Hyrje » Lajmet » Te ndryshme » BEKIM FEHMIU »
Fehmiu: Ku ka shkelur këmba ime, ka qenë Shqipëri
Intervista e vitit 2001, kur aktori i famshëm, Bekim Fehmiu
kishte shkelur në Shqipëri pas 31 vjetësh, së bashku me bashkëshorten Branka, si i ftuar në spektaklin e Vera Grabockës “Dua më shumë Shqipërinë”…
Pas 31 vjetësh është kthyer në Shqipëri aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, shumë i njohur në skenën dhe ekranet ndërkombëtare, partner i aktoreve të shquara si Ava Gardner, Klaudia Kardinale apo Irene Papas.
I ftuar nga zonja Vera Grabocka për të nderuar spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë”, ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij zonja Branka Petriç – Fehmiu edhe ajo aktore, që shkelte për herën e parë tokën, aq shumë të dëshiruar të burrit dhe djemve të saj.
Pas 56 vjet karrierë artistike të suksesshme, ai falënderon publikun shqiptar për emocionet e këndshme që i kanë sjellë artistit, që për vite të tëra u ka shkaktuar emocione të fuqishme të tjerëve, fatkeqësisht në gjuhë të huaj dhe asnjëherë në gjuhën shqipe.
Dhe për këtë, ai guxon të qortojë vetveten, duke folur gjuhën e nënës së tij, që ai e vlerëson shumë.
Nga skena e spektaklit të Pallatit të Kongreseve ai ka vlerësuar shumë femrën shqiptare, të personifikuar tek zonja Vera Grabocka duke e përcaktuar atë si “një fuqi të madhe kulturore, botërore”.
Kjo më shqyti për ta takuar menjëherë pas koncertit, së bashku me të shoqen, që ishte e mrekulluar nga mikpritja shqiptare.
Zoti Bekim, si ndjeheni në Shqipëri?
Bekim Fehmiu: Unë ju them se, ku ka shkelur këmba ime, ka qenë Shqipëri. “S’ka gjë më të fuqishme se dashuria” ka thënë Bethoveni i madh. Ndaj, edhe unë me dashurinë për Shqipërinë në zemër e në shpirt kam qenë në çdo hap e në çdo vend ku kam shkuar. Kudo kam dashur të lë gjurmët e mia si shqiptar, që edhe kur të mos jem në jetë të ketë mbetur vepra ime. Dhe për këtë, së pari duhet të falënderoj nënën time.
Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?
Bekim Fehmiu: Me sa duket fati im ka qenë që çdo 30-31 vjet të jem në Shqipëri. Për herë të parë kam qenë në vitin 1939 së bashku me familjen time, dhe pas 10 vjetëve më 1949 jam kthyer në shtëpinë time në Kosovë. Në vitin 1972 kam qenë i ftuar nga Pirro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti si mysafir në Kinostudion “Shqipëria e re”. Falënderoj gjithashtu edhe Ramadan Sokolin, që më ka falur një kasetë magnetofoni me incizime të interpretimeve të Aleksandër Moisiut dhe të librit “16 shekuj”, që fillon me kapitullin “Njihe vetveten”. Dhe unë e njoha vetveten nëpër botë duke filluar nga shekulli III me inxhinierin e parë në historinë e Evropës, fotografia e të cilit gjendet në monedhën 20 shilinga austriake, deri tek mjeshtrit që kanë ngritur Pjacën San Marko në Venedik apo Taxhmahallë. Por, çfarë kemi bërë për veten tonë këtu në Shqipëri? Mos e keni dëgjuar Bekim Fehmiun në ndonjë nga filmat e tij të flasë shqip? Jo. Unë tani po përsëris në shqip poezinë e flamurit:
“O flamur gjak, o flamur shkabë
O vend, o vatër, o nënë e babë.
Lagur me lot, djegur me flakë
Flamur i madh për vegjëli”.
Sa e kini ndjerë peshën e faktit që keni interpretuar gjithmonë në gjuhë të huaj, kur në dejet tuaja rrjedh gjak shqiptar?
