Nga Suedia me dashuri…

 

Albanologu suedez Ullmar Qvick, i ftuar ekskluziv nga Universiteti Europian i Tiranës për të mbajtur disa ligjërata me të rinj studentë, pedagogë, profesorë, e gjuhëtarë rreth marrëdhënieve suedezo-shqiptare, zbulon në një intervistë historinë e tij të gjatë e origjinale të një dashurie krejt të pazakontë me gjuhën, kulturën, traditën dhe…një grua shqiptare.

Z. Qvick, ju ktheheni në Shqipëri pas 16 vitesh. Si e pritët ftesën që Universiteti Europian ju bëri për të mbajtur dy ligjërata për studentët, rreth miqësisë shqiptaro-suedeze?

Kishte kaluar shumë kohë pa ardhur në Shqipëri dhe kur merr të tilla ftesa nxitesh. Jam shumë i kënaqur për pritjen që më ka bërë Universiteti Europian i Tiranës. Ende nuk e besoja që isha këtu dhe po ligjëroja për studentët shqiptarë.

Kam mendimet më të mira për universitetin: modern, bashkëkohor, i pajisur me teknologji, i kompjuterizuar, me një frymë europiane e me staf pedagogësh të nderuar. Më impresionuan edhe botimet e universitetit. Dua të them se ka plotësisht tiparet e një universiteti të vërtetë e serioz. Shoh potencial për zhvillimin e kontakteve me jashtë. Mund të krijohen bashkëpunime mes universitetit këtu dhe në Suedi. Në Universitetin e Upsalës kanë nisur kurset e para të gjuhës shqipe. Nëse studentët shqiptarë tregojnë më shumë interes për studimet në Suedi, do të kenë një lidhje të mirë me universitetin suedez.

Po Shqipëria, sa ju duket se ka ndryshuar prej 1994-ës, kur ju e keni vizituar për herë të fundit?

Shoh që ka bërë shumë përparime, është fshirë vula e primitivizmit nga shumë aspekte. Shoh ndërtesa të reja, zhvillim, kam pasur rastin të shëtis nëpër qytet dhe kam parë ndryshime. Megjithatë, mendoj se trafiku është një çështje ende problematike. Shqipëria ka shumë perspektivë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Keni një pozitë që me kalimin e kohës do të flasë në favorin tuaj, por kjo do të bëhet vetëm kur shteti shqiptar të krijojë një pozitë të fortë ekonomike, sepse ajo vendos respekt. Kur të fitoni më shumë fuqi ekonomike dhe një rrjet të gjerë komunikimi, kur të ketë përfunduar rivaliteti mes partive dhe të vendoset një rend politik për interesat e njerëzve, Shqipëria mund të shndërrohet në qendër për shumë fusha të jetës së njeriut.

Historia e lidhjes suaj me Shqipërinë është shumë interesante. E zbuluat përmes radios. Si qe ky impakt i parë?

Isha një djalë i ri, në vitin 1949, kur dëgjoja valët e Radio Tiranës. Ajo që më bëri përshtypje ishte tingëllimi i shqipes. Ka një tingull të bukur shqipja! Më pas nisa të dëgjoj Radio Shkodrën e Radio Kukësin, më pëlqenin shumë këngët shkodrane. Nisa korrespondencën me radion dhe ata më dërgonin programin. Megjithëse nuk i mora asnjëherë në kohë, nisa të kuptoja se çdo të thoshte: “Dëgjoni çdo ditë” apo “Lajme”. Më bëri përshtypje të mirë sepse ata ma dërguan. Duke dëgjuar emisionet mora një përshtypje të shqiptimit. Nuk është i vështirë krahasuar me gjuhët te tjera. Keni alfabet të përsosur nga Kongresi i Manastirit. Disa prej të folmeve të Shqipërisë së Veriut janë pak të vështira, përfshirë Kosovën. Në krijimet popullore parapëlqej gegnishten, se ka dinamizëm të veçantë, ndërsa toskërishtja ka qartësi të mirë dhe rregulla gramatikore më të fiksuara. Kjo lehtëson mësimin për të huajt.

Po më pas, ç’ju shtyu të vazhdonit të lexonit për Shqipërinë e shqiptarët?

Nisa të lexoj të gjitha botimet që munda të gjeja për shqiptarët. Më dërguan disa botime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Gjermania dhe kështu nisa të studioj edhe më shumë. Më pas mora libra me vlerë nga Shqipëria. Mund të them se edhe kur kisha bërë shkelje kundër regjimit socialist-kam pasur kontakte edhe me Ballin Kombëtar, por u tolerua nga regjimi në Shqipëri- edhe kur më kanë parë me dyshime, më kanë dërguar vepra me vlerë shkencore. Regjimi socialist është treguar korrekt me mua. E kanë ditur që kam bërë gabime, por e dinin se isha mik me shqiptarët. Kështu u pasurua shumë biblioteka ime me librat që mora nga institucione të ndryshme, nga Radio Tirana, Akademia e Shkencave dhe Komiteti për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme. Prof. Dr. Jup Kastrati në Shkodër më dërgoi një buletin shkencor që më ka ndihmuar shumë.

