Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

Përkujdesja për UÇK mbetet për 2012

 

Përkujdesja institucionale për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së në Maqedoni do të realizohet gjatë vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër shoqatat e veteranëve të luftës nuk besojnë se kjo çështje do të ketë zgjidhje të shpejtë dhe se sipas tyre, ajo po përdoret për qëllime politike.

Një zyrtar i lartë i partisë shqiptare në pushtet deklaroi se 100 ditëshi nuk kishte përfshirë zgjidhjen e këtij statusi dhe as fundi i këtij viti, porse kjo çështje do të shtrohet në agjendë gjatë vitit të ardhshëm.

“Varësisht nga zhvillimet dhe prioritetet, edhe kjo çështje do të mbyllet, edhe për faktin se pjesa e konsiderueshme e familjarëve të dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë sistemuar dhe ka një zgjidhje të pjesërishme për ta. Mirëpo angazhimi është që t`i jepet fund kësaj çështje”, theksoi për INA, funksionari i lartë i BDI-së, duke afatizuar zgjidhjen rreth kësaj çështje.

Edhe zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi kohë më parë ka deklaruar se do të ketë zgjidhje të kësaj çështje.

“Ka marrëveshje dhe disponim, por që e kemi edhe si obligim, që familjet e dëshmorëve dhe të gjithë ata që janë dëmtuar gjatë konfliktit të kenë përkujdesje institucionale, të akomodohen, të ri-integrohen dhe të mbështeten përmes rrugës institucionale”, theksoi Musa Xhaferi në një intervistë të fundit për INA.

Statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001 ka qenë çështje përplasjesh midis partive politike shqiptare. Deri tani kanë qarkulluar propozime dhe versione të ndryshme për zgjidhje, por që deri tani nuk ka asnjë formë të miratuar institucionale. (INA)

 

 
 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com