Hyrje » Lajmet » Te ndryshme » DOKUMENTARE »
Nga procesi gjyqësor kundër Kadri Hazbiut
Pyetje: Gjatë kohës që keni qenë kryetar i degës së Sigurimit të Ushtrisë, a keni pasur të dhëna për tradhtarin Mehmet Shehu, nëse po, çfarë të dhënash keni pasur dhe si i keni trajtuar?
Përgjigje: Gjatë kohës që kam qenë kryetar i Degës së Sigurimit të Ushtrisë, nuk kam pasur ndonjë të dhënë për Mehmet Shehun, që e komprometonte si tradhtar. Kur kam ardhur në këtë detyrë, Mehmet Shehu ishte shkarkuar nga funksioni i shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë kohë, ai ishte në detyrën e ministrit të Komunikacionit. Kur jam kthyer nga BS, ishte koha kur zhvilloheshin aktivitete në lidhje me punimin e materialeve të Pleniumit të 8-të të K.Q të Partisë të vitit 1948. Për të na vënë në korrent me situatën, më thirrën në Drejtorinë Politike ku kanë qenë Kristo Themelko, Myzafer Spaho, Pëllumb Dishnica dhe sigurisht për këto problem në atë kohë kërkohej solidarizim me vendimet e Pleniumit të 8-të të K.Q të Partisë. Se cili nga këta më ka thirrur konkretisht, nuk më kujtohet. Në rrugë shtetërore më ka thirrur Nesti Kerenxhi dhe Gjin Marku, i cili kryente funksionet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Nesti më kërkoi që të përpiqesha të zbuloja veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut në ushtri, ndërsa Gjin Marku më njohu me situatën dhe më foli për Mehmet Shehun si person armik, antiparti, antijugosllav dhe ndonjë gjë tjetër që mua nuk më kujtohet. Të dhënat e para për Mehmet Shehun si nxënës i Fultzit i kam marrë kur kam shkuar në Ministri, nuk më kujtohet kur kam qenë kryetar i degës së kundërzbulimit apo zëvendësministër. Më përpara, flitej se kishte qenë një dosje në ngarkim të tij, të cilën e kishin tërhequr në K.Q të Partisë.
Pyetje: Mbas kthimit nga BS a jeni takuar me Koçi Xoxen, në rast se po, çfarë bisedash keni zhvilluar?
Përgjigje: Mbas kthimit tim nga BS, me përjashtim të takimit në shkollën e Dakos, unë nuk jam takuar me Koçi Xoxen.
Pyetje: Për qëndrimin që u mbajt në Pleniumin e 8-të të K.Q të Partisë ndaj Mehmet Shehut, a keni biseduar me këtë ose me ndonjë person tjetër si me Koçi Xoxen, Nesti Kerenxhin etj?
Përgjigje: Për qëndrimin që mbajta në këtë Plenium, unë nuk kam biseduar me Mehmet Shehun ose me personat e mësipërm për të cilët pyetem.
Pyetje: Nëse është dërguar një kopje e raportit vjetor të organeve të Sigurimit të Shtetit në vitin 1949 në Moskë, në rast se është dërguar, si u dërgua, a duhej dërguar dhe a është marrë miratimi përkatës?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të jetë dërguar një raport i tillë, pra, nuk e di, por përderisa dokumentohet se ekziston një procesverbal për asgjësimin e tij, them se kjo nuk mund të bëhej nga unë pa urdhrin e eprorëve.
Pyetje: Ky raport tepër sekret qoftë edhe për t’u shfrytëzuar nga studentët tanë a lejohej pra, duhej të dërgohej jashtë shtetit, qoftë edhe me urdhër të eprorëve?
Përgjigje: Me urdhër të eprorëve, një material i tillë mund të dërgohej dhe unë e kisha për detyrë që të ndiqja fatin e këtij materiali.
Pyetje: Çfarë u bë ky material, si përfundoi?
Përgjigje: Unë nuk e di, por në bazë të dokumenteve që citohen, del që është asgjësuar. Mbajtja e procesverbalit këtu në Tiranë është një veprim i parregullt, sepse duhej të bëhej në vend.
10.11.1982
Pyetje: Si e keni kryer detyrën që u ngarkoi Nesti Kerenxhi, pas Pleniumit të 8-të të K.Q të Partisë në drejtim të përpjekjeve që duhet të bënit për zbulimin e veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut?
Përgjigje: Mbi bazën e kësaj detyre kam porositur vartësit për të vepruar, me qëllim që të diktonin ndonjë aktivitet, komente që mund të ketë pasur në atë periudhë për Mehmet Shehun, por masë konkrete në ngarkim të tij mua nuk më kujtohet, sepse edhe periudha ishte mjaft e shkurtër, fjala është deri tek Plenumi i 9-të i K.Q të Partisë.
