Pretenca: Dokle, 5 tentativa për të vrarë Lul Berishën

 

Statusi i “të penduarit” e shpëtoi dje Adriatik Colin nga burgimi i përjetshëm, dënimi që kërkoi fillimisht Prokuroria për Krimet e Rënda ndaj tij. Por, kërkesa për dënim maksimal nuk u kursye për katër të pandehur të tjerë të dosjes, mes të cilëve Lulëzim Berisha dhe Endrit Dokle. Gjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me konkluzionet përfundimtare të prokurorisë në lidhje me dosjen në ngarkim të të akuzuarve si “anëtarë” të “bandës së Durrësit”. Në një sallë gjyqi të blinduar nga forcat e policisë, që sikur paralajmëronte kërkesa për dënime të rënda, përfaqësuesit e Prokurorisë lexuan 282 faqe konkluzione dhe kërkuan deklarimin e fajshëm të të gjithë të pandehurve. Sipas Prokurorisë, “banda e Durrësit”, e cila më pas do të ndahej në dy pjesë, fillimisht ishte krijuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu (i vrarë) në vitin 1998. “Rezultoi e provuar se janë bashkuar me njëri-tjetrin në vitin 1998 dhe kanë krijuar një organizatë kriminale, fillimisht për t’iu përgjigjur kundërshtarëve të përbashkët të tyre, e në vijim për të kontrolluar, duke mbizotëruar me dhunë trafiqet e ndryshme, kryesisht në qytetin e Durrësit”, thuhej në pretencën e akuzës. Prokurorët Anton Martini e Behar Dibra, pasi lexuan për më tepër se 6 orë të gjitha konkluzionet e gjykimit ndaj “bandës”, kërkuan burg përjetë për të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj (në mungesë), Endrit Dokle dhe Indrit Taullai. Dënim maksimal u kërkua fillimisht edhe për të pandehurin Adriatik Coli, por për shkak të statusit të tij si dëshmitar i drejtësisë, përfundimisht prokuroria kërkoi dënimin e tij me 10 vjet burg. Gjithashtu, prokuroria kërkoi 25 vjet burg për Sardian Sulejmanin, Kujtim Bunën, Altin Ollonin, Elvis Hoxhosmanin, Alban Nelin, Selman Hetin e Spartak Kalthin. Të gjithë ata akuzohen si “anëtarë” të bandave të kryesuara nga Lulzim Berisha e Indrit Dokle. Për të pandehurit Osman Karpuzi e Ahmet Ajeti, organi i akuzës kërkoi dënimin e tyre me nga 21 vjet burg. Ndërsa për të pandehurit Altin Nikolla e Kristian Begu, nga 20 vjet heqje lirie.
Në vijim, pasqyrohen detaje nga “jeta” e “bandës”, referuar pretencës së lexuar dje te Krimet e Rënda.
KRIJIMI I ORGANIZATËS KRIMINALE
”Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu, që nga viti 1998 e deri në vitin 2002, kanë krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale me shtrirje dhe aktivitet në rrethin e Durrësit dhe me gjerë, në të cilën merrnin pjesë dhe të pandehurit, Plaurent Dervishaj, Adriatik Coli, Ilir Xhunga (i vrarë), Arben Paja (i vrarë) Endrit Dokle, Indrit Taullai, etj. Në vitin 2002, organizata kriminale ndahet në dy pjesë, ku si i pandehuri Lulzim Berisha, ashtu dhe Klodian Saliu, drejtonin të pavarur nga njëri-tjetri dy grupime kriminale rivale. Më datë 26.02.2005, Klodian Saliu vritet dhe drejtimin e organizatës e merr i pandehurit Endrit Dokle”, tha prokuroria. Referuar pretencës së organit të akuzës, krijimi i organizatës kriminale, në shtator 1998, nga Berisha dhe Saliu, kishte si qëllim fillimisht për t’iu kundërpërgjigjur kundërshtarëve të përbashkët të tyre, e në vijim për të kontrolluar, duke mbizotëruar me dhunë trafiqet e ndryshme, kryesisht në rrethin e Durrësit. I pandehuri Lulzim Berisha, ashtu dhe Klodian Saliu, kishin lidhje dhe shoqëri të ndryshme në qytetin e Durrësit, kjo për shkak të origjinës dhe vendndodhjes së banesave të tyre, por e përbashkëta ishte identifikimi i prirjeve të theksuara kriminale. Secili prej tyre kishte të grumbulluar rreth vetes