Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

Hyrje » Lajmet » Kosova »

E teproi Atifetja

 

Në pjesën e dytë të intervistës, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se ata ende nuk kanë menduar se kush mund të kandidojë nga kjo parti për president të Kosovës. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe ish- presidenti i Kosovës dhe ish-kreu i LDK-së, Fatmir Sejdiu, të kandidohet, por për këtë, shton Mustafa, vendos anëtarësia dhe organet e partisë.

Kryetari i Prishtinës thotë se nuk është i pakënaqur me ndarjen e buxhetit për kryeqytetin, por ai thekson se në të ardhmen, kur buxheti do të ndahet për kokë banori, Prishtina do të ketë vështirësi të mëdha. Ai kritikon presidenten Atifete Jahjaha për fjalimin e saj në datëlindjen e Partisë Demokratike të Kosovës sikur të ishte anëtare e kësaj partie, ndërsa thekson se nëse Qeveria e Kosovës nuk i merr për bazë kritikat dhe sugjerimet e LDK-së për buxhetin e ardhshëm, atëherë deputetët e këtij subjekti politik nuk do ta votojnë atë në kuvend.

Zëri: Gjatë intervistës që e përmendët, Sejdiu ka thënë se “e di burimin e financimit të kuvendit të fundit të partisë”. Si i komentoni pohimet për këto pazare?

Mustafa: Nuk kam koment. Unë nuk di që ka pasur pazare. Nëse zoti Sejdiu di diçka, është mirë që të dalë dhe t’iu ndihmojë të tjerëve. Unë tash po e dëgjoj nga të tjerët sepse nuk e kam parë as intervistën, kurrë nuk kam dëgjuar për këtë. Unë totalisht nuk di asgjë për këtë çështje, e di që votimi ka qenë tepër transparent, si nuk ka qenë në asnjë parti tjetër.

E di që ata njerëz që kanë ardhur atë ditë në kuvend nuk janë njerëz që i kam zgjedhur unë, janë njerëz që janë zgjedhur në kohën kur zoti Sejdiu… Unë për vete nuk kam pasur ambicie të bëhem kryetar i LDK-së, sepse kam konsideruar se kam mjaft punë në Komunë dhe fakultet, në Akademi, por ka qenë një kërkesë e degëve dhe jam sfiduar me atë. Kurrë nuk e kam ditur a marr vota, apo nuk marr.

Zëri: A besoni se Sejdiu është i shtyrë nga ndonjë parti tjetër?

Mustafa: Nuk mund të them ndonjë gjë. Me Sejdiun kam bashkëpunuar shumë mirë përpara dhe e konsideroj si njeri që ka vlerat e tij, por punët e tij unë nuk mund t’i komentoj. Por, ajo që mund të them është se këto nuk i bëjnë mirë askujt, mirëpo më së paku mund t’i bëjnë keq LDK-së, sepse LDK-ja është shumë stabile dhe totalisht as dridhjen më të vogël nuk e ka.

Zëri: A kontakton me Sejdiun, a shiheni?

Mustafa: Po shihemi kur kemi takime të partisë, takime të Këshillit Qendror të LDK-së, takime tjera nuk kam pasur, vetëm kur e takoj rastësisht.

Zëri: Në “Darkën e Lamës” nuk u përshëndetët?

Mustafa: E kam takuar dy ditë përpara…Në  “Darkën e Lamës” nuk më ka rënë ta takoj, sepse unë sapo kam hyrë kam shkuar në atë sofrën e presidentes meqë ma kishin caktuar vendin, për ndryshe në të gjitha takimet që i kemi, në mbledhje të ndryshme ku është edhe zoti Sejdiu unë përshëndetem me të, sepse asgjë personale kurrë nuk kemi pasur as nuk kemi.

Zëri: Po, a po mendon LDK-ja ndonjë opsion për ta rehatuar Sejdiun, për shembull ta kandidoni për president?

