Hyrje » Suedi » PERSONAZHE » Emir Bajrami futbollist »
Emir Bajrami: Ibra më thërret “Shiptari”
Një ndër talentet më të mëdhenj kosovarë në dekadën e fundit, padyshim se është edhe mesfushori i Përfaqësueses suedeze dhe skuadrës holandeze, Twente, Emir Bajrami. 22-vjeçari i lindur në Kosovë, në një intervistë për “Sport” zbulon shumë gjëra rreth karrierës dhe jetës së tij. Ai aktualisht është i lënduar, ndërsa pret t’iu kthehet fushave të gjelbra vetëm në muajin janar të vitit të ardhshëm. Ai u lëndua në Ligën e Kampionëve ndaj Tottenhamit, pas një dueli me mesfushorin kroat të londinezëve, Luka Modriq.
Atë ndeshje, Tottenhami e fitoi 4:1 në Londër. “Fatkeqësisht pësova një lëndim, i cili ma ndali hovin disi. Gjithsesi tashmë jam drejt riaftësimit ndërsa gjatë janarit do të kthehem në shërbim të Twentes. Tash e disa ditë jam duke kryer stërvitje të lehta”, u shpreh Bajrami të enjten për “Sport”. Ai mbetet optimist se që në stinorin e tij të parë do të shpallet kampion me skuadrën e tij të re. “Të gjithë në Twente më kanë pritur shumë mirë. Dallimi në mes Kampionatit suedez dhe atij holandez është shumë i madh.
Twente është në rrugë të mirë që të shpallet kampione. Jam i bindur se edhe sivjet do ta mbrojmë titullin e fituar stinorin e kaluar. Kemi skuadër të re dhe me perspektivë”, shtoi Bajrami, i cili në verë të këtij viti u transferua në Twente nga skuadra e elitës suedeze, Elfsborg, për 3.5 milionë euro. Twente këtë stinor është pjesëmarrëse edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Ata bëjnë pjesë në Grupin A, së bashku me Interin, Tottenhamin dhe Werder Bremenin. “Është grup shumë i vështirë. Puna e kualifikimit është çështje fati, ne do ta japim maksimumin në mënyrë që të kualifikohemi tutje”, tha Bajrami. Pas katër ndeshjeve në grup, Tottenhami udhëheq me shtatë pikë aq sa Interi, ndërsa Twente është e treta me pesë pikë. Grupin A e mbyll Bremeni me dy sosh.
Ibra’ më thërret “Shiptari”
Bajrami zbulon edhe miqësinë me yllin e futbollit botëror, Zlatan Ibrahimoviq. “‘Ibra’ e di që jam shqiptar dhe gjithnjë më thërret “Shiptari”. E kam shumë mik. Ai është njeri shumë i thjeshtë. Shpesh në media shkruhet se është provokativ, mirëpo në realitet nuk është ashtu”, deklaroi Bajrami./gazetasport/