Bekim Fehmiu: Pikë së pari Bekim Fehmiu është shqiptar dhe ai, dashje pa dashje këtë emër e merr me vete, kudo. E kam pas një babë të mençur që më ka dhënë dy këshilla; E para: “Nuk ekzistojnë popuj të mirë e të këqij, religjione të mira e të këqija, por ekzistojnë vetëm njerëz të mirë e të këqij”. Dhe e dyta: “Në qoftë se nuk e do popullin tënd nga i cili rrjedh, me të gjitha të metat, marrëzirat apo të mirat që ai ka, nuk mundesh me dashtë askënd”.
Po, si ia ka mbërritur Bekim Fehmiu të fitojë këtë famë e sukses në kinematografinë e huaj?
Bekim Fehmiu: Nuk ka qenë aspak e lehtë. Ju duhet ta dini se jam i pari shtetas nga të gjitha shtetet lindore, komuniste, që nuk kam pranuar ta ndërroj emrin tim shqiptar. Kam qenë në Romë për xhirimet e filmit “Aventurierët”, pas pesë javësh xhirimi më thërrasin dhe më urdhërojnë të ndërroj emrin. “Jo, – u them prerë, – ky është emri im dhe unë vetëm me këtë emër do të punoj, në qoftë se nuk pranoni ju, unë e prish kontratën e filmit me ju…” Atëherë pata ndërhyrje e presione nga më të ndryshmet, pasi u shkaktoja shumë dëme financiare po të largohesha nga xhirimi, sepse ishim në mes të filmit dhe ai duhet të përfundonte sa më parë. Kështu, ata u detyruan të më imponohen me emrin tim shqiptar.
Çfarë do të veçonit nga karakteristikat e shqiptarit, cilat janë ato që ju i vlerësoni më shumë?
Bekim Fehmiu: Krenarinë, vendosmërinë dhe shpirtin e paepur. Po ju tregoj një shembull nga jeta ime artistike. Kam qenë me xhirime në Itali dhe isha vendosur në “Grand Hotel” në Romë. Aty ishte edhe i madhi Çarli Blludon, që shëtiste çdo natë me yjet e kinematografisë. I kishte bërë përshtypje mungesa ime dhe më kishte kërkuar, por unë atëherë në kohën e lirë studioja gjuhën angleze dhe nuk kisha kohë, megjithatë, për këmbënguljen e tij i lë takim në orën 16:30. Jam shumë korrekt në orar dhe shkova pak minuta para orarit, dhe e prita në holl. Kaluan 10, 30 minuta, kaloi një orë, dy orë dhe unë më në fund nuk durova. I shkrova një letër ku i thosha se, koha ime e lirë kishte kaluar dhe unë nuk kisha më tepër se dy orë kohë për të. Të nesërmen ai më kërkon të falur dhe më lutet për ta pritur në një tjetër ditë, por unë, siç iu thashë, nuk kisha më kohë e iu përgjigja: “Unë ju respektoj, por ajo ishte dita ime e vetme e lirë”. Doja që gjithkush të respektonte vendimet për lirinë time, për jetën time. Kështu që u desh të kalonin shumë muaj deri në Krishtlindjet, kur unë, së bashku me gruan time Branka isha në Bogota, dhe zoti Çarli organizoi një pritje madhështore për ne, ku na mbuluan me peshqeshe. Dhe gjithçka ia dedikoj krenarisë sime dhe punës së palodhur e cilësore, që u ka imponuar të gjithëve respekt.
Intervistoi: Kozeta Zavalani
Po ju, zonja Branka, si ndjeheni, që jeni për herën e parë në Shqipëri ?
-
- Së pari dua t’ju them se jam shumë e lumtur që jam në vendin e origjinës
së burrit dhe njëkohësisht të djemve të mi dhe që morra pjesë në koncertin
e organizuar nga zonja Vera Grabocka në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Më pëlqyen shumë këngëtarët dhe aktorët e mrekullueshëm shqiptarë.
Kisha dëgjuar për ta por tani i pashë vetë nga afër dhe jam e lumtur, që jam
këtu.
A kini dëgjuar më parë për Shqipërinë?
-
- Babai im e ka dëgjuar me ëndje Radio Tiranën që nga viti 1945 e deri
në vitin 1967 kur ai ndërroi jetë. Edhe unë duke dëgjuar babanë, që e
pëlqente shumë muzikën dhe këngët shqiptarë, më duket sikur jam rritur
me ketë muzikë.
- Cili është profesioni juaj dhe ç’mund të më thoni për jetën tuaj?
