Llumnica mendon për zejen e trajnerit
Ish futbollisti i Prishtinës, Xhevdet Llumnica, që një kohë është si futbollist aktiv në Suedi, tashmë mendon edhe për zejen e trajnerit. Ai gjatë edicionit të fundit të ligës së dytë suedeze tregoi lojëra mjaft të mira me klubin Assyriska, por nuk i realizuan synimet që të inkuadrohen në elitën e futbollit.
Llumnica sulmues i shkathët gjatë këtij edicioni shënoi 11 gola dhe ka qenë ndër protagonistët në shumë ndeshje për pikët që fitoi skuadra e tij.
Llumnica para pak ditësh firmosi kontratën trevjeçare me klubin e ligës së tretë, Bunkeflo. Klub me të cilin më parë ishte provuar edhe futbollisti i Prishtinës, Astrit Fazliu, por nuk gjeti gjuhë të përbashkët.
Llumnica tha se shkuarja në klubin e ri më shumë ka të bëjë që të shkollohet edhe si trajner, sepse të ardhmen do t’i përkushtohet kësaj zeje. “Sigurisht se në klubin e ri që kalova ishin edhe arsyet e mija. E para, kushtet e mira. E dyta, prioritare është për mua të nisi shkollimin për trajner, për shkak se në këtë klub më premton më shumë koha. Besoj se do të kaloi mirë në këtë mjedis sikurse në klubin Assyriska”, tha ai.
Sulmuesi prishtinas me klubin e ri ka synim që edicionin e ri të luftojnë që të ngjiten një rang më lart. 31 – vjeçari e sheh si klub mirë të organizuar dhe me ambicie të mëdha. Në pyetjen tonë se Assyriska nuk e realizoi qëllimin që të hyjë në elitë, ka qenë zhgënjim apo? “Sigurisht se jemi të gjithë të zhgënjyer në klub. Tri vite më radhë kemi tentuar të hyjmë në elitë, por ja nuk e arritëm këtij qëllimit. Mirëpo, në shumë ndeshje fati ishte kundër nesh dhe kështu që kemi humbur disa pika, të cilat edhe ishin të kushtueshme për klubin”, theksoi Llumnica. Ai shtoi: “Për katër vjet sa isha pjesë e klubit Assyriska vërtet kalova çaste të mira dhe u jam mirënjohës drejtuesve të saj”.
Ai tha se nuk e di as vet se kur do t’i rreket zejes së trajnerit, por as kur do të përshëndetet nga loja aktive.
“Nuk e di edhe sa do të luajë futboll aktiv. Jam në formë të mirë, por një ditë duhet të mendojë të përshëndetem nga loja aktive dhe të jem trajner në ndonjërin nga klubet në Suedi apo gjetiu. Tash për tash mendoj si të përgatitem më mirë si futbollist për edicionin e ri, ndërsa të ardhmen shohim e bëjmë”, shprehet ish sulmuesi i Prishtinës.