Po kontakti i parë fizik me Shqipërinë si ishte?

Kur erdha këtu, realiteti nuk ishte shumë i ndryshëm nga sa kisha lexuar. I njihja përmes librave disa vende. Bëra disa vizita, në një kopsht ku bisedova e këndova me fëmijët, me pëlqimin e drejtorit. Ndërsa në shkolla nuk pata mundësinë të hyja. Kam parë mjaft nga jeta e njerëzve të thjeshtë. Bëra edhe një udhëtim të jashtëligjshëm në Kavajë – duke qenë se kisha vizë grupi, nuk më lejohej të udhëtoja vetëm – më kapi policia, por u sollën korrekt.

Po në Suedi, si ju shihnin njerëzit kur tregonit kaq interes për Shqipërinë?

Në fillim menduan se isha i krisur. Pastaj kur nisa të shkruaj artikuj, u kënaqën. Ata që merreshin me radio u interesuan shumë për përjetimet e mia me Radio Tiranën, Kukësin e Shkodrën. Por, në fillim të viteve ’90 çështja mori tjetër dimension. Erdhën emigrantë nga Kosova dhe u ndje nevoja e menjëhershme për përkthyes. Më telefonuan nga Zyra e Emigrimit për të krijuar një grup përkthyesish. Zura një pozitë të mirë dhe me leverdi ekonomike. Nëse do e shihja kështu, mbjellja u bë në vitin 1969, ndërsa korrja në vitet ’90. Por, nga ana shpirtërore kam korrur gjithë kohës nga kontaktet me shqiptarët. Sepse interesimi ka shkaktuar miqësi, dashuri, mirëkuptim dhe në asnjë rast nuk kam pasur keqtrajtime nga ana e shqiptarëve. Përkundrazi, kam pasur raste prekëse.

Para disa kohësh disa shqiptarë që jetonin në Norvegji erdhën e më bënë një intervistë për një kanal televiziv. Kam përjetime të bukura edhe nga intervistat me radion e televizionin shqiptar, me dy radio lokale shqiptare në Australi, e-maile nga lexues që kanë lexuar librin tim në Zelandën e Re – dy ish anëtarë të Ballit Kombëtar. Me gjithë shpirt mund të them se kam marrë më shumë se kam dhënë.

Ju keni qenë për shumë vite në krye të shoqatës së miqësisë Suedi-Shqipëri. Si u krijua shoqata dhe si ratë në kontakt me një rrjet njerëzish që interesoheshin për Shqipërinë?

Shoqata u krijua më 1979-ën, e shtyrë më shumë nga arsye politike. Ndoshta unë isha i vetmi me arsye të tjera, më shumë kulturore. Megjithatë, edhe unë kam pasur simpati për regjimin, figurën e Enver Hoxhës. Kishin shumë iluzione atë kohë. Unë kam qenë në kryesi në vitet e para, por jetoja larg dhe e lashë rolin tim. Pati disa probleme me vijimësinë e shoqatës, por në vitin ’90 unë isha i vetmi që kisha pasur si simpati për regjimin, ashtu edhe me dyshime, dhe kisha mbajtur kontakte me njerëz jo komunistë. U bëra kryetar dhe e mbajta të gjallë për shumë vite, derisa u shndërrua në një komunitet në internet. Por tani ka humbur rëndësinë, sepse i mbajmë kontaktet me anë të Facebook-ut. Kemi krijuar një grup për marrëdhëniet Kosovë-Suedi, sepse kemi shumë kosovarë. Ekziston edhe shoqata e rinisë shqiptare me pjesëmarrje nga të rinj nga Kosova, Shqipëria Maqedonia.

Ju jeni edhe përkthyes i disa veprave në shqip. Po këto kohë me çfarë po merreni?

“3 poetë shqiptarë” është një prej librave që do të dalë në ribotim me poezi nga Ismail Kadare, Frederik Reshpja dhe Ali Podrimja. Projekti tjetër që kemi edhe me insistimin e Shefki Osekut, është Antologjia e poezisë suedeze në shqip, me autorë modernë. Doja të sillja diçka me vlerë nga suedishtja, sepse poezia ka vlerë të madhe emocionale. Kam botuar edhe Antologjinë e poezisë shqipe me autorë shqiptarë e kosovarë nga: Fishta, Mjeda, Migjeni, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Kadare, Ali Pordrimja, Din Mehmeti etj. Kjo përzgjedhje është bërë në mënyrë egoiste. Kam përkthyer çfarë më ka pëlqyer mua. Por më vjen mirë se kjo antologji përmendet në Enciklopedinë më të madhe në Suedi.

