Vriten dy femra: Ekzekutohet laborantja, Megi qëllohet gabimisht(video)

 

Tirane/ Eleni Basho, nënë e dy fëmijëve, është vrarë në pritë me tre plumba mbrëmë në Shkozë. Vdes në spital edhe Megi Jokiçi

Vajza 24-vjeçare është goditur gabimisht mbrëmë në 21:30 te “Komuna e Parisit”, teksa po hynte në një lokal me të fejuarin. Shuhet pas 3 orësh operacion në Spitalin Ushtarak. Plagoset objektivi i atentatit, Aleksandër Gocaj. Pak orë më parë, në Shkozë, u qëllua për vdekje me tre plumba në kraharor 35-vjeçarja, laborante dentare.

Krimi i rëndë në Shkozë, policia heton për xhelozi, përjashtohet pista e vrasjes për shkak të grabitjes

Eleni Basho qëllohet me tre plumba pranë shtëpisë, ikën autori

Një laborante dentare në moshën 35-vjeçare u vra mbrëmë me tre plumba pranë banesës së saj në Shkozë të Tiranës për shkaqe të paqarta. Nëna e dy fëmijëve u gjet e vdekur në rrugë, rreth 50 metra larg shtëpisë ku banonte, ndërsa autori i krimit ka arritur të largohet. Rreth orës 18:50, në afërsi të fshatit Shkozë në Tiranë, viktima Eleni Basho, sapo kishte dalë nga shtëpia kur u përball me vrasësin. Në një zonë të pandriçuar, në mes të rrugës, ngjitur me një shtëpi përdhese, ajo u qëllua për vdekje me armë zjarri. Banorët e shtëpisë pranë së cilës ndodhi krimi kanë nxituar për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë, sapo kanë parë trupin e gruas të shtrirë në pellgun me ujë të krijuar nga shiu. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat e Komisariatit Nr. 1, si dhe oficerë të krimeve kundër jetës dhe shëndetit. Policia ka transportuar fillimisht trupin e 35-vjeçares në urgjencën e spitalit “Nënë Tereza”, por mjekët kanë konstatuar se ajo kishte ndërruar jetë prej disa minutash. Grupi hetimor ka nisur pyetjen e familjarëve dhe të dëshmitarëve të ngjarjes, ndërsa nga ana tjetër, agjentët në terren kanë shoqëruar gjashtë persona si të dyshuar për krimin. Policia tha se të shoqëruarit janë kryesisht persona me precedentë penalë dhe përdorues droge, pasi fillimisht ngjarja u dyshuar si një grabitje e mundshme. Pista më e rëndësishme hetimore e policisë mbetet ajo e vrasjes për motive xhelozie. Për këtë arsye, bashkëshorti i Eleni Bashos është marrë në pyetje hollësisht nga oficerët e policisë, në rast se ai mund të kishte ndonjë dyshim rreth ngjarjes. Gjithashtu, edhe koleget e punës së 35-vjeçares në laboratorin e një klinike dentare ku ajo punonte si laborante.
VRASJA
Rreth orës 18:50, Eleni Basho ka dalë nga shtëpia e saj në Shkozë, pasi do të shkonte për vizitë te një e afërme e saj. Pasi ka bërë një copë rrugë ajo është kthyer edhe një herë, pasi kishte harruar të merrte portofolin. Në shtëpi ndodheshin i shoqi, djali, vajza e saj, si dhe vjehrri që jetonte me ta. Pasi ka dalë herën e dytë nga shtëpia, nuk ka arritur të ecë as 50 metra dhe në një rrugicë të ngushtë, të pandriçuar, ajo është qëlluar tri herë në gjoks me plumba të kalibrit 9 milimetra. Sipas Policisë, autori apo autorët e ngjarjes mund t’i kenë zënë pritë nënës së dy fëmijëve në zonën e pandriçuar dhe vrasja ka qenë e planifikuar dhe me dashje. Të njëjtat burime konfirmuan se mes autorëve dhe viktimës nuk ka pasur përleshje, por vetëm të shtënat e armës. Edhe fakti që tre plumbat e shkrepur nga arma e kanë goditur në pjesën e gjoksit 35-vjeçaren, sipas policisë, tregon se ngjarja ka qenë e paramenduar dhe e qëllimshme. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor ka kaluar në plan të dytë pistën e ndonjë tentative të mundshme, edhe për faktin që çanta e gruas është gjetur pranë vendit të ngjarjes. Pista kryesore e hetimit, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes, është vrasje për motive xhelozie.