Mustafa: Nëse anëtarësia e LDK-së nesër pajtohet për zgjidhje të tilla, ne gjithmonë do ta pëlqejmë dhe përkrahim orientimin e anëtarësisë së LDK-së, por vërtet nuk kemi biseduar as për Sejdiun, as për Isën, as për të tjerët.

Zëri: Zotëri Mustafa, ish-krahu i LDK-së që ka themeluar LDD-në ka shprehur ambicie që prapë të kthehen në LDK?

Mustafa: Ne i kemi përcaktuar disa politika në këtë aspekt dhe në kryesi kemi biseduar dy herë dhe orientimi ynë ka qenë që të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen në LDK, do të kthehen. E kemi hapur mundësinë nëpër degë, kështu që është kthyer krejtësisht dega e LDD-së në Viti.

Në Ferizaj po ashtu janë kthyer pjesa dërrmuese, dhe nuk di a ka mbetur ndokush akoma në LDD. Në Gjilan e di se janë në përfundim e sipër nga LDD-ja në LDK dhe ne praktikisht nuk na mbetet asnjë hapësirë që s’e kemi mbuluar deri tash, por e kemi lënë në çështje të vullnetit ose të anëtarësisë ose të organizmave më të ulët që ata të bashkëngjiten, por kurrsesi të bëjmë marrëveshje LDK-LDD.

Ne po dëshirojmë të bëjmë reforma, reformat nënkuptojnë që ne t’i hapim dyert për njerëz të rinj, qoftë të moshës së re, qoftë për tjerë që duan t’i bashkëngjiten tash LDK-së, por kurrsesi mos të bëhen bashkime të strukturave. Kështu që LDK-ja është e hapur në këtë aspekt, por nuk do të bashkohemi, sepse nuk ka mbetur objektivisht çka të bashkohet, për arsye se pjesa dërrmuese vetëm se po bashkëvepron në terren.

Zëri: Po për shembull, për Nexhat Dacin, Besa Gaxherin, do t’iu ofroje ndonjë vend në kryesi?

Mustafa: Kryesia është përfunduar, është zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm, Këshilli i Përgjithshëm po ashtu është çështje e përmbyllur, nëse duam reforma, ato do t’i orientojmë në një tjetër aspekt.

Zëri: Daci së fundi ka deklaruar se sipas të gjitha gjasave do të kandidojë për president. A ka gjasa që ai të jetë kandidat i përbashkët i LDK-së dhe LDD-së?

Mustafa: Nuk e kam menduar këtë, sepse LDK-ja me sa e di, edhe jam shumë i sigurt do ta japë kandidatin e vet. Unë kisha dashtë që t’i uroj edhe sukses, çdonjërit, edhe Dacit edhe të tjerëve. Ajo që dëshiroj më së shumti është që ta kemi një garë shumë korrekte, pra LDK-ja do ta ketë kandidatin e vet, siç do ta kenë edhe partitë tjera.

Zëri: Por, për një kuvend të punës që është përmendur të mbahet në fund të vitit, nuk po përmendet më?

Mustafa: Ne do të kemi kuvend, nuk e kemi përcaktuar kohën, sepse jemi në ndryshim të statutit të LDK-së, jemi gjithashtu duke punuar në program politik të Lidhjes Demokratike, të cilat me statut i takojnë kompetencës edhe autoritetit të kuvendit të LDK-së edhe posa ne t’i zgjedhim këto, do të vlerësojmë se kur jemi gati të shkojmë në kuvend. Para kësaj ne do të zhvillojmë debatin në terren me të gjitha degët e LDK-së në mënyrë që ta përmbyllim debatin me të krejt, edhe anëtarët e kuvendit, edhe këshillit edhe degëve.

Zëri: Atifete Jahjaga është zgjedhur presidente e Kosovës edhe falë juve, por po duket se po ia mban anën PDK-së. Të paktën kështu është dukur në datëlindjen e kësaj partie?