bashkëpunëtorë të bindur në rrugën e tyre kriminale. Lidhur me njohjet mes Berishës dhe Saliut, e bashkimit të tyre për të formuar organizatën, i pandehuri Adriatik Coli, në seancat gjyqësore të datave 28.09.2009 e në vazhdim, shprehet ndër të tjera se: ”Klodian Saliu i forcoi lidhjet me Lulzim Berishën sepse porositën 15 kg heroinë për të cilën kemi mbajtur peng dy shtetas turq. Kam qenë prezent kur i çuam të shtëpia e J., i mori Luli, i kishte gjetur me anë të agjencisë në Tiranë. Kishin bashkuar lekët me Klodin për të blerë heroinë tek ata. Turqit i mbajtën dy javë, derisa të vinte porosia nga Turqia, të vinte heroina. Me turqit ndejta unë me Y, e i mbajtëm te shtëpia e B. Shpenzimet për ushqimin e tyre i paguante Luli. Një person i tretë ishte nisur për në Turqi. Klodi bashkë me Lulin kishte paguar 160 mijë marka, e mësova nga Luli e Klodian Saliu. Nga porosia që erdhi, u pa se nuk ishte tamam. Erdhën vetëm 3.5 kg heroinë e pastër, tjetra erdhi zhavorr. Atë që erdhi e mori Klodi, ndërsa lekët e Lulit shkuan kot…”.
“VAZHDA” E ELEMINIMEVE
Referuar organit të akuzës, viktima e parë pas themelimit të organizatës kriminale është Dritan Sallaku. Viktima njihej për tendenca të theksuara kriminale në qytetin e Durrësit dhe i grupuar rreth grupimit të Marsel Sotirit, i cili në këtë periudhë predominonte trafiqet e kontrabandën në Portin e Durrësit. Klodian Saliu dhe i pandehuri Plaurent Dervishaj, së bashku me të vëllanë, Redinaldin, kishin pasur kontradikta të theksuara me viktimën Dritan Sallaku. Kulmi i këtyre kontradiktave arrin nga goditja me armë zjarri në drejtim të banesës së Njazi Dervishajt, më 16 tetor 1998. Për këtë goditje organizata kriminale konkludoi se ishte viktima Dritan Sallaku, njëri nga dy personat që kishte qëlluar në drejtim të banesës së Plaurent Dervishajt, e për këtë u vendos të vritej menjëherë të nesërmen. Me qëllim që të mos njiheshin makinat e tyre që kishin në përdorim, vendosin të marrin një makinë tip “BMV”. Adriatik Coli e merr këtë makinë të paregjistruar, te dëshmitarët Geri Beja e Denis Xhilaga. Dyshimet e para për vrasjen e Sallakut bien mbi shtetasin Petrit Sulejmani, i njohur me nofkën “Lumi i Myfitit”, pasi viktima bashkëjetonte me të dashurën e Sulejmanit. Sipas prokurorisë, anëtarët e grupit kriminal ishin të gëzuar, pasi bashkëpunëtorët e viktimës Sallaku kishin lajthitur lidhur me autorin e vrasjes së tij, duke u fokusuar te Petrit Sulejmani. Situata ndryshon kur gjendet makina tip “BMV”, ngjyrë gri e braktisur natën e ngjarjes, pasi brenda saj u gjetën dokumentacionet e lokalit “B…”.
Në vijim, kjo ngjarje u ndoq nga një sërë episodesh të rënda kriminale. Ngjarjet, për të cilat ata u kthyen në të akuzuar si autorë më vonë, janë: “Vrasja me paramendim në bashkëpunim, ngelur në tentativë”, në dëm të shtetasit Marsel Sotiri, ndodhur më datë 29.10.1998; “Vrasja me paramendim në bashkëpunim”, në dëm të shtetasit Eduart Ongari, ndodhur më datë 05.07.1999; “Vrasja me paramendim në bashkëpunim”, në dëm të shtetasit Marsel Sotiri, ndodhur më datë 22.08.1999; “Vrasja me dashje kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë”, në dëm të shtetasit Ilir Nelaj, ndodhur më datë 17.10.1998, kryer në kuadër të organizatës kriminale; “Vrasja me dashje kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë”, në dëm të shtetasit Agim Rexhepi, ndodhur më datë 17.10.1998, kryer në kuadër të organizatës kriminale; “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim”, në dëm të shtetasit Viron Curri, ndodhur më datë 29.10.1998, kryer në kuadër të organizatës kriminale; “Vrasja me dashje e kryer në bashkepunim”, në dëm të shtetasit Arjan Paja, ndodhur më datë 29.10.1998.
