Jerat: Prishtina t’i afrohet Bundesligës 2
Ndryshimet në shtabin teknik që ka bërë FC Prishtina dhe angazhimi i teknikut të ri nga Gjermania, Wolfgang Jerat, ishin arsyet kryesore që drejtuesit e këtij klubi mbajtën dje konferencë për shtyp, në restorantin “Prishtina”. Duke falënderuar dhe lavdëruar punën nga Ramiz Krasniqi, tashmë ish-kryetrajner i Prishtinës, Remzi Ejupi, kryetar i FC Prishtina, foli për risitë në klubin më të njohur kosovar.
“Jemi mësuar që ndryshimet të bëhen zakonisht kur një kryetrajner nuk ka sukses, por Prishtina është skuadër që sjell risi dhe këtë e bën edhe tash, pavarësisht suksesit të pamohueshëm që ka pasur Ramiz Krasniqi, i cili mbetet edhe më tej pjesë e klubit tonë. Ardhja e trajnerit gjerman mendoj se është dhuratë jo vetëm për skuadrën tonë, por edhe për futbollin kosovar.
Do t’i shfrytëzojmë mundësitë e tij dhe kontaktet që ky trajner ka jo vetëm në Gjermani, por edhe në shtetet tjera të Evropës, në mënyrë që të ecim përpara, pasi futbolli ynë ka mbetur prapa”, tha Ejupi, duke bërë me dije se Jerat do të qëndrojë në Prishtinë të paktën 6 muaj, me mundësi që qëndrimi t’i vazhdohet për dy vjet.
Kryetrajneri i ri i FC Prishtina, Wolfgang Jerat, tha se ftesën e ka pranuar pas bisedës që ka pasur me Remzi Ejupin në Frankfurt dhe pasi ka mësuar për vizionin që ka kryetari i klubit për të ardhmen e skuadrës dhe të futbollit kosovar. Ai e pranoi se ka qëndruar disa ditë edhe në Prishtinë dhe ka parë lojën e futbollistëve, duke premtuar punë të palodhshme, në mënyrë që këta futbollistë një ditë ta përfaqësojnë sa më mirë jo vetëm klubin e tyre, por edhe kombëtaren, natyrisht duke kërkuar mundësitë që të angazhohen edhe në skuadra të ndryshme në Evropës.
Sa i përket cilësisë se Prishtinës, Jerat tha se “për momentin Prishtina mund të krahasohet me ligën e katërt, eventualisht të tretë në Gjermani, por qëllimi është që këtë skuadër ta afrojmë dhe ta krahasojmë me skuadrat e Bundesligës 2. Në Gjermani është një thënie që përdoret shpesh, sipas së cilës 22 lojtarë luftojnë në fushë, por në fund Gjermania del fituese. Ne do të mundohemi që këtu Prishtina të dalë fituese”.
Ramiz Krasniqi, i cili me Prishtinën u bë kampion vjeshtor, tha: “Ne jemi profesionistë dhe për ndryshime vendos politika e klubit. Mendoj se kemi bërë punë të mrekullueshme pasi planin e kemi përmbushur, madje jemi edhe kampion vjeshtor. Unë nuk e kam marrë këtë vendim si diçka tragjike”.
Nënkryetari i klubit, Ahmet Kurtolli, ndryshimin nuk e sheh si përpjekje për të arritur rezultate me çdo kusht. “Kemi vendosur të ndryshojmë diçka, por jo duke ndjekur rezultate e duke shpenzuar shumë”, tha Kurtolli.
Në përfundim të konferencës, Ramiz Krasniqi i dhuroi trajnerit gjerman një fanellë me numër 2, duke i dëshiruar sukses, ndërkohë që më pas, në fushën e futbollit, gjermani kreu stërvitjen e tij të parë me futbollistët e Prishtinës, ku ishin të pranishëm edhe trajnerët tjerë si Sami Sermaxhaj, Gazmend Haliti, Bahri Berisha e Kushtrim Munishi.Baki Berisha/zeri/
