Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

Albert Bunjaki flet për ngjarjet e fundit në futboll

 

Derisa Serbia vazhdon të frikësohet se përfaqësuesja e Kosovës mund të merr pjesë në kualifikimet për kampionatin botëror ‘Brazili 2014’, disa shtete tjera janë duke u brengosur për diçka tjetër.
Disa shtete të huaja kanë filluar të brengosen për të ardhmen e lojtarëve të kombëtarëve të tyre, që kanë prejardhje nga Kosova. Shtetet e tilla po frikësohen se mund të braktisen nga lojtarët me prejardhje nga Kosova, menjëherë pasi kjo e fundit të pranohet në FIFA dhe UEFA.

Rasti i fundit është me Malin e Zi, kombëtarja e të cilit vend ditëve të fundit po përjeton panik nga frika se sulmuesi i saj, Fatos Beqiraj mund t’i kthehet Kosovës, menjëherë pasi kjo e fundit të anëtarësohet në familjen botërore të futbollit.

Sikurse Mali i Zi edhe disa kombëtare të shteteve tjera kanë arsye të frikësohen se mund të mbesin pa lojtarët e tyre me prejardhje nga Kosova.

Njëra ndër to është edhe përfaqësuesja e Zvicrës, në të cilën aktivizohen Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Albert Bunjaku dhe shpejt këtij ekipi mund t’i bashkohen edhe vëllezërit Taulant e Granit Xhaka, etj. Po ashtu, për Suedinë luan Emir Bajrami dhe të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe Labinot Harbuzi, derisa ngjyrat e Finlandës i mbrojnë Shefki Kuqi dhe Përparim e Mehmet Hetemaj.

Këta janë vetëm disa nga lojtarët e shumtë kosovarë që luajnë për kombëtare të huaja dhe të cilët kanë të drejtë t’i kthehen përfaqësueses së Kosovës, posa kjo e fundit të ndërkombëtarizohet.

Por, selektorit kosovar, Albert Bunjaku, nuk i intereson fare se a frikësohen apo jo kombëtaret e huaja për këtë arsye. Ai është shumë i prerë. Bunjaku thotë se të gjithë ata lojtarë do t’i ftojë në përfaqësuesen e Kosovës.

“Po, të gjithë ata do të ftohen. Menjëherë pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA do t’ua dërgoj ftesat të gjithë atyre futbollistëve që luajnë për kombëtare tjera, por edhe atyre që nuk luajnë për përfaqësuese tjera. Më pas varet nga vullneti i tyre se duan t’i bashkohen Kosovës apo jo. Por, obligim i imi është që ata t’i ftoj dhe një gjë të tillë do e bëj”, deklaroi Bunjaku për Express.

Madje, Bunjaku tregon se me lojtarë të tillë është në kontakte të vazhdueshme. Sipas tij, atyre futbollistëve u rrah fort zemrat për përfaqësuesen e Kosovës.

“Me rreth 90 për qind të tyre jam në kontakte të vazhdueshme. Kurse me pjesën tjetër të tyre kontaktoj nëpërmjet njerëzve të ndryshëm. Ata për Kosovën kanë nostalgji, patriotizëm dhe motiv të madh, madje ndoshta të tepruar, saqë nganjëherë edhe nuk i kuptoj, sepse ka prej tyre që kanë lindur jashtë Kosovës, derisa për atdhe kanë nostalgji shumë të madhe”, tha Bunjaku duke qeshur.

Por, për t’i shpeshtuar kontaktet me lojtarët kosovarë në mërgatë, Bunjaku ka një strategji. “Duhet të hapen të paktën tri zyra nëpër Evropë, për shembull një për shtetet skandinave, një në Gjermani dhe një tjetër në Zvicrës. Do të ishte mundësi e mirë për t’i vëzhguar lojtarët dhe për të qenë sa më afër tyre, sepse ata kanë nevojë të njoftohem për zhvillimet rreth Kosovës në të gjitha aspektet”, theksoi ai.

Përzgjedhësi kosovar është i bindur se Kosova do ta ndërtojë një përfaqësuese konkurrente për kombëtaret e tjera.

“Vërtet kemi potencial të madh. Përpos këtyre yjeve, kemi edhe shumë lojtarë të rinj që brenda një apo dy vitesh do të bëjnë emër në futbollin evropian. Sikur t’i kombinonim yjet me lojtarë të tillë të rinj, do ta bënim një ekip të fortë dhe përfaqësuesja kam përshtypjen se do të jetë shembull për vendet e tjera”, vazhdoi Bunjaku.

“Po bëjmë punë të mirë në këtë drejtim. Dita-ditës po e bëjmë nga një hap të mirë përpara dhe do të vazhdojmë kështu. Jemi duke e bërë një bazë të fortë të përfaqësueses dhe jam më se i kënaqur”, pohoi ai.

Bunjaku foli edhe rreth futbollistëve kosovarë, të cilët prej vitesh luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë. “Kjo çështje do të zgjidhet vetvetiu me kalimin e kohës. Por, dua të theksoj se për fat të mirë ka shumë futbollistë shqiptarë cilësorë nëpër Evropë, saqë Shqipëria dhe Kosova kanë mundësi që me ta t’i ndërtojnë nga dy përfaqësuese të forta, e lëre më nga një”, përfundoi ai.

 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com