Hyrje » Lajmet » Te ndryshme » BEKIM FEHMIU »
Në Broduej artistët shqiptarët, kujtojnë artistin e madh Bekim Fehmiun
BROADWAY – NEW YORK : Në një vjetorin e parë të vdekjes së Bekim Fehmiut, në Broduej – New York, “Producers Club Theaters” i është bërë një nderim i veçantë, duke e kujtuar atë nëpërmjet kujtimeve si dhe është shfaqur filmi “Dezertori” dhe sekuenca me pjesë të tjera nga krijimtaria e tij kinematografike.
Bashkëorganizatorët Luan Bexheti, producent e aktor i njohur nga Tetova që jeton e vepron në SHBA, dhe skenografi e piktori Andis Gjoni, regjizor i njohur, në atdhe e komunitet, ftuan të nderojnë në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të aktorit të madh shqiptarë Bekim Fehmiu, në Broduej – “Producers Club Theaters”, një pjesë të madhe të komunitetit e artistëve shqiptarë, aktorët, producentët, piktorët, skenografët, këngëtarë, muzikan, gazetar shkrimtar e poet, shqiptar dhe kolegët amerikan.
Skenografi e piktori Andis Gjoni, regjizor i njohur, në hapje të kësaj përkujtimore, u tha të pranishmëve, se ata ishin mbledhur në këtë darkë, në Broduej, të përkujtojnë së bashku me artistët shqiptarë, jetën dhe veprën e një artisti të madh shqiptar, një figure të shquar dhe një aktor të jashtëzakonshëm, Bekim Fehmiun, i cili sot një vit më parë u nda nga jeta, tha ai.
Gjoni kujtojë se ai lindi në Sarajevë, u rrit në Prizren, jetoi në Shkodër, u shkollua në Beograd, u bë i famshhëm në Francë, aktroi në SHBA, la gjurmën e tij në Itali, shkëlqeu në Europë dhe prehet sot në gjirin e tokës së tij të dashur, në valët e Lumbardhës që mbajnë shpirtin e tij të bardhë si vetë emri i vendprehjes së fundit.Jetën artistike të aktorit të madh shqiptar , zoti Gjoni e përshkroi prej nga suksesin e parë, që Fehmiu preku me filmin “Takim me ciganë të lumtur” në vitin 1967, më pas realizoi rolin a paharrueshëm të Uliksit në filmin “Odisea”. Kush e ka parë atë interpretim të jashtëzakonshëm, theksoi Gjoni, nuk mund të mos ketë mbetur i mahnitur nga loja aktoriale, nga bukuria trupore, nga thellësia me të cilën e ka trajtuar rolin Bekim Fehmiu. Me temporitmin e përkryer ai të mbërthente duke të krijuar emocione të veçanta. Nuk të hiqet nga mendja vështrimi i tij depërtues, aktrimi i jashtëzakonshëm në krah të të madhes Irene Papas. I barabartë mes të barabartëve, ai shkëlqeu në profesionin e tij.
Sa më shumë kalon koha aq më shumë vlerat e këtij aktori do të ngrihen në sytë tanë. Gjatë viteve të izolimit dhe ndarjes së madhe të trojeve shqiptare ai nuk pati mundësi të aktronte në gjuhën shqipe. Pengu që ai kishte për të luajtur Skënderbeun do ta kemi edhe ne përgjithmonë sepse ai sigurisht që do kishte realizuar një figurë të paharrueshme të heroit. E them këtë pasi Bekim Fehmiu ishte i prerë për role në filmat historikë. Me stilin e tij ekspresiv ngjante më tepër me një mit të epokave të kaluara mbushur me epizmin karakteristik të shqiptarit.