Unë jam aktore prej shumë vitesh. E dua profesionin tim dhe vazhdoj
ende të punoj. Mendoj se është shumë mirë si për mua edhe për Bekimin
puna jonë, sepse jemi të dy në të njëjtin profesion, studiuam të dy
njëkohësisht dhe u përgatitëm të dy për teatrin, filmin dhe televizionin.
Nuk është e lehtë të kuptosh problemet e aktorit, por ne e kemi kuptuar
mjaft mirë njëri tjetrin.
Kur jeni njohur me Bekimin dhe a ka qenë dashuria ajo që ju ka lidhur
në martesë?
-
- Unë do të thoja se për një kohë të gjatë ne kemi qenë shokë në
Akademinë e Arteve në Beograd, ku edhe jemi njohur, pastaj u bëmë miq,
por ende nuk kishim rënë në dashuri. Kur jemi njohur, më kanë prezantuar
për të luajtur së bashku. Mësova që ai ishte kolegu im dhe njëkohësisht
partneri im në rolin që do të interpretonim. Kështu filluam karrierën
artistike së bashku për pesë vjet, thjesht si kolege dhe miq, nga viti 1963
dhe në vitin 1968 u martuam. Do të përmendja vitin 1967 kur ne ishim në
festivalin e Kanës në Francë, ku u luajt filmi “Cigani i lumtur” nga zoti
Sasha Petroviç. Ai film pati sukses dhe Bekimi u duartrokit shumë veçanërisht në momentin kur, në rolin e tij të ciganit, gjakos duart me copat 100 Kozeta Zavalani e xhamit. Të gjithë e duartrokitën këtë film, të interpretuar bukur në gjuhën frënge. Pas suksesit të filmit ne i shfaqëm dashurinë njëri tjetrit dhe vendosëm, që dashurinë tonë ta kurorëzonim në martesë. Mbas Festivalit të Kanës ai luajti Uliksin në filmin “Aventurat e Uliksit”, që pati një sukses të madh, por të gjitha filmat e tij kanë qenë në gjuhë të huaj. Ndaj u gëzova shumë kur e pashë Bekimin krenar të recitonte në sallën e Pallatit të Kongreseve në gjuhën shqipe, që ai e do kaq shumë.
-
- Po ju a dini pak shqip?
-
- Po, pak- me flet ajo të vetmet fjalë në shqip, pasi bisedën e zhvilluam
në anglisht. Jam përpjekur të mësoj gjuhën shqipe në kohën kur ishim së
bashku në Itali për një film. Mësonim të dy; ai gjuhën angleze, unë italianen
dhe në pushim ai merrej me mua për mësimin e gjuhës shqipe. Më pëlqen,
është një gjuhë shumë e bukur, madje kur kam folur me ekspertë të gjuhës
shqipe, që e njohin mirë prejardhjen e saj, kam kuptuar që ajo është një
gjuhë krejt e veçantë dhe shumë e vështirë njëkohësisht. Po të dish pak
latinisht e ke të lehtë të mësosh italisht, frëngjisht madje edhe gjermanisht,
por me shqipen është krejt ndryshe… Pastaj për një kohë të gjatë Bekimi
mungonte në shtëpi, për shkak të filmimeve në vende të ndryshme, madje
edhe kur kishte kohë të lirë ai merrej me gjueti, pasioni i tij. Pastaj mbas
martese u rritën vështirësitë, lindën djemtë dhe unë më pak kohë kisha.
-
- Ju keni dy djem, po ata e kanë mësuar gjuhën shqipe?
-
- Po, të dy djemtë flasin shqip, veçanërisht i madhi e di shumë mirë.
Bekimi është i talentuar në mësimin e gjuhëve dhe djali i madh i ka ngjarë
shumë të atit dhe është aktor, ashtu si ne. Ai ka mbaruar Akademinë e Artit
në Beograd dhe ka filluar një karrierë të shkëlqyer si aktor, por mbas
ngjarjeve të tmerrshme të luftës në Jugosllavi u largua në New York. Pas
pesë vjetësh u largua edhe djali i vogël. Djali i madh është martuar dhe
kanë lindur një vajzë, Anikën, që është gëzimi ynë.
-
- Çfarë mendoni për gratë shqiptare?
-
- Për gratë shqiptarë kam dëgjuar shumë nga Bekimi, që e adhuronte
nënën e vet. Tani që i kam parë në rrugët e Tiranës dhe në teatër, gratë
shqiptare i pëlqej pasi janë shumë të bukura, të gjalla, të dashura dhe
inteligjente. Në përgjithësi gratë mbajnë shumë peshë mbi vete dhe
gjithmonë ia dalin me sukses.
