Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

Elbasani një qytet i rëndësishëm për vendin

 
Shqipëria e vitit 1953 në shënimet e një gazetari suedez (2)

Elbasani, ky qytet i vogël, i pistë, i dobët ekonomikisht, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore të vendit. Elbasani ka furnizuar me inteligjencë, ka krijuar shkolla dhe ka përgatitur mësues, ka përbërë bazën e Kongresit Gjuhësor të suksesshëm të vitit 1916. Të gjitha këto së bashku i kanë dhuruar qytetit një emër të jashtëzakonshëm mbarë vendit. Kur një shqiptar ndesh një të panjohur diku në pyll apo në fushë, ai e pyet: Kah je bre burrë? Në këtë pyetje me formulim të çuditshëm fshihet jo thjesht një kureshtje për të ditur prej nga vjen i panjohuri,por dhe ku po shkon. “unë jam prej Dibre”,- përgjigjet tjetri, nëse është prej andej. “Jam nga Dibra, në rrugë për Krujë”. Kjo përgjigje përmban mjaft krenari dhe ka rëndësi të madhe për të dy bashkëbiseduesit. Dibra ka një nam të madh porsa i përket guximit, trimërisë, shërbimeve luftarake etj., pra i panjohuri meriton respekt. Nëse i panjohuri do të ishte prej Elbasani, ai do të përgjigjej: “Unë jam prej Elbasani”. Edhe kjo është një përgjigje që ngjall respekt, të bën të mendosh se ai që pyeste është një burrë i ditur, që di të shkruajë, të llogarisë, madje ndoshta ka vizituar edhe shtete të huaja. Por, kjo nuk do të thotë aspak si ai mund të nëpërkëmbet lehtë. Edhe elbasanasit janë, me të drejtë, krenarë për trimëritë e tyre. Vetë domethënia e emrit Elbasan (vend triumfues), tregon se qyteti pranë Shkumbinit e ka kryer më së miri detyrën për të mbrojtur lirinë dhe nderin e tij, në një mënyrë që shqiptarët e kanë për nder…

Jo, ky nuk është ndonjë qytet i bukur. Në krahasim me të, Tirana do të quhej me të padrejtë si një katund i gjorë ballkanik. Me gjithë kontributin kulturor, këtu nuk fryjnë erëra freskuese. Njerëzit duken indiferentë e të nënshtruar ndaj fatit. Ata janë ulur nëpër punishtet e tyre dhe rrahin me përtaci punimin në argjend ose u japin formë pa kurrfarë zelli qelesheve prej lesh deleje të bardhë, rreth kallëpeve të murrme të baltës. Të duket sikur ngado sheh një dembeli melankolike që zvarritet pas gomarëve të lodhur ose duke u rruar në varrezën e xhamisë përpara një copë pasqyre të mbështetur mbi ndonjë gur të plasaritur varri…

Shtëpia e Mbretit

… Duket se mbreti është mjaft i kënaqur në shtëpinë e vjetër të beut, të cilën e ka rregulluar thjesht, por në mënyrë të kulturuar. Kati i poshtëm përmban një sallon të madh me mobilie të veshura me mëndafsh me lule blu, qilima të bukur persianë dhe një komplet të pasur gotash veneciane. Ngjitur me sallonin ndodhet dhoma e ngrënies, në stilin e rilindjes italiane. Një perde ndan sallonin nga dhoma e punës së mbretit, e cila është shumë e gjatë dhe nga forma të kujton një dhomë pune me famë botërore: atë të Musolinit. Njësoj sikurse Duçja, edhe mbreti Zog e ka kuptuar efektin e një dhome në këtë formë dhe e ka vendosur tavolinën e punës në fund të saj. Vizitorit i duhet të ecë disi gjatë, gjë që i duket një milje rrugë, para se të arrijë te tavolina, pas së cilës rri ulur gjithë madhështi sundimtari. Tavolina e punës mbretërore është e gjerë, e madhe, ndërsa karrigia e punës, shpinëlartë, e kurorëzuar me shqiponjën e skalitur dykrenore. Mbas tavolinës gjendet një vitrinë me sende të bukura. Mbi tavolinë gjendet një nënshtresë e madhe meshini, një shishe e bukur me bojë shkrimi, një ndriçues në formën e një shandani të stilit të vjetër, si dhe një bust i Napolonit. Por, mbreti Zog nuk është i vetmi kryetar shteti evropian që mban Napoleonin në tryezën e shkrimit. Madje ai frymëzohet edhe nga një tjetër strateg i shquar ushtarak, që me siguri ushtron më shumë forcë ndikuese mbi të, sesa perandori francez. Në tavolinë është edhe një medaljon me portretin e gdhendur të Skënderbeut. Edhe në nënshtresën e meshinit dallohen qartë tiparet karakteristike të sundimtarit të Krujës, heroit të lirisë së Shqipërisë. Automobilat e mbretit kanë gjithashtu helmetën e Skënderbeut në miniaturë, në parafango. Dhe kur madhëria e tij vishet me uniformë festive, mban dekoratën më të lartë të Shqipërisë së sotme: “Urdhrin Skënderbej”. Skënderbeu është akoma një realitet i gjallë në këtë Shqipërinë moderne. Kur monarkistët në vjersha dhe proza i këndojnë lavdi sovranit të tyre, i bëhen gjithnjë krahasime mikluese me heroin e madhe të lirisë. Kur opozita vazhdon me valën e satirës, bëjnë edhe ata krahasime, shumë më pak të pëlqyeshme për mbretin. Në asnjë vend tjetër, në kohën moderne, nuk është aktualizuar simboli tradicional i lirisë në këtë mënyrë kaq të dukshme, sikurse ka ndodhur me Skënderbeun në Shqipëri. Skënderbeu ka zënë vendin e nderit, përkrah Muhametit dhe Krishtit.

