Hyrje » Norvegji » Intervista » Kamer Qaka-futbollist »
Dy ëndrrat e Qakës: Barcelona dhe Kosova
Mesfushori kosovar, Kamer Qaka, pohon se do t’i plotësohet ëndrra nëse një ditë do të jetë pjesë e skuadrës së njohur spanjolle, Barcelona, zyrtarët e së cilës tashmë ka shprehur interesimin për të. Pas takimit që të premten ka pasur me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lutfi Hazirin në Prishtinë, 15-vjeçari ka pohuar se po punon që ky interesim të shtohet dhe një ditë të përfundojë në “Camp Nou”.
“Akademia e Barcelonës ka shprehur interesim, por edhe shumë skuadra tjera të mëdha evropiane. Të shohim në të ardhmen se si do të rrjedhin gjërat. Nuk e di se ku do të përfundoj, por me kënaqësi do të luaja një ditë për Barcelonën. Menaxheri im është vazhdimisht në kontakt me drejtuesit e Barcelonës”, ka thënë Qaka.
Kamer Qaka ka lindur në Grabovc të Pejës, ndërsa në Norvegji jeton nga viti 1998. Karrierën e ka nisur në moshën gjashtëvjeçare në klubin e vogël norvegjez, Brandbu, ku qëndroi deri në verë të vitit të kaluar. Nga Brandbu u transferua në Valerenga. Ai stërvitet me ekipin e parë të Valerengas, ndërsa luan me ekipin e dytë dhe me të atë grup-moshave më të reja. Po ashtu luan edhe për Përfaqësuesen U-16 të Norvegjisë.
Qaka llogaritet si një ndër talentet më të mëdhenj në futbollin norvegjez, por synim i tij është të përfaqësojë Kosovën një ditë në garat ndërkombëtare.
“Jam i gatshëm të luaj për Përfaqësuesen e Kosovës, pasi Kosova është vendi im dhe me plot krenari do të veshja fanellën e Kosovës. Dëshira ime është që të luaj dhe t’i ndihmoj shtetit tim”, ka shtuar Qaka.
Mesufshori i talentuar më 11 prill të këtij viti, në ditëlindjen e 15-të firmosi kontratë profesionale me Valerengen. Kështu u bë lojtari më i ri në Norvegji që firmosi kontratë profesionale. Ai ka firmosur për dy vite e gjysmë. Debutimi me skuadrën e parë pritet të ndodh pas një viti. Kështu mendon ai.
“Kam nënshkruar kontratë profesionale me Valerengan. Pas pushimeve unë do të stërvitem me ekipin e parë, por ndeshjet do t’i zhvilloj me juniorët e kësaj skuadre. Debutimi im në skuadrën e parë pritet të ndodhë pas një viti, pasi mosha që kam nuk ma lejon të luaj”, ka thënë Qaka.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka vlerësuar lart talentin Qaka duke shpresuar që një ditë do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.
“Kameri është shembulli më i mirë i talenteve që ka Kosova edhe pse jeton jashtë dhe luan në Norvegji. Me lojën e tij dhe performancën që ka treguar presim që në të ardhmen të jetë në Përfaqësuesen e Kosovës”, ka thënë ministri Haziri.