“KRISJA” E BANDËS
Sipas prokurorisë, pas vrasjes se Klodian Saliut drejtimin e organizatës kriminale e merr në dorë i pandehuri Endrit Dokle, i cili bashkëpunëtorin më të ngushtë ka të pandehurin Adriatik (Dritan) Coli. Menjëherë pas vrasjes së shtetasit Klodjan Saliu dhe bisedës se organizatori i saj është i pandehuri Lulzim Berisha, të pandehurit Endrit Dokle e Adriatik (Dritan) Coli vendosin të kundërpërgjigjen, duke vrarë kundërshtarin e tyre, të pandehurin Lulzim Berisha. Por, ndonëse tentuan disa herë, ky grupin dështoi në eliminimin fizik të shtetasit Lulzim Berisha. Për të realizuar vrasjen e të pandehurit Lulzim Berisha mendojnë të caktojnë ditën e 40-të të vrasjes së shokut të tyre Klodjan Saliu. Një ditë që në ritet tona për të vdekurit është ditë kujtimi për ta. Fillimisht, ata kontaktojnë shtetasit G. Gashi nga Tirana, shok i vëllait të Klodjanit, i shtetasit Arjan Saliu, me të cilin kishin qëndruar në burg në Itali së bashku, i cili mori përsipër të kryente vrasjen e shtetasit Lulzim Berisha, kundrejt shumës prej 100 mijë eurosh dhe me kusht që të pandehurit Endrit Dokle dhe Adriatik Coli t’i siguronin armët dhe makinën që do të përdorte për këtë qëllim. Në vijim të sigurimit të mjeteve të nevojshme lidhur me përpjekjet për vrasjen e shtetasit Lulzim Berisha, i pandehuri Endrit Dokle komunikon me dëshmitarin Landi Sh., i cili kishte një servis dhe pikë shitjesh për makina në autostradën Durrës-Tiranë dhe blen nga ai një autoveturë tip “Passat”, ngjyrë ulliri të hapur, pa dokumente. Me qëllim që të mos viheshin re duke lëvizur me këtë makinë, pasi ishte edhe pa dokumente, i pandehuri Adriatik Coli ka marrë dëshmitarin Islam J. me karroatrec nga Durrësi, duke mashtruar se gjoja makina tip “Passat” ishte prishur dhe do ta dërgonin kundrejt pagesës në Tiranë. Dëshmitari merr në karroatrecin e tij makinën tip “Passat” dhe e dërgon sipas porosisë të të pandehurit Adriatik Coli në afërsi të zogut të Zi, në Tiranë dhe e zbret duke e parkuar në një rrugë të lagjes.
Në darkë i pandehuri Endrit Dokle, tashmë si drejtues i organizatës kriminale, thërret shtetasin G.Gashi, të cilit i jep çelësat e makinës “Passat“ dhe dy armë, një automatik “Skorpions” dhe një pistoletë tip “beretë” si dhe 20 mijë euro nga shuma prej 100 mijë eurosh e premtuar, me kusht që pas vrasjes të merrte shumën tjetër. Pas disa ditë pritjeje, shtetasi G. nuk bëri asnjë orvatje për të vrarë Lulzim Berishën, e në këto kushte atij i marrin çelësat e makinës, sasinë prej 20 mijë eurosh dhe dy armët e zjarrit. Një javë para se të 40-tave të vdekjes së Klodjan Saliut, i pandehuri komunikon në Durrës me të pandehurin Altin Olloni, të cilit i kërkon të sigurojë dy vrasës me pagesë për të vrarë, kundrejt shumës 100 mijë euro shtetasin Lulzim Berisha. I pandehuri Altin e pranon ofertën e bërë nga i pandehuri Endrit Dokle, e kështu pas dy ditësh nga biseda, lajmëron se kishte gjetur dy persona të përshtatshëm për të vrarë Lulzim Berishën për shumën e premtuar, e konkretisht të pandehurit Elvin Hoxhosmani e Alban Neli, nga Burreli. Në këto kushte, i pandehuri Coli e dërgon përsëri dëshmitarin Islam J. me karroatrec në Tiranë, duke i kërkuar të marrë makinën tip “Passat” nga vendi ku e kishte parkuar më qëllim t’ia dërgonte në qytetin e Durrësit. Dëshmitari shkon në Tiranë dhe merr makinën dhe e dërgon te “Muzeumi i Dëshmoreve” në Durrës, të pandehurit Adriatik Coli, sipas porosisë së tij. Në vijim, po sipas organit të akuzës: Këto ditë të pandehurve Elvin Hoxhosmani e Alban Neli, organizata kriminale e drejtuar nga Endrit Dokle, iu vë në dispozicion një fotografi të shtetasit Lulzim Berisha që kishte dalë me Klodjan Saliun, si dhe iu sjell dhe dy armë të tjera zjarri tip “pistoletë” me silenciator. Në vijim, pasi ishte errësuar iu tregojnë të pandehurve, duke lëvizur në këmbë, lokalin “C’era una volta”, si dhe shtëpinë e të pandehurit Lulzim Berisha, që ata të ishin të orientuar rreth lëvizjeve të tij për ta vrarë.
