Jesper Jansson:Adriani Gashi ka një vlerë të jashtëzakonshme
Ardian Gashi ishte njëri prej futbollistëve më të mirë të Helsingborgut në sezonin që përfundoi të dielën. Futbollisti kosovar ia siguroi këtij ekipi vendin e dytë, por edhe finalen e Kupës së shtetit.
Mirëpo, e ardhmja e mesfushorit kosovar nuk është e sigurt në Suedi. 29 vjeçari, edhe pse ka kontratë edhe dy vjet me nënkampionin e ri të Suedisë, mund të kthehet në Norvegji për motive personale.
“Nuk dëshiroj të flas për jetën time private. Ne e kemi përpara ndeshjen finale të Kupës. Do të flasim pasi të përfundojë sezoni komplet”, ka thënë Gashi për gazetën suedeze Helsingborgs Dagblad.
Kjo e përditshme mëson se familja e futbollistit jeton në Norvegji, bashkëshortja e tij punon atje, kështu që gjakovari mund të rikthehet në vendin të cilin e përfaqëson që nga vitit 2004, Norvegji, pasi ndien mall për gruan dhe për fëmijët e tij.
“Është e vërtetë që kemi diskutuar shumë herë gjatë sezonit. Shpresë e jona është që familja e tij të transferohet këtu në Suedi, por të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Ajo që është e qartë është se futbollisti ka kontratë trevjeçare me ne”, theksoi drejtori sportiv i Helsingborg, Jesper Jansson.
Menaxhmenti i Helsingborg po shpreson që ta gjejë një zgjidhje për Gashin dhe familjen e tij, në mënyrë që lojtari me përvojë ta vazhdojë karrierën e tij në Suedi.
“Adriani ka një vlerë të jashtëzakonshme për skuadrën dhe do të mbetet njëjtë i rëndësishëm edhe në të ardhmen, nëse qëndron këtu. Ai ka një qëllim fituesi dhe natyrisht ka mbetur i zhgënjyer që nuk e ka bërë një gjë të tillë në të kaluarën”, tha në fund Jansson.