Mustafa: Natyrisht që presidentja nuk ia shkruan gjithmonë vetës fjalimet. Ishte deklaratë që del pak prej konceptit dhe suazave të takimit të tillë. Një deklaratë e tillë nuk mbahet mend tek ne, për arsye se roli i presidentit të vendit nuk është i tillë, është rol i krijimit të unitetit në mes njerëzve, partive politike dhe të tjerëve. Prandaj, nuk kemi nevojë ta lavdërojmë shumë, sepse edhe PDK-ja nuk është për lavd, veçmas pas asaj që ka ndodhur me zgjedhjet e fundit, pas abuzimeve të votave.

Edhe këtë duhet ta kemi parasysh të gjithë ne, sepse ky vend po heq të keqen për arsye se kemi një Parlament, kemi një Qeveri e cila nuk ka ardhur me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve, e cila ka ardhur me vota të abuzuara, e ka dhënë këtë vlerësim edhe faktori ndërkombëtar, prandaj askush prej nesh nuk mund t’i mbyllë sytë edhe të thotë se ju keni fituar sepse keni pasur një moto “së pari Kosova”, në të vërtetë nuk ka qenë së pari Kosova, por ka qenë së pari vjedhja e votave dhe pastaj pushteti.

Zëri: A jeni të kënaqur me ndarjen e buxhetit nga qeveria?

Mustafa: Mendoj se sa i përket Prishtinës sivjet janë përdorur ato mekanizmat që janë përdorur vite me radhë, por s’mund të them që s’jam i kënaqur, sepse edhe granti i përgjithshëm, edhe këto dy grantet specifike për arsim dhe shëndetësi janë ato që i përgjigjen atij numri.

Problemin themelor kemi me pas vitin e ardhshëm ne, në vitin 2013 për shkak të regjistrimit të popullsisë, sepse ne kemi aq shpërputhje ndërmjet atyre që jetojnë në Prishtinë dhe atyre që tash do të jenë si banorë në bazë të regjistrimit të popullatës.

Prishtina do të vijë në një situatë qesharake, për arsye se, ju e shihni sa njerëz janë këtu nga e hëna deri të premten, ndërsa të shtunën dhe të dielën e keni numrin më të vogël, mirëpo për të gjithë ata ne duhet të krijojmë shkolla, çerdhe, rrugë, trotuare, parkingje, objekte tjera përcjellëse për të cilët janë regjistruar si banorë në komunat tjera, ndërkaq jetojnë dhe punojnë në Prishtinë.

Problemin më të madh ne e shohim në vitin 2013, nëse zbatohen këto. Ne do të bisedojmë edhe me qeverinë dhe do të kërkojmë të bëhet një zgjidhje në mënyrë që këto të dhëna mos të jenë ato mbi të cilat shpërndahet buxheti për Komunën e Prishtinës.

Zëri: Pas një kohe Qeveria do ta sjellë në Kuvend për miratim Ligjin për Buxhetin. A do ta votojë LDK-ja këtë ligj?

Mustafa: Ne do të ulemi, do të shohim, do t’i japim vërejtjet tona. Në disa pjesë të buxhetit vërejtjet kryesisht ndërlidhen me atë se sa shpenzimet buxhetore janë në përputhje me të hyrat buxhetore reale, për arsye se konsiderohet se problemet më të mëdha që i kemi tani me buxhet, do të përcillen në vitin e ardhshëm dhe do të rrezikohet rezerva e Bankës Qendrore për shkak të obligimeve që janë ndaj autostradës… Ne do t’i japim vërejtjet tona dhe nëse ato janë aq të mëdha, do të vlerësojmë në Grupin Parlamentar se a do ta përkrahim apo jo. Milaim Shefkiu, Jeton Llapashtica/zeri/

 

 
  • remi

    sat jet isa mustafa.putini.i ldk.es.kurr sun kame fitu pushtetin pa ebashku ldk.en dhe njerzt e djatht te presidentit Rugova si jan ne LDD.Akademik daci besa gaxheri lulzim zeneli vllezrit geci.se ne edim se indjeri rugova ikapas largu prej parties isen dhe Bukoshin se evidhen tre perqinshin e popllit sot jan pasunu si isa dhe Bukoshi

 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com