Në episodin e 5 prillit 2005, Lulzim Berisha i shpëtoi një atentati, pasi atentatorët u trembën nga një polic qarkullimi. Më datë 5.4.2005 në të 40-tat e Klodian Saliut, në kohën kur drejtuesi i organizatës Endrit Dokle e bashkëpunëtorët Adriatik Coli etj. ndodheshin te banesa e Klodjan Saliut, shtetasi Lulzim Berisha kishte dalë nga lokali “C’era ina volta” dhe ishte futur në Hipotekën e qytetit. Pas konstatimit dhe lajmërimit për këtë lëvizje, të pandehurit Elvin Hoxhosmani, Alban Neli e Altin Nikolla kishin lëvizur me shpejtësi në drejtim të tij, por kjo lëvizje e shpejtë ishte vënë re nga polici i qarkullimit rrugor, i cili kishte ndaluar për kontroll. Në momentin e ndalimit, të tre të pandehurit të frikësuar për praninë e policisë, kanë braktisur makinën, duke lënë brenda armët e zjarrit, që do të përdoreshin për të vrarë shtetasin Lulzim Berisha.
Ndërsa në episodin e 5 majit 2005, fati ishte në anën e Lulzim Berishës, pasi atentatorit të tij iu bllokua arma, teksa po tentonte ta qëllonte. Rreth orës 10:30 (5 maj 2005) Lulzim Berisha ishte në shoqërinë e dëshmitarit Isuf Mirina e dëshmitarit tjetër Kujtim J., para lokalit të tij “C’era unë vilta” në Durrës, dhe kjo lëvizje vihet re prej të pandehurit Elvin Hoxhismani, i cili lajmëron të pandehurin Selman Heti që ndodhej aty afër. Ky i fundit menjëherë i afrohet në këmbë shtetasit Lulzim Berisha dhe nga një distancë e shkurtër e qëllon me pistoletë disa herë, duke i shkaktuar atij disa plagë, por njëkohësisht, duke plagosur edhe dëshmitarët Isuf Morina e Kujtim H. të gjendur afër tij me trup. I pandehuri Lulzim Berisha, duke bërtitur nga dhimbja e plagëve, rrëzohet në tokë dhe i pandehuri Selman Heti i afrohet për ta goditur nga afër, por pa rezultat, pasi atij i bllokohet arma. Në këto kushte, si i pandehuri Selman Heti, ashtu dhe i pandehuri Elvin Hoxhosmani, i cili ndodhet më larg tij, largohet, duke shkuar në Tiranë për te baza e organizatës në rrugën “Komuna e Parisit” ku i prisnin Endrit Dokle e Adriatik Coli.
Tentativa e fundit për eliminimin e Berishës ishte ajo me antitank më 30.8.2005, ku gjatë tentativës është plagosur një nga vetë atentatorët. Organizata kriminale e drejtuar nga Endrit Dokle planifikon ta godasë shtetasin Lulzim Berisha me armë të rënda antitank. Për këtë i pandehuri Kujtim Buna krijon disa lidhje në Kosovë. Pas komunikimeve të Kujtim Bunës me shtetasit kosovarë, organizatës i vijnë në Tiranë dy armë zjarri antitank me një përdorim me vlerë 500 euro copa. Këto armë do të përdoreshin për të goditur Lulzim Berishën, por asnjëri prej anëtarëve të organizatës nuk dinte t’i përdorte. E në këto kushte i pandehuri Kujtim Buna u kërkon bashkëpunëtorëve të tij kosovarë, dy shtetas nga Kosova, që të bëjnë të mundur goditjen me antitank të Lulzim Berisha, kundrejt një shumë prej 80 mijë eurosh. Organizatës kriminale i vihen në dispozicion dy të pandehurit Ahmet Ajeti e Osman Karpuzi, të cilët do të paguheshin me vlerën e cituar më lart për vrasjen e Lulzim Berishës. Të pandehurit Osman dhe Ajet takohen me të pandehurin Endrit Dokle, Adriatik Coli, Sardian Sulejmani e Kujtim Buna te rruga “Komuna e Parisit” në Tiranë.