Gruaja juaj është shqiptare nga Kosova. A mos ndoshta kjo martesë ju bën më shumë shqiptar nga sa e kishit menduar?

Ndoshta! Ne u takuam në javën e kulturës shqiptare në Suedi. Mbajta fjalimin tim me fotografi diapozitive dhe pastaj thashë nëse kishte pyetje nga të pranishmit. Një grua nga fundi më pyeti: “Si jeni bërë albanolog? Si mund të bëhet një person albanolog?”. Nuk e dëgjova mirë pyetjen, por thashë: “Ua, sa e bukur!” Tamam si vajzat në Shqipni. Tipike shqiptare. Tri ditë më vonë u takuam sërish dhe tani kemi 15 vjet bashkë. Kemi edhe një vajzë. Ime shoqe thotë se Zoti vendosi që Ullmari të interesohej për shqiptarët vetëm që të bashkohej me mua.

Suadela Balliu /mapo.al/

Kjo ishte intervista e  Ullmarit për revistën e UE, “Mapo”

 

Ndersa në vazhdim ju sjellim ditarin e albanologut Ullmar Qvick që ka prezentuar për vizitën në Shqipëri.Ditar i shkruar nga vet autori Ullamr Qvick

 

RAPORT NGA UDHËTIMI IM PËR NË SHQIPËRI 28 MARS – 4 PRILL 2011.
(Pjesa e I-rë).
Mjaft me vonesë po shkruaj këtë rrëfim udhëtimi. Menjëherë pas kthimit tim në Suedi u zhyta kryengulthi në aktivitetet e ditës në shtëpi. Përkthimet e karakterit praktik që po kryej vazhdimisht janë si nxitje edhe pengesë në punën
time tjetër me çështje shqiptare, qoftë me karakter kulturor, qoftë në lidhje me marrëdhënieve suedezo-shiptare në plan të gjerë si dhe personal.Tani, kur disi mblodha veten, kam si obligim moral të shkruaj këtë raport. Kam ndër mend të përshkruaj sa më konkretisht ngjarjet gjatë asaj jave të shkurtër si dhe disa përshtypje, më tej tu shpreh falënderimet e mia njerëzve të mirë që më ndihmuan gjatë qëndrimit tim, dhe në fund të përmend diçka nga planet që
dalëngadalë po kristalizohen për veprimtari të mëtjeshme në dobi të marrëdhënieve suedezo-shqiptare. Jam shumë i vetëdijshëm për problemet dhe kufizimet, prapë shembulli i këtij djaloshi i cili flijoi jetën në dëshpërim në
Tunisi dhe ndezi një zjarr që u përhap dhe po përhapet në tërë botën arabe, më bën të mendoj se as individi i dobët nuk është i pafuqishëm, veprimet tonë kanë rëndësi dhe peshë në momente të caktuara.
Së pari ditari i javës:Dita e hënë 28 mars: Udhëtimi jashtëzakonisht i zgjatur filloi në orën 4.30 me taksi për në aeroportin tonë lokal, fluturimi filloi në orën 6.20. Erdha në Kastrup (Kopenhagë) ku prita deri në mbasditë për pjesën e dytë të fluturimit,për në Munih. Duke pritur në Munih rastësisht bisedova me një kolege, përkthyese me banim në SHBA, Dolores Dhimo. Në mbrëmje vonë erdha në Tiranë, ku më pritën Jonida Balla, përfaqësuese e Universitetit Evropean, me kolegun e saj Mirton dhe shoferin e UE. Më sistemuan në Hotel Theranda rreth orës 1 të natës. Dhoma e
shkëlqyeshme, fillimi i mbarë….Dita e martë 29 mars: Pas mëngjesit në hotel mora kontakt me disa miq në Tiranë
përmes telefonit. Radioamatori Sadik (“Dik”, ZA1E) më bëri shoqëri në hotel,ndërsa Jonida Balla më ndihmoi me veturë që të takohem me disa përfaqësues të Universitetit European: Dr. Teuta Dobi, presidente, Dr Tonin Gjuraj dhe Dr.
Fatos Tarifa. Gjatë bisedës më informuan për Universitetin, i cili filloi veprimtarinë e vet në vitin 2006 dhe mban lidhje me njëzet universitete të tjera të botës. Ka 3000 studentë dhe 100 pedagogë, tre fakultete (ekonomi-shkencat
sociale-juridikë). – Bëra shëtitje në lokalet e Universitetit bashkë me Jonidën.
Nga ana tjetër, Tirana më priti me shi të rrëmbyeshëm! Mu kujtua vizita në fshatin Asamat të Prespës (Maqedoni) në fillim të muajit prill 1994, kështu që për situatën thashë si fshatarët atëherë: “Erdha me bereqet”! Me Jonidën mora
