Zonja Kadare, u gabova. Ju kërkoj falje

 

Më 15 nandor, në shkrimin “Për raportin Camaj – Kadare” citova nji pasazh nga libri i Helena Kadaresë, “Kohë e pamjaftueshme”:

“Nga njerëzit e shquar të diasporës ishin deklaratat miratuese të shkrimtarit të madh Martin Camaj, nga Munihu i Gjermanisë dhe të personalitetit tjetër, Sami Repishti, nga Nju-Jorku.”

Pasazhin e komentova me këto fjalë: “Nji deklaratë e tillë e Martin Camajt nuk ekziston. Martin Camaj kurrë nuk asht shprehë publikisht, as me shkrim dhe as me gojë, kjoftë miratues kjoftë mosmiratues, për Ismail Kadarenë apo për arratisjen e Ismail Kadaresë nga Shqipnija.”

U gabova. Nji mike, gazetare, ma tërhoqi vëmendjen për nji emision të kanalit të dytë të televizionit austriak (FS 2, sot: ORF 2), ku mori pjesë Martin Camaj dhe u shpreh për Ismail Kadarenë dhe ikjen e tij në Paris. Asht fjala për emisionin “Club 2″ të datës 26 shkurt 1991 ku u diskutue gjendja aktuale e Shqipnisë dhe ku morën pjesë dhe Dr. Ardian Klosi, Mirsad Gjocaj, student në Austri, Genc Pollo, gazetarja Christine von Kohl, Engjëll Kolaneci, atëbotë ambasador i Shqipnisë në Austri, Dr. Michael Schmidt-Neke, historian, albanolog dhe atëbotë kryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermano-Shqiptare.

Pak pa u përfundue emisioni shtrohet pyetja e fundit dhe zhvillohet ky dialog :

Mirsad Gjocaj: Kisha nji pyetje ndaj z. Camaj: Si do të, apo si e vlerësoni sjelljen e z. Kadare?

 

Martin Camaj: Pra, për shumëçka jam i nji mendje me zotin Klosi. Nga ana tjetër kam ide ndryshe se si duhet me kenë nji shkrimtar. Nëse asht shkrimtar, në të vërtetë, nji shkrimtar i mirëfilltë, atëherë duhet të merret, para se gjithash, me profesionin e vet. U tha që asht paksa i druejtun. Letërsia asht nji punë individuale.

Christine von Kohl: Por në Shqipni, Kadareja s’ ishte…

Martin Camaj: Unë besoj se ai do kishte, simbas mendimit tim, nji shans, nji shkrimtar që reflekton dhe i talentuem që asht dhe, eee, me gjetë rrugë të tjera. Temave që i ka trajtue deri më tash, besoj, u erdhi fund përgjithmonë edhe për te.

Mirsad Gjocaj: A duhet ta kuptoj këte në mënyrë që ju nuk e vlerësoni bash mirë sjelljen e tij, apo si me thanë shkëputjen e tij?

Martin Camaj (përgjigjet sa çel e mbyll sytë dhe me za të vendosun, sh. H.J.L.): Jo!

Mirsad Gjocaj: Do me thanë…

Martin Camaj: Jo, përkundrazi. Nëse ai asht i bindun që si shkrimtar ka ma shumë vlerë, do me thanë që veprat e tij do të marrin kualitet ma të naltë, atëherë, nëse i thotë vetes: tash duhet të izolohem, atëherë e ka këte të drejtë.

Në librin e saj, Helena Kadare e ka përmendë deklaratën e Martin Camajt në kontekst me jehonën që kishte hasë ikja në Paris ku shkrimtarja shprehet kështu: “i gjeje të gjitha mendimet, që nga ato që e quanin ikjen tonë një akt madhështor, një shkundje e domosdoshme etj., etj., dhe që ishin shumica, gjer tek ata që, ndonëse ishin të paktë, mendonin sikurse Tirana zyrtare, se ky ishte një dezertim, një turp etj.” Fjalët e Martin Camajt me të cilat u shpreh në emisionin në fjalë televiziv nuk mund të interpretohen si miratimi i nji akti madhështor politik apo i nji shkundjeje të domosdoshme.

Mirëpo, nuk qëndron pretendimi im që Martin Camaj kurrë nuk asht shprehë publikisht për Ismail Kadarenë dhe ikjen e atij të fundit në Paris. U gabova. Zonja Kadare, më vjen keq dhe ju kërkoj ndjesë.Hans-Joachim Lanksch/zeri/

 

 
 
 
 

AdetAdet Donemiadet düzensizligi
AdetAdet Donemiadet düzensizligi
Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com