Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

Talenti 15-vjeçar debuton me gol

 

 Mesfushori i ri kosovar, Kamer Qaka ka debutuar me gol në skuadrën e parë të klubit të njohur norvegjez Valerenga. 15-vjeçari Qaka të enjten mbrëma shënoi golin e fundit në fitoren 11:1 të Valerengas si mysafir kundër ekipit Oppsal. Ndeshja i takonte rrethit të parë të kupës së Norvegjisë në futboll. Qaka shënoi në minutën e 90-të, ndërsa luajti nga fillimi i pjesës së dytë. Qaka është futbollisti më i ri që luajti për ekipin e parë në histori të klubit Valerenga.
“Jam shumë i kënaqur me debutim. Nuk kam pritur që kaq shpejt do të debutojë në ekipin e parë. Jam paraqitur mirë. Përveç që kam shënuar gol, kam përgatitur edhe shumë aksione. Golin e shënova me një goditje nga rreth 11 metra. Kam marrë lëvdata nga të gjithë”, ka thënë Kamer Qaka të enjten për gazetën. “Trajneri më ka uruar për paraqitje të mirë dhe më ka thënë se shumë shpejt do të më ofrojë rastin që të luajë edhe në kampionat. Shumë lojtarë janë të lënduar dhe kjo rrit gjasat e mia që të debutojë sa më shpejt edhe në kampionat. Pres që në kampionat të debutoj brenda një muaji. Më mbetet të punoj shumë që të dëshmoj se e meritoj të jem pjesë e ekipit të parë, ani pse sapo i kam mbushur 15 vjet”.
Kamer Qaka, më 11 prill në ditëlindjen e tij të 15-të firmosi kontratë profesionale me Valerengan. Qaka kështu u bë futbollisti më i ri në Norvegji që nënshkruan kontratë profesionale me një klub. Ai nënshkroi për dy vjet e gjysmë.
Me debutimin e talentit kosovar është ndarë i kënaqur edhe trajneri i Valerengas, Martin Andresen.
“Ne besojmë se Kameri mund të bëhet një futbollist i mirë nëse vazhdon të zhvillohet. Nëse fokusohet mirë, stërvit shumë dhe nuk ka probleme me lëndime, atëherë ai mund të shkojë larg. Kameri ka një teknikë shumë të mirë, por ai mund të përparojë ende. Ai ka ecur shumë duke marrë parasysh moshën që ka”, ka thënë Andresen për sajtin zyrtar të klubit.
Kamer Qaka ka prejardhje nga Peja. Në Norvegji jeton nga viti 1998. Në moshën gjashtëvjeçare, karrierën e ka nisur në klubin Brandbu. Në verë të vitit të kaluar u transferua te Valerenga. Vlerësohet ndër futbollistët më të talentuar në Norvegji, ndërsa ne këtë vend e krahasojnë me Lionel Messin. Për shërbimet e tij janë duke u interesuar skuadra evropiane, si: Barcelona, Hamburg, Werder Bremen, Blackburn e shumë të tjera.
“Edhe një apo dy vite Kameri do të qëndrojë në Valerenga. Më pas atë do ta shohim duke luajtur në Barcelonë apo Manchester United”, ka thënë për gazetën babai i Kamerit, Adem Qaka, të enjten.
Qaka luan për U-15 të Norvegjisë, ndërsa ka thënë se në të ardhmen dëshiron të luajë për Kosovën. Pas javës së 11-të të kampionatit norvegjez, Valerenga mban pozitën e pestë me 19 pikë

 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com