Hyrje » Lajmet » Te ndryshme » DOKUMENTARE »
Shqipëria e vitit 1953 në shënimet e një gazetari suedez
Siç e kam zakon, përpara se të ndërmerrja një udhëtim, pyeta shumë njerëz nga profesione dhe interesa nga më të ndryshmet. Për të gjithë ata, Shqipëria “ishte një vend kusarësh, diku në një cep të Evropës, që nuk e dinin mirë se ku…”. Ky vend u dukej të gjithëve si diçka e zymtë, e dyshimtë, pa rëndësi. Pa kufij të përcaktuar, pa organizim, pa informacion. Kishte vetëm një informacion “quasi romantico” për ca krime sipas zakoneve të lashta dhe thuajse kurrfarë interesi për vendin në përgjithësi. Përkrah Xhon Bullit dhe Daj Samit, ky komb i panjohur dukej si një bandit morracak i tipit të vjetër…
Durrësi
Asnjëherë nuk u jam ngjitur shkallëve kaq shpejt, si sot. Me kollaren në njërën dorë dhe jakën në tjetrën, sulem nëpër shkallë dhe dal në kuvertë, por në anën e gabuar… kam ende veçse një det blu monoton përpara meje. Por, ndërsa nxitoj nëpër sallonin e duhanit që të dal në anën e kundërt të anijes, qëndroj i shtangur. Përballë meje, në anën tjetër të sallonit, nëpër kornizën e ngushtë të derës së hapur, befas më shfaqet piktura e natyrës shqiptare, e paimagjinueshme, mahnitëse. Katër vargmale të zhveshura, me nuanca bojëhiri të ndryshme. Në fund të panoramës, shkëmbinj kryeneçë me formacione të çrregullta në gri të murrme; male kusarësh dhe aventurierësh, më të egra dhe më romantike nga sa kisha mundur të ëndërroja ndonjëherë. Dhe dy shpate të buta bojëhiri të çelët, më tutje dy linja të gjata, në një nuancë të hapët…
Poshtë meje shtrihej qyteti i Durrësit, me shtëpi të thjeshta dykatëshe e një mori çatish primitive. Në skajin tjetër të qytetit, një xhami ngre si me kujdes dhe ndrojë, një shtizë minareje që duket sikur i vjen turp të drejtojë gishtin e vet tregues për thirrje drejt qiellit, në këtë cep të botës Perëndimore. Në të djathtë, shëtitorja anash detit kalon nëpër një plazh të bukur pa mbarim; rërë e bardhë deti, një plazh magjepsës; pa hotele, pa kabina, pa plazhistë. Në anën e majtë të qytetit me zor janë ngjitur shtëpitë deri në gjysmë të rrugës. Në atë breg të madh vetëm një banesë ka arritur të ngjitet deri në majë të kodrës, një si pallat apo si vilë me ngjyrë tjegulle të kuqe. Taraca të mrekullueshme rrethojnë ndërtesën. Në majë të mureve shihen shandanë pompozë. Nëse kjo është një banesë private, i zoti shijuaka një peizazh përrallor; përballë ka vargmalet, dëborën e alpeve, ndërsa ai vetë qëndron mbi detin Adriatik, nga ku mund të shohë lundrimin e anijeve drejt botëve të panjohura. Ai paska një shtëpi, për të cilën duhet të ndihet krenar, një kështjellë në kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit. Një banesë ideale, për një eremit të pasur…
Makina luksoze, shoferë të leckosur
Ndërsa qëndroj aty paksa i mërzitur, vjen në kuvertë bashkëshortja ime dhe së bashku zbresim në tokë. Poshtë platformës së anijes kanë zënë vend një numër i konsiderueshëm përfaqësuesish të popullin shqiptar; një grumbull burrash me xhaketa të grisura dhe me shallvare të gjera, të gjithë me qeleshe në kokë dhe të gjithë me zë shurdhues, të nxirë nga dielli, djem të pashëm që duan të na transportojnë për në kryeqytet. Tirana ndodhet në brendësi të vendit, rreth 30 km prej bregdetin dhe për të shkuar atje, duhet marrë autobus ose taksi. Ata flasin me këmbë e me duar dhe gjithë vetëmburrje tregojnë veturat e tyre. Por, midis shoferëve dhe automjeteve të tyre, mbretëron një kontrast i çuditshëm. Kombinimi i veshjes Lindje-Perëndim i zotërinjve shoferë është për të ardhur keq, ndërsa veturat të befasojnë me elegancën e tyre. Mes këtyre gjendet madje edhe një “kadillak”, jo fort i madh. Shoferët kërkojnë çmime të ndryshme për në Tiranë, por edhe çmimet më të larta, për ne janë në nivel të ulët e modest. I ashtuquajturi qytetërim italian, siç duket nuk ka pasur sukses në këtë pikë. Shoferët shqiptarë vazhdojnë të ruajnë sensin e masës edhe përkundrejt të huajve.