4 vjet
zgjati gjykimi i dosjes në ngarkim të “bandës së Durrësit” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Referuar kësaj kohëzgjatjeje, ky proces është ndër më të gjatët në kohë të zhvilluara në këtë gjykatë. Shkak i kësaj zgjatjeje janë bërë shtyrja e dhjetëra seancave gjyqësore, kryesisht për shkak të mungesave të avokatëve mbrojtës

16 te pandehur
në këtë dosje iu nënshtruan gjykimit për akuza të rënda penale, mes të cilave “organizatë kriminale” dhe “vrasje me paramendim, në bashkëpunim”. Sipas prokurorisë, “anëtar” i “bandës” ishte edhe Bujar Gashi, i cili është duke u gjykuar në një proces të veçuar te Krimet e Rënda

Pretenca e prokurorise
Lulzim Berisha Burgim të përjetshëm

Plaurent Dervishaj Burgim të përjetshëm

Indrit Taullai Burgim të përjetshëm

Endrit Dokle Burgim të përjetshëm

Dritan (Adriatik) Coli 10 vite burg (i penduar)

Kujtim Buna 25 vite burg

Sardian Sulejmani 25 vite burg

Altin Olloni 25 vite burg

Elvin Hoxhosmani 25 vite burg

Alban Neli 25 vite burg

Selman Heti 25 vite burg

Spartak Kalthi 25 vite burg

Altin Nikolla 20 vite burg

Kristian Begu 20 vite burg

Osman Karpuzi 21 vite burg

Ahmet Ajeti 21 vite burg

I penduari
I penduari dhe bashkëpunëtori i Drejtësisë, Adriatik Coli, ka qenë prova “kyç” e Prokurorisë në faktimin e të gjitha episodeve kriminale për të cilat akuzoheshin respektivisht të akuzuarit si “anëtarë” të “bandës”. Gjatë argumentimit të provimit të akuzave përfaqësuesit e Prokurorisë pohonin dje para gjykatës se deklarime, dëshmi të tjera, apo prova materiale të sekuestruara në vendngjarjet e krimeve shkonin në harmoni me ato ç’ka kishte deklaruar Adriatik Coli përpara gjykatës. Të gjitha seancat gjyqësore, në të cilat është marrë dëshmia e të pandehurit Coli, janë zhvilluar me dyer të mbyllura te Krimet e Rënda.

Hakmarrja e Marsel Sotirit
Me vrasjen e Eduart Ongarit, organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha e Klodian Saliu rimerr veten nga shoku i shkaktuar nga vrasja e shokëve të tyre Ilir Xhunga e Arben Paja, por për ta ekzistonte rreziku potencial se Marsel Sotiri e grupimi i tij do të hakmerrej ndaj tyre. Në këto kushte, mendojnë për të vrarë shtetasin Marsel Sotiri, si personin që paraqiste më shumë rrezik ndaj tyre. Për shkak se kishin dështuar një herë më datë 29.10.1998, lidhur me vrasjen e shtetasit Marsel Sotiri, tani mendohej me seriozitet dhe dredhi vrasja e tij.

Karremi, një vajzë për Sotirin
Për të realizuar vrasjen e Marsel Sotirit, organizata kriminale mendon t’i bëjë një pabesi atij, nëpërmjet mashtrimin me anë të një vajze e për këtë u vendos dëshmitarja V.Jaho. Sipas prokurorisë, për këtë arsye Klodjan Saliu krijoi një lidhje miqësie me vajzën. Po sipas akuzës, që në fillim të kësaj lidhjeje Klodjan Saliu kishte si qëllim përdorjen e saj si karrem për të nxjerrë në pritë shtetasin Marsel Sotiri. Pas disa kohësh njohje, Klodjan Saliu ia ofron në bisedë qëllimin e tij. Sipas akuzës, për shkak se vajza fillimisht ka kundërshtuar, Klodian Saliu në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike, derisa ajo iu nënshtrua dëshirës së tij.

ARMAND BAJRAMI/PANORAMA/

 

 
 
 
 

AdetAdet Donemiadet düzensizligi
AdetAdet Donemiadet düzensizligi
Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com