Hyrje » Suedi » PERSONAZHE » Emir Bajrami futbollist »
Bajramit shenon golit e parë për Twenten
Twente, 22 shkurt – Mesfushori kosovar Emir Bajrami nuk ka mundur t’i gëzohet ashtu si do të donte golit të parë me fanellën e Twentes, të shënuar të dielën në barazimin 1:1 kundër NEC Nijmegenit, shkruajnë mediumet suedeze të hënën.
Bajrami 23-vjeçar shënoi golin e vetëm në barazimin e Twentes 1:1, por pas një ore lojë u detyrua ta lëshonte fushën si pasojë e dhimbjeve në shpinë. Ai u nda i zhgënjyer, pasi nuk ka shumë javë që iu kthye fushës së blertë pas një pauze të gjatë shkaku i lëndimit.
“U ndjeva mirë, por për fat të keq u zëvendësova shkaku i dhimbjeve që ndjeva në shpinë. Për këtë u dëshpërova, sepse ndjeva se kam mundur të vendos ndeshjen në të mirë të Twentes”, ka deklaruar Bajrami. “Mora topin nga një futbollist që tentoi të më kalonte dhe isha më i shpejtë se ai. Vrapova një distancë të gjatë dhe arrita të shënoja. Mendoj se ishte një gol i mirë dhe ishte koha të shënoja gol për Twenten”.
Bajrami është shprehur se po ndihet në formë të mirë pas një pauze tremuajshe që e pati pas operimit të gjurit. Ai ka thënë se problemet me shpinën i janë shfaqur edhe në ndeshjen me përfaqësuesen e Suedisë kundër Bosnjë-Hercegovinës.
“Nuk është ndonjë lëndim serioz dhe shpresoj të mos kem probleme në të ardhmen, synoj të stabilizohem edhe më shumë në ekipin bazë”, ka thënë ai.
Bajrami u transferua te kampioni aktual i Holandës në verë të vitit të shkuar nga skuadra suedeze Elfsborg.