Tirana
Kryeqyteti i mbretit Zog është i çuditshëm, plot me kontraste nga më të çuditshme midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytet i shëmtuar, nëse mund të quhet i tillë ngaqë përbëhet prej shtëpish të ulëta, të thjeshta, por edhe një qytet i bukur, me ringjallje të befta kujtimesh të kohëve të kaluara, me rrethina që të mahnitin dhe me një atmosferë krejtësisht të ndryshme nga kryeqytetet e tjera evropiane. Unë kam dëgjuar në shumë raste që Tirana të cilësohet si një katund i mjerë ballkanas, por ky lloj paragjykimi zbulon fatkeqësisht vetëm mungesën e aftësisë për të ndierë dhe kuptuar se çfarë përbën në të vërtetë joshjen e një qyteti. Nuk janë thjesht godinat dhe rrugët që ia japin qytetit atë. Sikur të ishte ashtu, karakteristikat që përmenda, si edhe emri i bukur e poetik i qytetit, do të dukeshin si një ironi e dhimbshme… janë njerëzit, banorët e Tiranës që ia dhurojnë asaj një forcë magjepsëse të rrallë, thjeshtësinë. Shpesh ata janë naivë, por përherë njësoj, aristokratë dhe simpatikë. Ata ndjehen të gjithë të barabartë, që prej lustraxhiut deri tek shkëlqesia e tij ministri. Kjo është padyshim e vërtetë, sepse, si rregull, në radhë të parë vijnë njerëzit dhe pastaj ambienti ku ata jetojnë, secili gjithashtu i jep qytetit ngjyrimin e veçantë. Unë njoh shumë qytete, dhe jo pak nga ata janë qytete të Ballkanit, ku si godinat edhe njerëzit janë aspak tërheqës, me një përputhje lemeritëse njëra me tjetrën, që të shtyn të imagjinosh se është ambienti që i ka formuar njerëzit, dhe jo e kundërta. Në shtëpitë e këqija të Tiranës, mbas kangjellave të thyera të dritareve dhe xhamave të papastër, madje edhe në ato hotelet e vogla të neveritshme, jetojnë njerëz të mirë e të dashur. Ata mund të jenë të kulturuar, të njerëzishëm, me rroba të pastra, të mira, por mund të jenë edhe fare të paditur, me tesha të grisura e të papastra. Por, ka një dallim të dukshëm midis mënyrës dhe sjelljes së një shqiptari të veshur varfërisht dhe një rreckamani italian apo francez. Është e paharrueshme pamja e një shqiptari të veshur me tesha të vjetra, që e has rëndom në rrugët e Tiranës. Kuptohet menjëherë se ai që të vjen përballë nuk është aspak një rreckaman. Ai ecën me trupin drejt dhe kokën lart, gjë që vërteton se ka gjak luftëtari dhe prejardhje krenare. Ai ka një mënyrë të denjë të sjelluri dhe një njerzillëk të natyrshëm, që edhe në Suedi, në shtresat më të larta, është një dukuri e rrallë. Si duket, në këtë pikë shqiptari ndryshon edhe nga banorët e tjerë të Ballkanit, prandaj për një kohë të gjatë, më shumë se kushdo banor tjetër i Ballkanit, ai është i izoluar prej asaj që ne e quajmë kohë moderne dhe kulturë moderne. Pra, kur unë them se Tirana ka një atmosferë që ndryshon nga kryeqytetet e tjera të botës, nuk janë malet që e rrethojnë, gratë e mbuluara, larmia e veshjeve, xhamitë apo dervishët, që e krijojnë këtë atmosferë. Atë atmosferë unikale mund ta zbulosh vetëm gjatë bisedave miqësore dhe intime me banorët apo në bisedat rreth filxhanëve të nxehtë të kafesë, në një shtëpi private, pas banakut të një dyqani ose në ndonjë restoranti primitiv. (vijon)Sven Auren/botasot/