kontakt përmes internetit dhe telefonit për planifikimin e mëtejshëm të javës. U ktheva në hotel, për pak pushim, edhe punova me internet, dhe në mbrëmje erdhi radioamatori Fatos Demeti (ZA2G, ex-ZA2FD) për darkë në Restaurant “Era” (Me miq të ndryshëm e vizitova këtë restaurant pesë herë gjatë kësaj jave – falëmnderit
për shërbim, u bëra mysafir i rregullt!) Dita e martë 30 mars: Me Jonidën erdha në selinë e Radio-Tiranës, vend i njohur për mua pas vizitave të mëparshme. Më priti znj. Drita Çiço, monitore e Radios,me të cilën kam pasur një korrespondencë të rregullt me Internet në vitet efundit. U takova gjithashtu me z. Astrit Ibro, përgjegjës për emisionet në gjuhën gjermane. Astriti më tregoi për veprimtarinë e Grupit të dëgjuesve tëRadio-Tiranës në Gjermani, i cili ka financuar dhe prodhuar një seri të bukur kartolinash për të përdorur si vërtetime të raporteve të dëgjimit nga dëgjues
gjerman. Drita, me aftësinë e saj të jashtëzakonshme komunikative, kishtepërgatitur një intervistë për emisionet për botën e jashtme, shqip, me z. DemirGjergji, i cili më kishte intervistuar para disa vitesh përmes telefonit nga Suedia. Intervista u krye me sukses, falë aftësisë profesionale të z. Demir.Pastaj Drita më njoftoi me drejtorin e Radio-Tiranës, z. Martin Leka (edhe zv.drejtor i përgjithshëm i RTSH – Në mbasditë u takova në hotel me mikun tim të vjetër dhe shumë të dashur Estref Bega, drejtor i ndërmarrjes “Botimpex”, me të cilin ndaj shumë kujtime të bukura nga vitet ’90, në Tiranë dhe në Suedi. Erdhi në hotel edhe e reja Drita Shyti, aktiviste për kulturën shkodrane në përgjithësi dhe për turizmin në fshatin e saj Thethi në veçanti. Me Dritën jam njohur përmes internetit, ajo momentalisht studion në Tiranë. U ndamë nga Drita,ndërsa me Estrefin shkova në restaurant …. “Era”, posi.
Dita e enjte 31 mars: Erdha në Universitetin European për të mbajtur ligjëratë në orën 10, mirëpo për arsye të orarit të studentëve ligjërata u vonua me 30 minuta. Tema e ligjëratës: “Marrëdhëniet Shqipëri-Suedi”. Më në fund u mbush salla plotë. Mjaft miq ishin të pranishëm, si dhe disa pedagogë nga UE. Mund tëpërmend znj. Teuta Dobi, Prof.Dr. Emil Lafe, ish-ambasadori i Shqipërisë në Suedi z. Shaban Murati, Dr. Estref Bega . – Në mbasditë në orën 17.00 u mbajt ligjerata e dytë nën kujdesin e Dr. Fatos Tarifës dhe me temë: “Shqipëria dje dhe sot”, me më pak pjesëmarrjes, mirëpo me diskutime të gjalla dhe interesante,sidomos për mendimet që paraqita në lidhje me karakterin e shqiptarit, në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe me karakterin suedez. Pas ligjëratës pata bisedë me znj. Safete Beqiri, e punësuar për organizatën “Gruaja për gruan” në Tiranë që viti 2008, si dhe me përkthyesen znj. Alina Karaulli, e cila merret edhe me letërsinë suedeze. Mbrëmja u zhvillua me darkë bashkë me Alinën (natyrisht në “Era”). Dita e premte 1 prill: Dita filloi herët, që në orën tetë isha në studio të “ORA–News” për një intervistë televizive “live”, për të cilën kishte ndërmjetësuar
znj. Mirela Sula në UE. Ishte një intervistë me gjallëri dhe humor të mirë, dhe disa teleshikues, bile një grua me emrin Leonora nga Suedia, u lajmëruan përmes televizionit. Komentet ishin shumë pozitive për mua. – Me Jonidën, si gjithmonë, pas një pije freskuese në restauranti “Tajvan” me të dhe Mirtonin, erdha në Akademinë e Shkencave, ku na priti Prof.Dr. Emil Lafe. Emili na njoftoi me një grup shkencëtarësh: Akademiku Emin Riza (shkencat shoqërore dhe albanologjike),akademiku Muzafer Korkuti (zv. kryetar, arkeologji) dhe akademiku Jorgo Bulo(historia e letërsisë). – Patëm një takim të përzemërt, më çuditi fakti se
