfundim të mirë për hir të idealizmës patriotike të pak shqiptarëve dhe të kombinezoneve të politikës evropiane. Meqenëse nacionalizma nuk ka qenë pra, një ndjenjë kolektive shqiptare, kësisoj edhe kjo periodë nuk ka qenë e përshtatshme për të përgatitur sheshin për një qëllim jete. Këtë gjë e provoi edhe perioda e turbullt që pasoi shpalljen e indipendencës shqiptare. Dhe është një fat i madh dhe i pallogaritshëm për vendin tonë që në skenën e historisë shqiptare doli një njeri, Zogu i Matit, që t’i bëjë ballë trashëgimit tonë të hidhur historik dhe të caktojë si mision të tij që t’i japë një qëllim jetës shqiptare.
Natyrisht një trashëgim historik si yni nuk mund të zhduket menjëherë. Dhe efektet e tij i vëmë re në jetën tonë politike, shoqërore dhe intelektuale. Në jetën politike nuk shohim tjetër gjë veç se përpjekje për t’u pasuruar dhe për të marrë rroga. Me përjashtime të pakta përjashtimi nuk e bën rregullin, nuk vëmë re që të fryjë ndonjë erë më e lartë idealizme. Edhe në sheshin shoqëror vihet re një “levantinizmë” tepër e shëmtuar për të cilën ka bërë fjalë me kompetencën që e karakterizon, një Faik Konica.
Në sheshin intelektual vihet re një hajdutëri e tmerrshme. Hajdutëri për të vjedhur mallin mendor të të tjerëve dhe për ta paraqitur në publikun këndonjës shqiptar si mall të vet. Kam parasysh shumë raste të një hajdutërie të tillë edhe bile nga njerëz të tillë që i ngjisin vetes titullin “profesor”. Në sheshin intelektual ka edhe një hajdutëri më të keqe, po jo më në kuptimin e zakonshëm të fjalës, po në kuptim më të gjerë, në kuptimin e burrecërisë shpirtërore që karakterizon hajdutin. Ka intelektualë, dhe fatkeqësia më e madhe është se këta janë të rinj, të cilët nuk kanë kurajën e mendimit të tyre. Këta janë hajdutët e kulturës, sepse një kulturë e vërtetë, jo vetëm mendore por edhe shpirtërore, u jep kurajë atyre që e kanë dhe jep ndjenjën e misionit të tyre.
Ç’po del pra nga një e tillë këqyrje e shkurtër? Del se shqiptari nuk ka akoma një qëllim jete, kuptim të cilin ka edhe akuza e Kaiserling-ut. Mirëpo pa një qëllim jete nuk mund të krijojmë një qytetërim. Shqiptarit nuk i mungojnë cilësitë e duhura që të krijojë një qytetërim. Vetëm duhet një drejtim, një qëllim. Në këtë drejtim dhe qëllim e ka syrin ai që ndriti mbi fronin e Skënderbeut. Dhe në krah të tij është vënë “Neo-shqiptarizma” e cila përpiqet t’i japë pikërisht një qëllim jetës kaotike shqiptare. Një ideal më të lartë. Një frymë qytetërimi krijonjëse dhe dinamike.
(Botuar në gazetën “Demokratia”, më 21 qershor 1930)

