Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

Hyrje » Lajmet » Kosova »

Identiteti i Krajës

 

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare u përurua libri ‘Identiteti kosovar’ i shkrimtarit Mehmet Kraja. Megjithëse debatet rreth kësaj çështjeje kanë ekzistuar edhe më herët, në përurim, midis tjerash, u tha se libri do të zgjojë debate lidhur me identitetin kosovar.

Shqiptarët e Kosovës, duke qenë pjesë aktive e ngjarjeve të mëdha të kombit shqiptar, bëjnë që baza historike e shqiptarizmës por edhe ajo aktuale të jetë shumë më e fortë se ajo e kosovarizmës.

Kështu u tha në përurimin e librit më të ri të shkrimtarit Mehmet Kraja, “Identiteti kosovar”, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Duke folur për librin, i cili është botuar nga PEN Qendra e Kosovës, Basri Çapriqi, kryetar i PEN-it, tha se Mehmet Kraja konstaton se në Kosovë njerëzit kanë ditur të jetojnë pa shtet, por asnjëherë pa identitet. Ai shtoi se librin “Identiteti kosovar”, Kraja e ka bazuar në tri identitetet: identitetin historik, identitetin kulturor dhe identitetin politik.

“Me identitetin historik merret në fillim në mënyrë shteruese, me gjithë atë që ka ndërtuar identitetin shqiptar dhe gjithë atë që kanë munduar të krijojnë një identitet tjetër për ta pranuar këtë identitet shqiptar. Kraja merret me Shqipërinë e madhe dhe gjithë atë fatalitetin e krijuar prej saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, merret me Konferencën e Bujanit, me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, kryengritjen e Drenicës në 1945, me Kuvendin e Prizrenit në korrik të vitit ’45 dhe i lidh këto me një kauzalitet të çuditshëm”, tha Çapriqi.

Ai shtoi se në libër Kraja merret me nacionalizmin shqiptar në Kosovë dhe bërjen jugosllave të kombit kosovar.

Ndërkaq historiani Jahja Drançolli u shpreh se ky libër i akademik Mehmet Krajës nuk është libër që i kushtohet ekskluzivisht vetëm identitetit historik të Kosovës por ashtu si është konceptuar zotëron përmbajtje edhe nga identiteti kulturor dhe identiteti politik.

Ne vështrimin e tij, Drançolli u mor me aspektin historik të identitetit kosovar.

Ai shprehu nevojën e hartimit të një libri mbi historinë e Kosovës.

“Krahas këtij botimi, të cilin jemi duke e promovuar sot, do të kishte qenë mirë sikur të kishim tashmë të shkruar edhe një histori të Kosovës apo fundi i fundit një histori të Kosovës si pjesë integrale të historisë se popullit shqiptar, histori të cilën zëshëm e kërkon nga institucioni përkatës edhe autori Kraja duke treguar se deri më tani është shkruar fare pak për antikitetin dhe mesjetën, ndërsa është shkruar kryesisht për Kosovën gjatë shekujve XIX-XX e në veçanti për LNÇ-në”, tha Drançolli.

Referuesi tjetër, publicisti Ibrahim Berisha u shpreh se Mehmet Kraja në këtë libër trajton një nga temat ende të memorizuara si fetishe dhe tabu.

“Ai në librin prej 500 faqesh i jep përgjigje shumështresore, detabuizimit, jo vetëm identitetit kosovar, por edhe minitemave, që janë sendimentuar, duke u ruajtur në formën e lavdisë së personaliteteve dhe ngjarjeve”, tha Berisha, duke shtuar se gjuha e shkrimit është vërtetë impresive. Ai theksoi se Kraja i ka analizuar me kreativitet shumë çështje të lidhura me identitetin, ka dhënë gjykime dhe ka bërë një rishikim konceptual të dukurive e fenomeneve identitare shqiptare, veçmas në kontekstin e Kosovës. Kjo qasje, sipas Berishës, është e vërejtshme edhe kur bëhet fjalë për një pjesë të personaliteteve të njohura historike, politike dhe intelektuale shqiptare të Kosovës.

“Një trajtim kulturologjik natyrisht se mund të ballafaqojë dhe përmbyt disa nga konceptimet tradicionale mbi historinë, veçmas historinë më të re. Në këtë prizmë, do parë edhe qasjen për idetë unifikuese dhe ndarëse, që ecin përkrah njëra tjetrës. Relacionet e Shqipërisë dhe Kosovës, mbeten edhe sot e kësaj dite të diskutuara nga të ditur dhe të paditur, nga kureshtarë dhe ambicioz, nga sharlatanë dhe spekulantë. Kraja me të drejtë sheh edhe përmasat e një inferioriteti brendashqiptar shprehur me dyzime që komplikohen mbas Pavarësisë së Shqipërisë, për të mbërritur kulmin në vitet dyzetë tashmë të shekullit të kaluar”, tha Berisha.

Ai shtoi se autori zhvesh nga areali mistifikues disa nga figurat më të njohura komuniste shqiptare. Po ashtu tha se theksohet roli i liderëve komunistë në vendimet për Kosovën, veçmas për disa nga ngjarjet tragjike, misterin e heshtjes së tyre, për të cilat, siç vëren autori, ata asnjëherë nuk e panë të udhës të flasin në mënyrë të hapur për të treguar të vërtetat tragjike që u bënë pjesë shoqëruese e shqiptarëve.

Në fund, autori i librit, Mehmet Kraja, pasi i falënderoi të pranishmit si dhe referuesit, shprehu urimin që fjalët që i thanë ata të jenë të vërteta. “Nuk e di sigurt nëse janë apo jo, por megjithatë nga ajo që dëgjova unë duhet llogaritur që të jenë të vërteta sepse ajo në një mënyrë i rrit vlerën asaj që kam bërë”, tha Kraja.

Ai shtoi se ky është një rrëfim i tij për Kosovën.

“Nuk e di sa është objektiv, nuk e di sa është i qëndrueshëm. Kam pasur gjatë shkrimit dhe tani kam shumë dilema rreth kësaj, por është një temë mjaft e diskutueshme, temë që rrezaton labilitet të përgjithshëm. Megjithatë kam provuar të rrëfej diçka që në lexim e sipër do të verifikohet nëse do të qëndrojë më gjatë ose jo”, tha Kraja.

Ai shtoi se ky mbase është një fillim i një debati, i cili do të hapet në shoqërinë tonë me një konsekuencë dhe me një qëndrueshmëri ndryshe nga siç ka qenë deri më tani./express/

 

 
 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com