Akademia e Shkencave tani nuk ka marrëdhënie me asnjë institucion shkencor në
Suedi. Nga Akademia dola me një sasi (dhe peshë!) të madhe librash, për të cilët
jam shumë i mirënjohës, sepse Fjalori Enciklopedik që më ofruan ka një vlerë të
jashtëzakonshme për studimet e mia. – Pas dreke i dhashë një interviste për
revistën e UE “MAPO” znj. Suadela Balliu.Ishte kjo intervista që ju prezentuam në fillim
Kur u ktheva në mbasditë në hotel u bë një surprizë: Atje më pritën jovetëm Estrefi por edhe miku ynë i përbashkët z. Xhafër Dobrushi, i cili po atë ditë kishte ardhur nga një konferencë sindikale në Lituani. Dhe të njëjtën ditë
në intervistë te Ora News kisha treguar letrat, kartolinat dhe një telegram, të cilat më kishte dërguar Xhafëri në fillim të viteve ’60 – si drejtor i Radio-Kukësit në atë kohë!! Për këtë nuk dinte gjë Xhafëri, i cili tani me nostalgji pa këtë material nga e kaluara, që kisha sjellë nga Suedia! Jeta ime me shqiptarët ka qenë gjithmonë surrealiste, dhe kjo befasi nuk ishte gënjeshtër megjithëse ngjau më 1 prill! I lamë rehat Xhafërin e lodhur nga udhëtimi, dhe në mbrëmje më mori Sadiku për darkë (lexues i dashur/lexuese e dashur, ju e dini tani ku shkuam.)
Dita e shtunë 2 prill: Në mëngjës një befasi të re: Erdhi vëllau i gruas Meti me autobus nga Prishtina dhe më gjeti në hotel. Ai më përcolli deri pas dreke,pastaj u largua për tu takuar me të afërmit në Tiranë për ngushëllime. Erdhi
Jonida, shkuam te Televizioni Shtetëror për një intervistë. Kjo intervistë u inçizua në një kopsht – koha pas shirave të të dy ditëve të para ishte bërë e bukur shumë. Tekniku – kameramani ishte shumë i përpiktë, fotografoi materialin
tim historik nga radioja shiptare me shumë kujdes. Sipas një teleshikuesi në Suedi, z. Selim Zeneli, intervista ishte shumë e qëlluar, por fatkeqsisht informata për emisionin nuk erdhi, sepse kisha një ditë ndërprerje teknike të
telefonit dhe internetit këtu, pikërisht para emisionit! – Pas intervistës vazhduam rrugën për në Radio-Tirana kur na priti Drejtori, z. Martin Leka, në zyrën e vet. Martini u interesua dhe studioi me kujdes materialet e mia të
ruajtur me fanatizëm gjatë 50-60 viteve! “Ju jeni minierë për historinë tonë” ishte gjykimi i drejtorit. – Drekën e pata me Metin në një restaurant afër “Erës” sepse në “Era” nuk kishte vend fare. – U ktheva në hotel, Meti më la, dhe
pas pak erdhi një ekip radioamatorësh me Fatosin në krye. Në mbrëmje Fatosi shtroi një darkë për mua në restaurantin e bukur “Juvenilia”, bashkë me gruan e tij Zanzibare dhe një e afërme. Ishte mbrëmje shumë e këndshme.
Dita e dielë 3 prill: Rreth orës 11 erdhën Safetja me burrin e saj, Shpendin, për të më çuar në qytetin historik Kruja. Jo pa arsye e kishin zgjedhur Krujën, sepse vendi ka kuptim romantik për të dy – atje Shprendi kërkoi dorën e Safetës.
Edhe për mua Kruja kishte interes të veçantë, në vizitën time atje në vitet ’70 nuk ishin ndërtuar Muzeu dhe godina të tjera me interes, ndërsa në vitet ’90 nuk për fat të keq nuk bëra vizitë në Krujë. Shumë vizitorë kishin ardhur në Krujë
atë ditë të bukur pranvere. U vendosëm në restorantin “Merlika”, një vend i mrekullueshëm malor. – Pas vizitës në Krujë u takova në hotel me Xhafërin dhe Estrefin. Xhafëri kishte pengesa familjare për të vazhduar bisedën, ndërsa
Estrefi me mua pritën diplomatin suedez z. Patrik Svensson, i cili po ajo ditë kishte ardhur nga Stambolli dhe prapë kishte vendosur të takohej me mua. Njeri modest dhe shumë simpatik, erdhi në Shqipëri i akredituar vetëm në tetor, por ai ka përvojë edhe nga Bosnja dhe Maqedonia, dhe ka fituar shumë simpati për Shqipërinë. Ne vazhduam bisedën në restaurant “Era” dhe pasi u ndamë nga Estrefi, e përfunduam bisedën në hotel.