Artistët kujtojnë artistin
Uk Lushi – Shqiptaro-Amerikani i UÇK-s , ish luftëtar i Batalionit “Atlantiku”, publicist dhe shkrimtar solli mes emocioneve edhe kujtimet e tij nga takimi me aktorin e madh Bekim Fehmiu në Prishtinë, ku ai e ka takuar atë 15 vjet më parë, nëprmjet një kumtesë të shkurtër që ai e kishte titulluar “Nulli secundus – Bekim Fehmiu”. Kur në verën e vitit 1995 shkova në atdhe për pushime pata rastin të takohem dhe miqësohem me artistin Bekim Fehmiu. Ju paraqita pasi disa miq më thanë se ishte njeri i vështirë dhe nuk denjonte të fliste me njerëz të panjohur. Ia thashë këtë sapo ju afrova tavolinës ku po rrinte me disa persona të tjerë. Ai buzëqeshi dhe foli: “E shihni, ju po flisni me mua dhe unë po flas me ju; nuk qenkam edhe aq me rrenge- urdhëroni dhe uluni.” Kaq thjeshtë dhe kështu direkt dhe njerëzisht fliste dhe vepronte njeriu, i cili gjatë jetës së tij shkëlqeu prej drrasave të teatrit e deri në majat e Hollywoodit. Njeriu dhe artisti Fehmiu kanë qenë një. Ai ishte shumë i madh për ordinaritetin e jetës. Kujtoj me lumturi rrëfimet dhe këshillat e tij për jetën, lirinë, artin dhe dashurinë njerëzore. E ka pasur një peng të madh- deshi të luante Gjergj Kastriotin. E përsëriste çdo kohë këtë dëshirë të zjarrtë. E pyesja mos ishte i vjetër tashmë të luante rolin e heroit shqiptar dhe ai më fliste për orë të tëra se si aktori i vërtetë nuk njeh moshë, prandaj 25 vjeçari mund të të habisë duke luajtur një 50 vjeçar dhe 50 vjeçari mund të luajë një 25 vjeçar bindës pa asnjë problem. Mbase kjo lehtësi dhe ky eternalitet i metodës së tij aktoreske duhet të kenë qenë dy nga sekretet e madhështisë së tij si ackor. Unë nuk mbaj mend të kem takuar ndonjë njeri në jetën time të deritanishme që të ketë pasur prezencë aq të fuqishme. Rrezatonte magji dhe natyrshmëri të rrallë. Për mua Bekim Fehmiu ishte dhe do të mbetet AKTOR dhe NJERI i JASHTËZAKONSHËM. Ndihem me fat që e njoha edhe fizikisht.
Lushi : I pushoftë shpirti në paqe dhe në shoqërinë e engjujve
Ish- regjisori e skenografi i Televizionit Shqiptarë, Astrit Tota,(piktor) i cili prej vitesh jeton në SHBA, thotë se ndarja nga jeta e aktorit 74 vjeçar shqiptar Bekim Femiu e ka shtangur. Ai kujton duke thënë se “Gradualisht, si në ekran më del para sysh ky artist; kolosi i ekraneve të ditëve që bashkëjetuam; (brilant nëpër interpretimet e përsosura që realizoi) duke vulosur artin dhe gjithçka të vetvetes me zemër të madhe. Zoti Tota, duke vlersuar protretin e tij tha se: “Portreti i Bekim Femiut ishte më se i veçantë, i pa përsëritshëm. Aktori i njohur shqiptar në SHBA, Luan Behxheti, aktori nga Tetova, që ka interpretuar dhe luajtur në disa filma dhe në Broduej, tregon se e ka pëlqyer shumë si person dhe si aktor me famë!”. Unë, thotë aktori i njohur në komunitet, Luan Behxheti, mundohem të bëj një karrierë si ajo që ka patë bërë aktori ynë i famshëm Bekim Fehmiu, por e di se e kam të vështirë dhe kam shumë rrugë të gjatë për të arritur atë, dhe suksesin e tij me përmasa botërore. “Kam pasur rast të luaj në skenë me Uliks Fehmiun, të birin e tij, ku kemi kaluar shumë mirë dhe një rast më bëri shumë të lumtur kur Bekim Fehmiu e kishte marr Uliksin në telefon dhe i kishte treguar se ju kam parë në një televizion të Kosovës, nëpërmjet “Zërit të Amerikës”, duke luajtur me Luan Bexhetin,” Kjo ishte shumë emocionuese për mua!” kishte thënë Bekim Fehmiu.”
BEQIR SINA, New York