…Vetmia e mbretit të kujton një shtëpi tjetër të rëndësishme në Tiranë: pallatin e nënës mbretëreshë. Ai nuk ndodhet brenda mureve të betonit, por në anën tjetër të xhamisë dhe menjëherë pranë rrugës; një shtëpi dykatëshe në stilin gjysmë arab, që më përpara shërbente si ministri. Pas vdekjes së papritur të nënës mbretëreshë në fillim të vitit 1935, janë varur pëlhura të zeza nëpër dritare dhe në hyrjen kryesore. Zija zyrtare e oborrit në të vërtetë zgjat vetëm gjashtë muaj, por zija familjare, sipas zakonit mysliman, zgjat edhe më shumë. Pesë nga gjashtë motrat e mbretit Zog, të cilat tani banojnë në këtë pallat, nuk pritet që të dalin jashtë të paktën për nja dy vjet. Gjithsesi, ky “burgim” është mjaft i lehtë për ato, në krahasim me atë që mund të godasë gratë e familjeve besimtare në zonat e thellë të vendit. Pas vdekjes së të shoqit, vejusha nuk duhet që të dalë më kurrë prej shtëpie, para se të martohet përsëri, por perspektivat për t’u rimartuar janë mjaft të vogla. Gratë nuk mungojnë aspak në Shqipëri… Nëna mbretëreshë qe forca e tij dinamike, ajo e ndihmoi atë të jetë optimist, i dha atij nerv dhe forcë. Koka e saj e zgjuar dhe forca e vullnetit të patundur kishte hedhur që para vdekjes një shkëlqim legjendar mbi të. Pas hipjes së Ahmetit në fron, ajo vazhdoi në një mënyrë të rëndësishme të influencojë veprimet qeveritare të djalit. Shpifarakët kundër mbretit aludojnë se në të vërtetë, qe ajo që qeveriste Shqipërinë. Padyshim, është e vërtetë që mbreti Zog kishte shumë nevojë për këshillat dhe udhëzimet e saj. Krahas me forcën e vullnetit, duket se ajo ka qenë e pajisur me një perceptim psikologjik të jashtëzakonshëm; i njihte shqiptarët nga brenda dhe jashtë, ua njihte mirë dobësitë dhe vlerat, e këto dituri arriti t’ia transmetojë të birit. Është ky depërtim i mprehtë në psikikën e popullit shqiptar, që shpjegon faktin, se si mbreti Zog mundi të mbante pozitën e vet në të gjitha stuhitë dhe vështirësitë që përballoi. Por, vdekja e nënës ishte një goditje e rëndë për të, prej së cilës thuhet se nuk e ka marrë ende veten. Ajo qe e vetmja anëtare e familjes që banonte me të në vilë dhe pas vdekjes së saj, ai ndihet më vetëm se kurrë. Ndoshta ndjehet edhe i pasigurt. Thuhet se ajo gjithnjë e provonte më përpara ushqimin, sepse helmimi nuk është dukuri e jashtëzakonshme në vendet orientale. (Fund)Sven Auren botasot

 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com