Pyetje: Në proceset e mëparshme keni shpjeguar se kur keni qenë me punë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ju ka rënë në dorë një material që bënte fjalë, midis të tjerave edhe për tradhtarin Mehmet Shehu, që kishte qenë nxënës i aftë dhe i preferuar i Harry Fultzit. Gjithashtu, keni qenë në dijeni se në ngarkim të këtij tradhtari ka pasur një dosje për të si element kundërshtar. A e keni informuar partinë për ekzistencën e këtyre materialeve?
Përgjigje: Në Pleniumin e 11-të të KQ të Partisë unë kam dëgjuar se në ngarkim të Mehmet Shehut kishte pasur material, se çfarë ishin, unë nuk e dija. Gjithashtu, në atë kohë kisha dëgjuar se këto materiale ishin tërhequr në KQ të Partisë. Për kohën që kam qenë shef i degës së kundërspiunazhit apo zëvendësministër mirë nuk më kujtohet, më ka rënë në dorë një material, listë emërore me karakteristikë të shkurtër e disa njerëzve që kishin qenë nxënës të preferuar e të dalluar në shkollën amerikane të Harry Fultzit. Midis tyre ishte edhe emri i Mehmet Shehut. Më kujtohet që kjo listë ishte bërë me makinë pa firmë, por nuk di a e gjeta vetë në dosje apo ma dha njeri, kjo nuk më kujtohet. Meqenëse ishte emri i Mehmet Shehut dhe për këto materiale kishte porosi që të jepeshin në K.Q të Partisë, unë e kam dorëzuar në K.Q të Partisë, pa i thënë Mehmet Shehut. Më vonë për këto çështje nuk kam biseduar me njeri deri në vitin 1981, kur para Kongresit të 8-të të Partisë për listën e të dhënat e saj në një rast kam vënë në dijeni Partinë. Por, dua të sqaroj se nuk kam thënë për materialet e tjera që kisha dëgjuar. Në mbledhjen kur diskutohej problemi i shkeljes së vijës së partisë lidhur me luftën e klasave, posaçërisht në drejtim të fejesës së djalit të Mehmet Shehut, unë nuk i ngrita këto probleme: si listën, ashtu edhe çka kisha dëgjuar për materialet, sepse i konsiderova çështje të njohura dhe pa ndonjë vlerë në rastin e dhënë.
Pyetje: I dëgjuat, i pandehur, thëniet e armikes Fiqrete Shehu, se jeni vënë në shërbim të jugosllavëve nëpërmjet Dushan Mugoshës qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe se keni bërë pjesë në grupin armiqësor të kryesuar nga tradhtari Mehmet Shehu. Ç’keni për të thënë?
Përgjigje: Këto nuk janë gjë tjetër, veçse shpifje monstruoze për të dyja problemet.
Pyetje: Dëgjuat edhe atë pjesë të deponimeve të tradhtarit Feçor Shehu, se veç lidhjeve shoqërore e miqësore me tradhtarin Mehmet Shehu, ju ka bashkuar edhe veprimtaria e përbashkët armiqësore që keni kryer kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe vendit tonë. Ç’keni për të thënë lidhur me këtë deponim?
Përgjigje: Edhe ky deponim i Feçor Shehut që unë dëgjova, është një shpifje dhe provokacion prej agjenti; unë s’kam pasur asnjë lidhje me Mehmet Shehun, veç lidhjeve të punës, zyrtare e partie, si dhe lidhje shoqërore normale.
14.1.1983
Pyetje: I pandehur Kadri Hazbiu, dëgjuat pjesë nga deponimi i Nesti Kerenxhit se Koçi Xoxe ju zgjodhi për në aparatin e Sigurimit si njeri që do të mbanit një qëndrim projugosllav. Na thoni cili ka qenë qëndrimi juaj lidhur me bashkëpunimin me jugosllavët në atë kohë?
Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem.
Pyetje: Dëgjuat për të njëjtin problem thëniet e të pandehurit Mihallaq Ziçishti, se armiku Koçi Xoxe kishte simpati të madhe dhe ju mbante afër, se kishit shoqëri të ngushtë me armiqtë Nesti Kerenxhi, Mehmet Shehu etj. dhe se flisnit me admirim për Titon e Jugosllavinë, siç ka ndodhur në rastin e piknikut të Ibës, me këshilltarët jugosllavë e në raste të tjera. Ç’keni për të thënë sa më sipër?
Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem. Këto janë shpifje fund e krye. Ky është proces i montuar dhe i sajuar. 14.1.1982 (vijon)
-
UNE





