Hyrje » Suedi » PERSONAZHE » SHUQURI SEJDIJAJ-gazetar »
Rinia e fokusuar ne relacionet suedezo-shqiptare
Shoqata rinore suedezo-shqiptare u mblodh të shtunën, më 13 nëntor, në Stokholm në një të ashtuquajtur Ditë ligjëratash. Merrnin pjesë të rinjë e të reja shqiptare nga pjesë të ndryshme të Suedisë si dhe një numër të rriturish. Kjo veprimtari ishte fokusuar në tri tema: ekonomi, politikë dhe kulturë, por pa ndonjë specifikim të veçantë nga këto fusha.
Orator i temës ekonomike ishte Bardhyl Kokalari, ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Stokholm gjatë viteve të 90-ta. Ai u përqëndrua në fushën e bizeneseve në Suedi duke sjellur para të pranishmëve një panoramë të zgjeruar të bizeneseve suedeze ku të rinjët shqiptarë do të mund të gjenin vetveten dhe këto biznese do të mund t´ia afronin vendlindjes.
Orator i dytë ishte Adnan Dibrani,25 vjeç, deputet i parlamentit të Suedisë. Fjala e tij u përqendrua në prezentimin e tij para moshatarve të vet dhe në përjetimet e ambientit të ri punues në parlament. Dardan Dibrani u mirëprit ngrohtë dhe me këtë rast të pranishmit i uruan suksese të mëtejme si deputet i parë në parlamentin e Suedisë me prejardhje shqiptare.
Oratori i fundit ishte albanologu i njohur suedez Ullmar Qvick. Edhe fjala e tij u prit me interesim të veçantë. Qvick solli para të rinjve një pasqyrë historike të shkrimeve suedeze për shqiptarët. U vrejt që koha kishte qenë e shkurtër për gjithë ato gjëra që Qvick kishte menduar të fliste, ndaj në të ndarë shumë të rinjë e të reja shfaqën shpresën që në ndonjë takim tjetër Ullmari të jetë prap prezent për të folur rreth përvojave të tij në realcionet e kulturës suedezo-shqiptare. Për disa çaste Qvick kujtoi të pranishmit për dhembjen që kishte ndjerë nga vdekja e poetit Din Mehmeti dhe me at rast lexoi një poezi të poetit të ndjerë të cilën në suedisht Ullmari e kishte përkthyer në vitet e 70-ta, gjë që poeti nga Gjakova e mori vesh vetëm disa muaj para vdekjes.
Dy nga drejtuesit e shoqatës suedezo-shqiptare, Blerta Hoti dhe Salih Shala njohtuan edhe njëherë të pranishmit për veprimtaritë që shoqata mendon ti zhvillojë në të ardhmen. Ndërkaq aktivistja Edona Sejdijaj informoi shkurtimisht për përvojat e organizatës parpaly Albsvekos dhe mbështetjen që kjo organizatë u jep të rinjve.
Të gjithë ata që duan të mësojnë diçka më shumë për SAUF, shoqatën rinore suedezo-shqiptare mund të futen tek kjo adresë: www.svenskalbanska.se
nga Shuquri Sejdijaj /KOSOVALBANER.COM/