-
- Do t’ju pëlqente të vinit sërish në Shqipëri ?
-
- Po. Nëqoftëse do të kem kohë, do të vij me kënaqësi së bashku me
Bekimin në muajin shtator. Shqipëria ka vende kaq të bukura dhe unë nuk
munda t’i shoh, për kohën e shkurtër që qëndruam. Gjithsesi më lejoni t’ju
jap nëpërmjet jush përshëndetjet e mia të nxehta gjithë shqiptarëve.
Bisedoi: Kozeta Zavalani
XXXXXXXXXXXXXXXXXXXX INTERVISTË PAS VDEKJES XXXXXXXXXXXXX
Prishtinë, 22 qershor – Çdo gjë i kishte ngjarë një dite krejt të zakonshme qershori. Por për ditën 15 të këtij muaji, aktori i madh Bekim Fehmiu kishte shkruar një skenar krejt tjetër. Njeriu që nuk vdes kurrë, aktin e ndarjes fizike të tij e kishte zgjedhur ta bënte vetë dhe qetë, në dhomën më të vogël të apartamentit të tij në katin e nëntë, në kohën kur pranë kishte vetëm heshtjen dhe vetveten. Askush nuk do t’i besonte ikjes së tij. As Branka Petriq, bashkëshortja e aktorit të madh, e cila fiks 47 vjet është njeriu i parë me të cilën zbardhte mëngjesi i Bekim Fehmiut.
“Ai ka vdekur ashtu siç ka jetuar”, thotë aktorja Branka Petriq, në një intervistë për “Kohën Ditore” ,dhe për këtë shpjegimi është jeta e Bekim Fehmiut.
Petriq, bashkë me dy djemtë, Uliksin dhe Hedonin, ka çuar në vend amanetin e aktorit me nam: një ceremoni mortore me tinguj muzike, trupi t’i digjej, hiri t’i derdhej në Lumëbardhin e Prizrenit dhe akademia përkujtimore për nder të tij të mbahej në Prishtinë, në Kinemanë ABC, aty ku në qershorin e çdo viti, i madhi Bekim Fehmiu, pinte kafenë i rrethuar nga miqtë e tij. Pikërisht në të njëjtin vend Petriq zbardh detaje nga jeta gjysmëshekullore pranë një njeriu të madh. Në kujtime ka një mijë e një rrëfime, përderisa takimi i fundit i saj me Bekim Fehmiun është një kapitull në vete.
KD: Janë vite të tëra që Ju kaluat pranë Bekim Fehmiut. Do të doja të flisnim për këto vite?
Petriq: Ditët na kalonin mirë. Kohëve të fundit shpesh i lexoja libra. Jeta jonë ka qenë e mbushur dashuri, por mos mendo se çdo gjë ka qenë ideale. Ne kemi jetuar bashkë më se 40 vjet. Por kurrë nuk ka munguar dashuria. Ka qenë si puna e një anijeje. Dashuria ka qenë spiranca e kësaj anije në të cilën ka pasur edhe furtuna. Por spiranca ka qenë gjithherë. Për një lidhje që zgjat më se 40 vjet, nëse nuk ka dashuri, nuk e di se si mund të mbijetojë.
KD: Po ditët e fundit?
Petriq: E di se si, Bekimi thjesht filloi të lodhej fizikisht kohëve të fundit. Por njoh njerëz që në atë gjendje kanë mundur të jetonin 10 apo 15 vjet. Por ai, saktësisht, ashtu siç ka qenë krejt jeta e tij - e vetëmjaftueshme për të – ka bërë atë që ka bërë. Me asgjë nuk kam mundur aspak ta parandiej se ai kishte në kokë një akt të tillë tragjik. Unë, dhe ne të gjithë konsiderojmë se kjo ka qenë madhështia e tij jetësore: derisa njeriu në mënyrën më të mirë të mundshme të jetë i gjallë, ai duhet të jetojë. Për aktin që ka bërë Bekmi, deri në ditët e sotme dhe nuk e di se deri kur, do të ketë diskutime se cili qe shkaku i këtij akti. Kjo do të mbesë fshehtësi.
KD: Mbase është e vështirë për Ju ta kujtoni 15 qershorin?
