Hyrje » Suedi » PERSONAZHE » Emir Bajrami futbollist »
Bajramin e motivon pankina
Mesfushorin kosovar Emir Bajrami nuk e brengos fakti që ndeshjen e fundit te Twente e nisi si zëvendësues. Reprezentuesi 21-vjeçar i Suedisë, në ndeshje me Utrechtin, të cilën Twente e fitoi me rezultat 4:0, luajti vetëm në nëntë minutat e fundit. Twente është kampione ne fuqi e Holandës.
“Në tri prej katër ndeshjeve të zhvilluara deri më tani isha në ekipin startues. Por me Utrechtin isha në pankinë dhe ndihesha pak i mërzitur që po qëndroja aty. Por, kështu e ka futbolli. Me rëndësi është që ekipi fitoi bindshëm”, ka thënë Bajrami, shkruajnë të martën mediumet e Suedisë.
“Nuk mora asnjë shpjegim nga trajneri se për çfarë arsye isha në pankinë. Në fakt, as që kërkova një gjë të tillë. Ndoshta ka menduar se ka alternativa më të mira dhe kjo është e tëra”.
Emir Bajrami në Twente kaloi para dy muajsh nga skuadra suedeze Elfsborg.
Ai thotë se lënia në pankinë e ka motivuar të punojë më shumë për tu rikthyer në ekipin bazë.
“Do të angazhohem edhe më shumë që ta kthejë vendin e startuesit.
Nuk jam mësuar të jem zëvendësues dhe as që dua të mësohem. Aspak nuk jam i brengosur për të ardhmen time. Jam shumë i lumtur në Holandë. Po përparojë çdo ditë e më shumë dhe kjo është e rëndësishme”, ka shtuar Bajrami.
Bajrami është grumbulluar me Përfaqësuesen e Suedisë për ndeshjet e para të eliminatoreve të Kampionatit Evropian të vitit 2012. Ai pritet të jetë startues në ndeshjet me Hungarinë (3 shtator) dhe San Marinon (7 shtator). Suedia bën pjesë në grupin E.
“Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme jo vetëm për mua, por për komplet ekipin. E kemi forcuar ekipin me disa rezultate pozitive kohët e fundit dhe kështu duam të vazhdojmë”, u shpreh Bajrami.





