12 të arrestuar:Arrestohen për mashtrim dhe shpërdorim detyre
Policia e Kosovës të premten ka arrestuar 12 persona të dyshuar si të implikuar në rastin lidhur me parregullsi në furnizimin me derivate të naftës për Qendrat e Paraburgimit në Prizren dhe Pejë.
Hetimet lidhur me rastin kanë filluar me autorizimin e Prokurorisë së Qarkut Prizren për dyshimin e bazuar se kompania, e cila furnizonte me naftë këtë institucion dhe institucionet tjera si Qendrën e Paraburgimit-Prizren dhe Qendrën e Paraburgimit në Pejë, ka mashtruar këto institucione në sasinë e furnizimit me derivate.
Gjatë hetimeve të realizuara nga zyrtarët policorë të krimeve ekonomike është kuptuar se sasia e derivateve të naftës së furnizuar, e cila gjendej në rezervuar nuk korrespondon me sasinë e naftës së faturuar nga kompania furnizuese, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Hetuesit policor në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kanë bërë verifikimin dhe matjen e sasisë së derivateve në të gjithë rezervuarët dhe e njëjta është vërtetuar se mospërputhja e përgjithshme shifrave të litrave për naftë në tri lokacione është 22 mijë e 724 litra.
Personat e arrestuar janë pronari i kompanisë furnizuese me derivate, zyrtarë të Prokurorisë së Qarkut-Prizren, zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit – Prizren dhe zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit -Pejë. Me autorizim të Prokurorisë së Qarkut në Prizren ndaj të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit policore 48 orë.