Dita e hënë 4 prill: Lamtumirë në hotel, vend simpatik, i pastër, me të gjitha të mirat. Dy prej recepcionistëve janë bërë miqtë e mi dhe në Facebook… Vetëm fatura e telefonit nga hoteli ishte shok i pakëndshëm, 70 €. Prapë: pse të
ankohem, më pagoi Universiteti udhëtimin dhe hotelin, dhe mikpritja shqiptare gjithmonë e fut vizitorin e huaj në të njëjtën situatë delikate: Rrallë paguajmë për drekë dhe darkë bashkë me shqiptarët, përpjekjet tona refuzohen me
vendosmëri shqiptare!! Kur erdha në Rinas (tani aeroporti “Nëna Tereza”) me Jonidën dhe shoferin e UE Eugen u gjet se bagazhi im kishte 6 kg mbipeshë!
Mirëpo, nëpunësja e mirë në zyrën e Lufthansës ishte shumë bujare: nuk pagova gjë! Fitore për kulturën shqiptare, sepse 10 kg libra nga Akademia e Shkencave bënin punën e saj, isha i gatshëm të paguaj ato 90 € por shpëtova… Rruga
vazhdoi për në Munih, pastaj për Kopenhagë, mbërrita në Norrköping sipas orarit në orën 23.15. Mbaroi një udhëtim i mrekullueshëm, e kreva me shumë sukses (vetëm dy filmat nga aparati analog janë zhdukur…) dhe kujtimet janë të bukura…
Kush e ka mik shqiptarin nuk është i humbur, kjo u vërtetua edhe një herë.
Falënderime:
Në pjesën e dytë të raportit do të shkruaj diçka për përshtypjet nga udhëtimi,si dhe për disa projekte dhe plane që kanë nevojë për shumë kujdes para se tërealizohen.
Tani falënderimet e mia u drejtohen atyre që vijojnë (sipas rendit alfabetik të
mbiemrit):
Sadik Agalliu, radioamator, i cili sa herë kishte mundësi u takua me mua, në hotel dhe për darkë, me biseda të frytshme.
Jonida Balla, shoqëruesja ime besnike nga Universiteti European, e përpiktë, korrekte dhe miqësore. Ai është iniciatorja e vizitës sime.Suadela Balliu, e cila bëri intervistë me mua me cilësi të mirë.Estref Bega, dr., drejtori i firmës “Botimpex”, mik i dashur, besnik. E pashë me shëndet shumë të përmirësuar! Safete Beqiri, përfaqësuese e Organizatës suedeze “Gruaja për Gruan” në Shqipëri, e cila erdhi për ligjeratë dhe bashkë me burrin e saj Shpend më shoqëruan për një vizitë në Kruje. Drita Çiço, monitore e Radio-Tiranës, e cila më priti miqësisht dhe realizoi
emisione dhe takime me vlerë. Fatos Demeti me familje dhe me shokë, për takime të këndshme dhe dashamirësi.
Demir Gjergji, nëpunës i Radio-Tirana, i cili me aftësi profesionale kreu këtë intervistë të dytë me mua.
Astrit Ibro, nëpunës i Radio-Tiranës, i cili më priti miqësisht në zyrën e vet dhe asistoi edhe në lidhje me intervistën në RTSH. Alina Karaulli, përkthyese, për pjesëmarrje në ligjëratë dhe diskutime të vlefshme gjuhësore dhe letrare.
Emil Lafe, prof.dr., shkencëtar i dalluar, modest dhe i thjeshtë, i cili më shoqëroi dhe më dha mundësi të takohem me kolegët e tij në Akademinë e Shkencave.
Patrik Svensson, Chargé d’affaires për Mbretërinë Suedeze në Shqipëri, për dashamirësi të treguar dhe interesim për çështjet shqiptare. Personeli i “Hotel Theranda”, me recepcionistet Marsida dhe Jona, me të cilat pata muhabet të këndshëm në mjaft raste. Edhe personeli tjetër më pritën me shumë respekt dhe mirësjellje.
Punëtorët e RTSH dhe ORA News, të cilët realizuan emisione televizive me stil të këndshëm dhe profesionalizëm.
Mirela Sula, e cila bëri kontakt me televizionin ORA-News dhe më dha librin e saj.
Shkencëtarët në Akademinë e Shkencave, të cilët më pritën bujarisht dhe më dhuruan libra me vlerë të veçantë.
Drita Shyti, studente dhe aktiviste për kulturë, nga fshati Theth i Shkodës, me të cilën jam njohur përmes “Facebook”-ut. Po pres takim më të gjatë me ty!

