Mustafa takon kongresmenët Engel dhe King
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i kundërpërgjigjet menjëherë Kryeministrit Hashim Thaci. Ai ka thënë se marrëveshja PDK-LDK-AKR do të respektohet në përpikëri dhe nuk ka arsye që një gjë e till të mos ndodh. Komentet e Mustafës erdhën pas takimit me kongresistët amerikanë, Eliot Engel dhe Piter King.
***********”
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në një takim mikun e madh të Kosovës dhe të shqiptarëve, kongresmenin amerikan Eliot Engell, i cili shoqërohej nga kongresmeni Peter T. King dhe një numër bashkëpunëtorësh.
Në takim është folur për të gjitha zhvillimet në Republikën e Kosovës, qofshin ato politike, ekonomike e të tjera. Kreu i LDK-së e ka falënderuar Engelin për ndihmën e përhershme që ai dhe SHBA-të kanë dhënë për Kosovën në kohët më të vështira dhe për përkrahjen e madhe që vijojnë të japin edhe sot.
Mustafa, po ashtu, e ka njoftuar kongresmenin për procesin e reformave në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për rolin e kësaj partie si prijëse e opozitës së vendit, për angazhimin e Grupit të saj parlamentar në Kuvendin e Kosovës, për aktivitetin e deputetëve të LDK-së në komisionet funksionale dhe në komisionet për ndryshime kushtetuese e ligjore, që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit të vendit dhe me sistemin zgjedhor.
Engel e ka çmuar lartë punën e LDK-së, nën udhëheqjen e Presidentit Rugova, rolin e saj vendimtar për proceset themelore nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë dy dekadave, si dhe rolin e sotëm që luan kjo parti në skenën politike të vendit, si pjesëmarrëse në proceset e rëndësishme politike. Ai, po ashtu, e ka inkurajuar kryetarin Mustafa që të vijojë proceset e rëndësishme të reformimit e të profilizimit të LDK-së.






