Norvegji:Berisha në Forumin Ekonomik Shqipëri – Norvegji
Kryeministri Berisha, në një prononcim për mediat, pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Shqipëri – Norvegji, i vlerësoi punimet e këtij forumi një sukses të plotë dhe u shpreh se ndihej i inkurajuar nga interesi shumë i madh i kompanive të shumta norvegjeze për të investuar në Shqipëri në fushën e energjisë.
Më gjerësisht në prononcimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Norvegjia është lideri i Evropës në energjinë ujore, është lider në botë në ndërtimin e hidrocentraleve në të katër anët e planetit. Ndërmarrja kryesore e tyre energjetike është me investimin e saj në Shqipëri, në projektin më të madh të Shqipërisë, aktualisht edhe të Evropës, Kaskadën e Devollit. Interesi ynë i madh është që kompani të tjera norvegjeze të marrin pjesë në ndërtimin e hidrocentraleve në vendin tonë, me të cilat Shqipëria është e vendosur të ecë drejt një të ardhmeje jeshile, drejt një zhvillimi jeshil të saj.
Unë e konsideroj një sukses të plotë këtë Workshop që u organizua këtu me kompani të shumta norvegjeze të fushës së energjisë dhe ndihem shumë i inkurajuar nga interesi i tyre, interes i cili ka filluar që dje në mbrëmje gjatë darkës që patëm, ku shumë prej tyre kanë treguar një interes të madh për kaskadat e Matit, lumenjve të Librazhdit, por edhe për kaskada të tjera. Sikundër, biseda që pata me kompaninë Statkraft, lidhur me hidrocentralin e Banjës, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Statkraft hap tenderët për punimet civile në janarin që vjen, ndërkohë që ka përfunduar të gjitha studimet. Në takim diskutuam për ndërtimin e rrugës së re që lidh rrethin e Gramshit dhe i garantova që qeveria miraton së shpejt projektplanin e ndërtimit të kësaj rruge në KKRRSH dhe se është e vendosur që menjëherë të fillojnë punimet, në mënyrë që qytetarët e Gramshit të kenë një rrugë të re panoramike, ndër më të bukurat, buzë liqenit.
Ishte një interes shumë i madh i kompanive norvegjeze, por e vërteta është se këto interesa tashmë janë ekzistuese në Shqipëri, pasi janë një seri lumenjsh në të cilat shumë kompani norvegjeze po funksionojnë. E rëndësishme është se aty kishte dhe shumë bankierë mjaft të interesuar për të financuar këto projekte”.
Në vijim në vizitës së tij në Oslo, pas punimeve të Forumit Ekonomik Shqipëri – Norvegji, Kryeministri Berisha u takua sot me drejtues të lartë të kompanive Statkraft dhe Statoil.
Fillimisht, Kryeministri Berisha vizitoi zyrat qëndrore dhe Pikën e Komandës së Prodhimit dhe Shpërndarjes së Energjisë në kompaninë Statkraft. Kjo zyrë koordinon punën për Finlandën, Suedinë dhe Norvegjinë dhe monitoron ecurinë mbi projektin e kaskadës së Devollit, në Shqipëri.
Kryeministri Berisha zhvilloi, gjithashtu, një takim me Zv/Presidentin Ekzekutiv të kompanisë Statkraft, zotin Øistein Andersen, ku u diskutua mbi ecurinë e projektit të kaskadës së Devollit. Zëvendëspresidenti i kompanisë Statkraft, zoti Andersen, e informoi Kryeministrin Berisha mbi përfundimin e studimit të fizibilitetit të projektit, sikurse shprehu kënaqësinë për përmbylljen në kohë të procesit të marrjes së lejes mjedisore. Ai e falënderoi Kryeministrin për gatishmërinë e administratës në përmbushjen e kësaj faze të rëndësishme për vazhdimin e mëtejshëm të projektit.
Për sa i përket infrastrukturës që do të preket nga ndërtimi i hidrocentralit në rrethin e Gramshit, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të fillojë punën për ndërtimin e aksit rrugor prej 18 kilometrash, përkundrejt zhdëmtimit që kompania Statkraft do të bej për shtetin shqiptar.
Zoti Andersen e informoi Kryeministrin edhe mbi hapjen, së shpejti, të tenderit për fillimin e punimeve civile për hidrocentralin e Banjës.http://www.youtube.com/watch?v=XmDSB7TXn-4
Më tej, Kryeministri Berisha pati një takim edhe me drejtues të lartë të Kompanisë Statoil, të kryesuar nga zoti Eldar Saetre, Zëvendës President Ekzekutiv për Marketingun, Përpunimin dhe energjinë e rinovueshme, i Kompanisë Statoil. Kjo kompani është një nga kompanitë kryesore të projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili synon transportin e gazit nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz-it, në Azerbajxhan, në tregjet e Evropës Perëndimore.
Në këtë takim, drejtuesit e Statoil i prezantuan Kryeministrit zhvillimet në lidhje me projektin, si dhe u diskutuan çështje me rëndësi për çuarjen përpara të tij.
Kryeministri vlerësoi projektin TAP si projektin me fizibël dhe më të shpejtë për transportimin e gazit në krahasim me projekte të tjera konkurrente. Kryeministri i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe do të bëjë pjesën e saj për konkretizimin me sukses të këtij projekti.
Projekti TAP paraqitet nga një konsorcium kompanish që përfshin përveç kompanisë norvegjeze Statoil, edhe EGL të Zvicrës dhe E.ON Ruhragaz të Gjermanisë./Raporton Kosovalbaner.com/