ULLMAR QVICK: RAPORTI NGA UDHËTIMI IM PËR NË SHQIPËRI 28 MARS-4 PRILL
2011   PJESA E II-TË.PËRSHTYPJE
Vetëm një javë asesi nuk mjafton për një analizë me vlerë. Përshtypjet e mia,kuptohet, janë vetëm sipërfaqësore.
Në Suedi jemi të informuar për korrupcioninnë Shqipëri, për shfaqje të ndryshme negative në jetën politike, nga ana tjetër
nuk jemi shumë të informuar për arritjet e këtij vendi në rrugën e demokracisë,sepse të dhëna të tilla nuk interesojnë shumë mediat tona perëndimore. Sigurisht korrupcioni  dhe shfaqje negative në jetën politike luajnë rol të madh në
shoqërinë shqiptare, nga ana tjetër kush mund të presë që mbeturinat e shoqërisë së mëparshme diktatoriale, bile mund të themi terroriste, do të zhdukeshin menjëherë? Proceset demokratike në Shqipëri filluan para 20 vitesh, dhe pesha e regjimit të mëparshëm monist ishte jashtëzakonisht e madhe. Nuk mund të teproj duke thënë se pasojat psikoshoqërore te njerëzit ishin aq të rënda sa të mbeteshin në shpirtin e shumë individeve për tërë jetën. Shqiptarët kanë jetuar dhe akoma pjesërisht jetojnë me një traumë shpirtërore. A do të presim në një situatë të tillë një vallëzim mbi trëndafillat? Sigurisht se jo. Ramiz Alija sigurisht ka bërë shumë gabime, disa ndoshta mund të cilësohen si krime. Por ai ka një meritë të padiskutueshme: Ai kuptoi me realizëm zhvillimin e shoqërisë, ai nuk u bë shkaktar i një gjakderdhjeje të përgjithshme. Duke ditur mentalitetin e  shqiptarëve jam i çuditur dhe plot admirim se si ky popull nuk u zhyt në luftë civile, me masakra, me anarki shoqërore e morale, se populli kuptoi disi se të gjithe ishin viktima të sistemit! As Enver Hoxha nuk mund të fajësohet 100%, nga njëra anë ai bëri krime monstruoze, nga ana tjetër ishte bërë viktimë e mendimeve paranoide, dhe sigurisht se ai mendoi se ai bëri çfarëishte e nevojshme në situata kritike. Si Stalini, Enver Hoxha ishte bërë viktimë
e vetvetës, viktimë e sistemit që krijoi, me atë pozitë të pakundërshtueshme që kishte; në karakterin e tij u mpleksën elemente të mashtrimit, mizorisë, të idealeve fisnike, të vullnetit të mirë dhe të iluzioneve… Ky është mendimi im për Enver Hoxhën, figurë shumë kontradiktore, që vërteton edhe një herë faktin:Pushteti në duart e një individi të plotëfuqishëm u shkakton dhimbje dhe  vuajtje të panumërta qytetarëve!
Bëra këtë koment mjaft të gjatë për të bërë të qartë se shqiptarët,prapëseprapë, duhet të lavdërohen për qëndrimet e tyre pas rrëzimit të regjimit  kommunist. Tani u rrit një gjeneratë e re pa përvojë nga e kaluara e hidhur, por disa realitete nga ajo kohë ende vazhdojnë. Faktori i brendshëm ishte aq i rëndë për shqiptarët sa ai i jashtëm. Ky sistem monist ishte moralisht-shpirtërisht aq i tmerrshëm sa sundimi i një okupatori të egër. Krahasoni me Kosovën: atje u ruajt dinjiteti, patriotizmi, krenaria, sepse armiku ishte forcë e jashtme, jo e brendshme. Nga ana tjetër, edhe atje hija e sistemit të vjetër edhe sot bie mbi jetën e sotme dhe disi paralizon njerëzit.Përshtypjet e mia nga vizita e shkurtër kanë të bëjnë me gjëra
thjesht konkrete.
Tirana ka nevojë për vende parkimi, shtëpi parkimi, më shumë gjelberim brenda në qytet, parqe për fëmijët dhe trotuare pa gropa!
Këtë koment mund të bëjë çdo vizitor. Edi Rama sigurisht ka bërë shumë për të përmirësuar pamjen e qytetit,
një qytet me bukuri të veçantë, por këto masa nuk mjaftojnë.Mikpritja shqiptare, e përmendur dhe e admiruar nga shumë vëzhgues të huaj, edhe sot është faktor i gjallë. Nga pjesa e parë e raportit tim del qartë se sa e vlerësoj këtë mikpritje, këtë respekt dhe dashamirësi që më rrethoi në Shqipëri.
Për këtë veçori populli shqiptar ka arsye të krenohet: Thuhet me plotë të drejtë se “kush e ka mik shqiptarin nuk është i