Petriq: Kam dalë nga shtëpia, ai gjithmonë më përcillte deri te dera, gjithmonë më jepte një puthje. Atë ditë më pyeti nëse kam shfaqje, sepse unë ende luaj në shfaqje. “Nuk kam”, i thashë. Unë besoj se sikur unë të kisha shfaqje atë natë, ai nuk do ta bënte atë që bëri. Për këtë jam e sigurt, sepse ai është artist dhe e di se atë natë shfaqja do të duhej të anulohej. I kam thënë nuk kam, më puthi dhe dola tek frizeri.
Kur hyra, e hapa derën dhe e thirra. Gjithmonë ne luanim kësisoj, dhe thashë: “Eja të shohësh se çfarë frizure kam bërë”. Nuk m’u përgjigj. Kjo që dua të rrëfej nuk i takon asaj rubrikës së thashethemeve. Akti i Bekimit i takon estetikës. Ai kishte zgjedhur një dhomë të vogël vendin që ta bënte aktin. Kishte mbuluar kokën… Mund të vinte djali ynë ta gjente i pari. Këtë e kishte bërë që ne të mos përjetonim shok. Unë kam menduar se flinte. Në fytyrën e tij ishte një qetësi e papërshkrueshme sikur të mos e kishte prekur vdekja fare. Tërë aktin e ka bërë për 45 minuta. Dora e tij nuk i ishte dridhur. Ka qëlluar aty ku ai e ka paramenduar. Duart i ka pasur të kryqëzuara, koka pak e sjellë mënjanë. Kjo ka qenë…
Më pas kam folur me një njeri i cili di se si vdes njeriu. E kam pyetur se si ka mundësi që fytyra e tij të mos ketë shprehje dhimbjeje. Sepse ne artisët, kur dikush të gjuan për vdekje aktrojmë dhimbjen dhe bërtasim. Ai më ka dhënë këtë përgjigje: “Vetëm dikush që asnjë grimë në atë moment nuk i frikësohet vdekjes, shprehja e fytyrës së tij mbetet e qetë”. Është një shprehje që thotë: “Mos pyet se si ka jetuar, por se si vdiq”. Ai ka vdekur ashtu siç ka jetuar.
Por të rrëfej diçka shumë intime për të, e që kjo të jetë shtesë për personalitetin e tij. Ai është përkujdesur për estetikën edhe në aktin e fundit.
KD: Të flasim për dëshirat e tij, të veçantat. Ta zëmë për këngën që e këndonit bashkë?
Petriq: E ke fjalën për atë këngën qe e këndova në ceremoninë e kremacionit?
KD: Edhe për atë…
Petriq: Ajo është një këngë e vjetër dhe bën fjalë për njerëzit që jetojnë jashtë vendit. Bekimi e pëlqente shumë këtë këngë. Kurrë nuk ka kënduar shumë. Por gjithmonë ka dashur që këtë këngë ta këndonim bashkë. Ti e sheh këtu që unë kam shpërthyer. Kur u bë ceremonia e kremacionit në Beograd i kam thënë vetes që nëse gjej forcë do ta këndoj atë këngë. Nuk është lehtë; pranë kisha arkivolin e tij. Por unë i thashë vetes do ta këndoj.
KD: Dhe e kënduat….
Petriq: Do që ta këndoj përsëri?
KD: Pse jo.
Petriq: Do ta këndoj vetëm strofën e parë: “Liqeni i qetë i kaltër, lart hëna e plotë, nga lundron varka ynë e vogël”. Me asgjë nuk na dha me dije se diçka do të ndodhte…
KD: T’i kthejmë kujtimet 40 vjet prapa. Kur u takuan për herë të parë?
Petriq: Kam qenë në vitin e parë në Akademi. Me Akademi kam qenë një vit më përpara se ai, përderisa me moshë jam më e re. Ai u paraqit si një djalë i ri që e mbante veten shumë. “Kush është ky djalë shumë i pashëm?”, pyesnim ne. Kishte një thjeshtësi të papërshkrueshme, rrezatonte edukatë. Nuk të shikonte. Mbahej. Ne thoshim: “Po ç’ka ky që nuk do të më shikojë!
KD: E kujtonit bashkë këtë moment?