Dëshmitarët: Dëgjuam vetëm tri të shtëna
Në kohën kur ka ndodhur vrasja e 35-vjeçares Eleni Basho, zona përreth vendit të krimit nuk ka pasur lëvizje edhe për shkak të shiut që po binte në ato momente. Vrasja ka ndodhur ngjitur me murin rrethues të një shtëpie përdhese dhe personat e parë që kanë lajmëruar policinë kanë qenë pikërisht banorët e asaj shtëpie. Ata kanë qenë edhe dëshmitarët e parë që janë marrë në pyetje nga policia, duke shpresuar se mund të jepnin ndonjë detaj të rëndësishëm për ngjarjen. Por, sipas tyre, janë dëgjuar vetëm tri të shtëna arme zjarri dhe asgjë tjetër. Ata kanë deklaruar gjithashtu se nuk kanë dëgjuar thirrje për ndihmë nga ana e viktimës dhe as ndonjë pasthirrmë tjetër. Kanë nxituar për të parë se çfarë kishte ndodhur, por nuk kanë arritur të shohin asgjë, pasi autorët ishin larguar, ndërsa viktima ndodhej e shtrirë në një pellg me ujë, në mes të rrugës.

Vritet gabimisht 24-vjeçarja

Megi Jokiçi qëllohet me një plumb në nofull, po hynte në kafe me të fejuarin

Atentati te “Komuna e Parisit”, objektiv Aleksandër Gocaj
Një vajzë 24 vjeçe u plagos fillimisht e më pas vdiq në një skenë krimi, ku është ndodhur krejt rastësisht te “Komuna e Parisit” në Tiranë. Atentati që dyshohet se ishte planifikuar ndaj një personi me precedentë penalë, ka shkaktuar vdekjen e vajzës 24-vjeçare, që besohet se nuk kishte lidhje me “larjen e hesapeve”. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:30, pranë zonës së “Komunës së Parisit” në Tiranë. Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar në drejtim të Aleksandër Gocajt, 27 vjeç, me qëllim vrasjen e tij. Rastësisht, 24-vjeçarja Megi Jokiçi ndodhej në vendin e gabuar duke marrë një plumb në kokë dhe ka vdekur mbrëmë pas mesnate në spital, pas tri orësh operacion. Ajo ka qenë bashkë me të fejuarin, në një makinë tip “Mercedes A Clas”, duke parkuar para një lokali, ku do të pinin kafe, afër një qendre tregtare. Në të njëjtën kohë, 36-vjeçari Aleksandër Gocaj ka qenë duke dalë nga i njëjti lokal, ku do të hynin çifti i të fejuarve. Një person brenda një fuoristrade tip “Nissan” ka ulur xhamin dhe pa zbritur nga makina, ka qëlluar dy herë me armë zjarri. Një nga plumbat ka goditur “objektivin” e tij, shtetasin Aleksandër Gocaj, ndërsa plumbi tjetër ka goditur xhamin e përparmë të makinës “Mercedes A Clas” të cilin e ka depërtuar. Predha ka plagosur rëndë 24-vjeçaren Megi Jokiçi që ndodhej në sedijen e parë të mjetit. Sipas burimeve, plumbi e ka goditur vajzën e re në mjekër, duke i shkaktuar një plagë të rëndë dhe shumë gjakderdhje. Ndërsa Aleksandër Gocaj, sipas Policisë, nuk ka pasur probleme dhe është jashtë rrezikut për jetën.
ARRATISJA E AUTORIT
Pasi ka dështuar në atentatin kundër Aleksandër Gocajt dhe ka vrarë vajzën 24-vjeçare, e cila nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, autori është larguar me nxitim nga vendngjarja, nga frika se do të identifikohej. I dyshuari thjesht ka mbyllur xhamin e makinës, nga e cila kishte qëlluar dhe i ka dhënë gaz, duke u larguar në drejtim të rrugës kryesore të “Komunës së Parisit”. Duke lëvizur me nxitim, në fillim të rrugës, sapo fillon disheza, autori ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një veturë të parkuar në anë të rrugës. Pa kryer asnjë tentativë për ta lëvizur fuoristradën e tij të përplasur, i dyshuari ka zbritur dhe ka lëvizur me armë në dorë nëpër rrugicat e errëta të zonës, duke i shpëtuar kapjes nga policia, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes. Madje, dëshmitarët që kanë parë autorin duke u larguar nga vendi i ngjarjes kanë dyshuar se ai ka vrarë personin me të cilin ishte përplasur. Në momentin kur ai është përplasur, kishte plagosur dy persona dhe po arratisej. Burime nga grupi hetimor thanë se kanë shoqëruar për të marrë në pyetje disa persona që ndodheshin në lokal dhe jashtë tij. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë që ndodheshin në disa biznese private pranë vendit të krimit. Policia ka marrë në cilësinë e provës materiale edhe fuoristradën e braktisur në rrugë, e cila mendohet se është e autorit të krimit, si dhe atë ku ndodhej vajza e plagosur dhe i fejuari i saj.