humbur”. Karakteri i shqiptarit mund të jetë aq kontradiktor sa historia e këtij populli, por virtytet e tij nuk i mungojnë, siç ka konstatuar një herë
Lord Bajroni!
IDE, PROJEKTE, PLANE
Besoj se shqiptarët në radhë të parë kanë nevojë për iniciativa nga jashtë, të cilat bëjnë nxitje për vetëveprim.
Demokratizimi i plotë i vendit, përmirësimi i jetës politike, masa për të  zhilluar fshatrat dhe qytetet e vegjël, këto janë
elemente politiko-shoqërore  që duhet të përvetësohen pa ndërhyrje nga jashtë.
Nga ana tjetër shqiptarët  kanë shumë për të mësuar nga shtete që kanë pasur zhvillim të madh demokratik
dhe ekonomik, një prej tyre pa dyshim Suedia, vend që u ngrit nga skamja dhe  prapambetja ekonomike-morale-shoqërore në shekullin XX. Zhvillimi i Suedisë u kushtëzua nga dy faktorë kryesorë: veprimtaria e lëvizjeve popullore për
demokratizimin e vendit, si dhe të dy lëndët e para,hekurin dhe drurin, si themel për begatinë ekonomike dhe shpikjet teknike që idhanë famë Suedisë në tërë botën para 100 vitesh.Suedia mund të jetë partnere e Shqipërisë në mjaft fusha të jetës. Roli im nëkëtë mes mund të jetë vetëm ai i  ndërmjetësuesit. Faktori im i fortë është njohuria e gjuhëve, në fusha të
tjera nuk kam njohuri sa mjafton. Me gjithëkufizimet e mia individuale kam ndër mend të veproj në këta drejtime:
1. Të marr kontakt me institucionet e  ndryshme suedeze për të zhvilluar kontaktet e tyre me institucione dhe
individë perkatëse në Shqipëri. Nga vizita ime u bë e qartë se Universiteti  European dhe Akademia e Shkencave janë ndër
institucionet që mund të kenë dobi nga kontakte të tilla me Suedinë.
2. Të bashkëpunoj me miqtë në Shqipëri për të hetuar se si duhet të zhvillohen më tej kontaktet midis Shqipërisë dhe
Suedisë.
3. Të përdor mjetet e komunikimit për të interesuar sa më shumë shqiptarë,sidomos rininë studenteske, për kontakte me Suedinë. Edhe pse mundësitë janë rralluar në vitin e fundit, edhe sot ekzistojnë fonde dhe bursa për ata që duan
të studiojnë në Suedi. Institucione si SIDA dhe Instituti Suedez veprojnë për të futur në veprim projekte të ndryshe zhvillimi jashtë shtetit, dhe një nga vendet e zgjedhura për projekte të tilla është pikërisht Shqipëria.
4. Dihet se individi i rendomtë në raste të tilla nuk është i fuqishëm: Vetëm një Soros ose një politikan i dalluar mund të krijojë projekte me sasi dhe cilësi të madhe. Unë jam njeri i thjeshtë, pa  kapital, me njohuri të kufizuara në shumë çështje shoqërore. As nuk kam një organizatë prapa shpinës për të forcuar pozitën time. Vetëm dy gjëra pozitive  janë në anën time: vullneti i mirë dhe njohuritë e mia gjuhësore. Për atë  arsye kam nevojë për mbështetje nga të   gjithë që kanë vullnet të mirë si unë.
5. Përveç kontakteve me institucionet kompetente suedeze, të cilët do të zhvilloj, kam ndër mend të krijoj një portal në Facebook për marrëdhëniet Shqipëri-Suedi. Një portal tash ekziston nën kujdesin tim për kontaktet Kosovë-Suedi; edhe ky grup duhet të marrë nxitje për veprim konkret, dobësia për organizim duhet të kapërcyhet edhe në këtë rast! Kam
mbledhur në këtë grup 210 anëtar. Por organizimi i mëtejshëm në Kosovë mungon  deri tani.Besoj se me kontakte me rininë studenteske si dhe me intelektualë shqiptarë do  të kemi mundësi bashkëveprimi përmes Facebookit. Koha moderne kërkon mjete komunikime moderne!
6. Një faktor me rëndësi është turizmi dhe vizitat e grupeve suedeze me një synim tjetër konkret, si alpinizmi apo marrëdhënie tjera sportive.
7. Para se të vazhdoj përpjekjet e mia kam nevojë për këshilla konkrete nga miqtë shqiptarë. Ky nuk është projekti im
individual, jam vetëm iniciator. Për sukses duhet të kemi bashkëpunim të  mirë. Do të mirëpres, pra, komentet,kritikat dhe propozimet tuaja.
Sigurisht, në mënyrë modeste, do të krijojmë diçka të mirë, nëse punojmë bashkë, pa u lodhur.