Petriq: Për këtë ai ka shkruar edhe në librin e dytë autobiografik. E gjuaja me toptha prej letre, por asgjë. Më vonë ndodhi që të luanim bashkë në shfaqje. Një vit pasi unë përfundova akademinë, përderisa ai ishte ende në studime, kemi luajtur në një shfaqje që quhej “Jaje” (“Veza”) me regji të Dejan Stupica, ku unë kisha rolin e gruas e Bekimi të burrit. Gjatë akademisë i mësoja anglishten e më vonë serbishten, në fakt serbokroatishten, siç e theksonte gjithherë ai.
Shërbimi ushtarak e ka goditur shumë emocionalisht. Në mua kishte lindur dashuria për të dhe unë isha e para nga koleget që ia urova vitin e ri. Më vonë xhiruam një film të shkurtër dhe aty lindi dashuria ynë që zgjati 40 vjet.
KD: Kjo ka ndodhur në vitin?
Petriq: Dale, dale. Ka qenë viti 1963. E unë tërë kohën them 40 vjet! Tani jemi në vitin 2010 dhe i bie 47 vjet. Tamam 47 vjet…
KD: Çfarë lexonte apo çfarë muzike dëgjonte?
Petriq: Kohëve të fundit të them të vërtetën ka qenë i lodhur. Kur donte të lexonte diçka këtë e bëja unë për të. I thosha: “Hajde filloi ora e leximit”, e cila zgjaste një orë e gjysmë.
KD: Është thënë e shkruar që Bekim Fehmiu ka kohë që nuk dilte shpesh. Kanë qenë të rralla shëtitjet viteve të fundit?
Petriq:Gjithmonë dilte kur unë kisha shfaqje. Shikonte repertorin mujor të teatrit dhe nëse unë kisha dhjetë paraqitje thoshte: “Mrekulli, kam dhjetë dalje në muaj”. Shumë e kanë dashur kolegët. Pafundësisht e donte teatrin. Gjithmonë ishim prezentë në provat përfundimtare të kolegëve; gjithmonë dinte te jepte këshilla kur i kërkonin.
KD: I vinte keq që nuk luante, apo më mirë të themi që e braktisi aktrimin në shenjë proteste?
Petriq: Unë shpesh pyes veten se si një njeri që është aktor mund të mos aktrojë. Por i ka dhënë vetes shumë “besa”, të cilat i ka mbajtur.
Nuk e di me saktësi të gjitha ”besat” që ia ka vënë vetes, por e di që janë shumë.
KD: Bekim Fehmiu ka lënë në dorëshkrim pjesën e dytë të biografisë së tij…
Petriq: Po, pjesa e dytë është e shkruar. Është e shkruar në serbisht, për dallim nga ajo e parë që ka qenë në shqip. Tash është një punë e madhe për botim, sepse është voluminoze. Kanë ardhur e kanë lutur që ta botojë, diku nga viti i ri. Në një moment ka thënë “po” e pastaj “jo”. Kur i thosha “Beko, le të botohet”, ai më përgjigjej se kur të jetë gati do të bëhet kjo. Ajo është gati.
KD: Çfarë shkruan në të?
Petriq: Çdo gjë prej 1956-s, vitit kur u regjistrua në akademi, e deri në vitin 1989. Pas kësaj nuk i ka interesuar më asgjë…
KD: Ju e thërrisnit Beko, apo jo?
Petriq: Po, po Beko e thërrisnim. Jo vetëm unë, por të gjithë, artistët, kolegët…
KD: Qershori ka qenë koha kur ai vinte në Prishtinë. Çfarë u rrëfente kur kthehej?
Petriq: Fliste për miqtë, Milazimin (Salihun) e shumë të tjerë. Më vinte shumë mirë që vinte këtu dhe rrinte gati dy muaj. Është pozitive që të flasësh gjuhën tënde e të takosh shokët e miqtë. Këtu e ka tërë familjen e tij, në Beograd është karriera e tij. Edhe unë kur vija këtu, uleshim pikërisht në atë vend ku ai ulej gjithmonë; rrinim në këtë hapësirë ku po bisedojmë.
KD: Është e vështirë pa të…
Petriq: (Hesht) … Këto që i kam thënë për ikjen e tij janë gjëra që nuk ia kam treguar kujt… Kohëve të fundit kishte lëshuar mjekrën e bukur, të thinjur. Unë i thosha: “Po ti je më i bukur sesa Sean Connery dhe tashti do t’ia merrje të gjitha rolet…”