I plagosuri në atentat, mik i ish-policit të vrarë
Personi që mbeti i plagosur në ngjarjen e ndodhur mbrëmë te “Komuna e Parisit” është një prej miqve më të ngushtë të ish-efektivit të Forcave Speciale Halit (Donald) Dedja, i cili u vra në dhjetor të vitit 2010. Sipas burimeve nga Policia, Aleksandër Gocaj ishte krahu i djathtë i Dedjas dhe ka qenë pranë tij në shumë incidente e ngjarje të rënda që kanë tronditur Burrelin, por edhe Tiranën pas vitit 1997. Halit Dedja u ekzekutua në afërsi të ish-uzinës “Enver” në Tiranë, me silenciator. Policia tha se Dedja ishte mashkulli i parafundit i fisit Dedja nga Burreli që kishte mbetur gjallë, por edhe ai u ekzekutua. Vrasjet zinxhir mes dy fiseve në Burrel, Dedja dhe Kola, që e kanë zanafillën që nga konfliktet e vitit 1997, u kanë marrë jetën burrave të dy fiseve dhe tashmë jeton vetëm një trashëgimtar i tyre. Sipas Policisë, nga fisi tjetër që ishte në hasmëri me familjen e Halit (Donald) Dedjes jetojnë vetëm dy persona, njëri ndodhet në burg, i dënuar me 17 vjet për vrasje, ndërsa personi tjetër, nip i tyre, ndodhet në Angli. Ekzekutimi i 45-vjeçarit, sipas grupit hetimor, ka qenë mjaft i sofistikuar. Atentatori nuk ka lënë prova të mjaftueshme në vendin e ngjarjes dhe krimi vazhdon të jetë ende pa autor. Edhe atentatin e djeshëm që dështoi ndaj Aleksandër Gocajt, policia e lidh me vrasjen e Halit Dedjes.

Pronarët e funeraleve, sherr për të vdekurin te Morgu i Tiranës
TIRANE – Një person i vdekur është kthyer në mollë sherri mes pronarëve të dy agjencive funerale në Tiranë. Pronarët e këtyre dy agjencive janë përleshur mes tyre te dera e Morgut pas konfliktit se kush do ta merrte përsipër ceremoninë mortore. Incidenti ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, para Institutit të Mjekësisë Ligjore, në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, kur bashkë me familjarët e viktimës prisnin prapa derës edhe pronarët e funeraleve. Në kohën kur mjekët ligjorë bënin autopsinë e vdekjes së A. Gj., 66 vjeç, me profesion rrobaqepës, ka plasur sherri mes dy vëllezërve që kishin në pronësi një agjenci funerali dhe pronarit të një tjetër agjencie. Situata mes tyre është tensionuar në momentin kur secila palë ka mësuar se po prisnin për të njëjtën kufomë. Nga njëra anë vëllezërit e njërës agjenci, Kujtim e Gëzim R., pretendonin se janë lajmëruar nga familjarët e viktimës për të kryer shërbimin funeral të të afërmit, pasi kanë njohje me të. Ndërsa pronari i agjencisë tjetër, Armand H., pretendonte se është lajmëruar nga spitali. Pasi ka parë që situata po vazhdonte të përkeqësohej dhe tre personat filluan të godasin njëri-tjetrin me grushte e shkelma, roja i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka lajmëruar policinë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 4 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar dy vëllezërit dhe personin tjetër me të cilin ata po ziheshin.

Tiranë-Durrës
Grabitet me dhunë karburanti në autostradë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, ku një karburant është grabitur me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve. Mësohet se policia ka marrë njoftim rreth orës 22:00 për grabitjen e një pikë karburanti. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që ende nuk janë identifikuar autorët e krimit. Sipas të dhënave të Policisë në vendin e ngjarjes, dyshohet se shuma e parave të grabitura mund të jetë 20 mijë lekë. Gjatë grabitjes mësohet se autorët e ngjarjes i kanë detyruar punonjësit e karburantit që të hedhin një sasi të konsiderueshme lënde djegëse në makinë, lëndë të cilën e kanë marrë me vete në largim nga vendi ku ndodhi grabitja. Pas grabitjes me dhunë, autorët e ngjarjes u larguan nga karburanti, ndërsa rojet njoftuan policinë. Forcat e rendit u nisën drejt vendit të ngjarjes dhe pasi mbërritën aty, morën në pyetje punëtorët e karburantit, por pa arritur që të identifikojnë autorët e grabitjes.

ETLEVA DELIA/panorama/

 

 
 
 
 

AdetAdet Donemiadet düzensizligi
AdetAdet Donemiadet düzensizligi
Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com