Hyrje » Lajmet » Kosova »

Konsullata e Kosovës në Frankfurt “derë e hapur” për mërgimtarët

 

Frankfurti është ndër qendrat me më rëndësi jo vetëm të Gjermanisë por edhe të Evropës dhe të botës. Brenda ditës në Frankfurt qëndrojnë rreth 1 milion mysafirë nga anët e ndryshme të botës, që kësaj qendre ia mësyjnë për çështje biznesore, politike, turistike, kulturore e sportive. Pak muaj më parë këtu, sikurse edhe në disa qendra tjera evropiane e botërore filluan përgatitjet për ngritjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës, në formë të konsullatës. Të ngarkuarit për ngritjen e këtij misioni, Astrit Zemaj, konsull dhe Ardian Spahiu, zëvendëskonsull, që nga dita e parë e ardhjes së tyre në Frankfurt, iu rrekën punëve që detyrën e tyre ta kryejnë sa më shpejt dhe sa më mirë.

Stema e shtetit në “zemër” të Frankfurtit

Vendosem që një ditë të vizitojmë këtë përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës. Mu në qendër të Frankfurt, shumë afër stacionit kryesor hekurodhor (Hauptbahnhof) është siguruar lokali impozant i konsullatës. Me pak hapa kalojmë nga stacioni i trenit nëpër Ludwigstr dhe në Niddastr. kthehemi në të majtë dhe mu në këndin ku Niddastr. takohet me rrugën Rudolfstr. është objekti nr. 13, ku është e vendosur konsullata e Republikës së Kosovës në Frankfurt. Nga larg, para hyrjes së ndërtesës, shohim se aty punohet diçka. Kur afrohemi shohim konsullin Atsrit Zemaj, zëvendëskonsullin Ardin Spahiun dhe Ruzhdi Statovcin, një bashkatdhetar yni që rreth 40 vjet punon e vepron në Frankfurt të Gjermanisë, ku ka zgjëruar veprimtarinë e tij në kryerjen e shumë punëve në ndërtimtari. Ai sikurse edhe në disa raste të mëparshme u gjendet në ndihmë përfaqësuesve të shtetit të Kosovës në Frankfurt. Ai mbante shkallët kurse konsulli Zemaj dhe zëvendëskonsulli Spahiu vënin pllakën e punuar mjaft bukur ku shkruante në gjuhën gjermane: Kunsulat der Republik Kosovo (Konsullata e Republikës së Kosovës) dhe mbi të qëndronte stema e shtetit, të cilin ata po e përfaqësojnë aq denjësisht, si askund tjetër në botë.

Nuk nevojitet shumë kohë dhe pllaka me mbishkrimin e konsullatës vihet në krye të pllakave edhe të disa firmave tjera që gjenden në të njëjtin objekt dhe pastaj siç e do rendi futemi në objektin e konsullatës. Konsulli Atsrit Zemaj nuk kishte shumë kohë, ngase duhej të nisej për një takim, që kishte caktuar shumë ditë më parë, në konsullatën e Brazilit në Frankfurt. Për pak minuta sa qëndrojmë në zyrat e konsullatës telefonat nuk kanë të ndalur. Nuk thrrasin vetëm bashkatdhetarët tanë nga katër landet që përfaqëson kjo konsullatë (Hessen, Nordrhein-Wetsfalen, Rheinland-Pfalz e Saarland) por edhe nga viset e ndryshme të Gjermanisë.

Sa shpejt janë informuar njerëzit tanë për hapjen e konsullatës.

Bashkatdhetarët “trokasin” në dyert e konsullatës

Në dy aparate telefonik përgjigjen konsulli Zemaj dhe zëvendësi Spahiu. Nga ato që dëgjojmë, kuptojmë se bashkatdhetarët tanë me gëzim kanë pritur hapjen e përfaqësive tona diplomatike nëpër botë. Ata lavdërojnë dhe urojnë punë të mbarë dhe natyrisht pastaj i qajnë hallet e tyre. Kërkojnë dokumente të ndryshme, kërkojnë pasaporta.

-Na vjen keq që edhe për një kohë nuk jemi në gjendje t´i plotësojmë dëshirat tuaja. – u thonë ata bashkëqytetarëve. Mund të japim një vërtetim që ende përfaqësitë tona në Gjermani nuk lëshojnë dokument të udhëtimit. – u thonë ata atyre. Të dy pranojnë telefonatat dhe telefonata të tjera presin. Është vështirë për të besuar që për 3-4 ditë sa janë instaluar lidhjet telefonike të vijnë aq shumë telefonata. Aq më keq do të jetë për zëvendëskonsullin Spahiu, kur konsulli Zemaj duhet të ikë. E pret takimi në konsullatën e Brazilit. Më vonë edhe Spahiu ka termine të caktuara.

-Është ky edhe një takim i rëndësishëm për ne. – thotë Zemaj. Deri më tash kam vizituar dhjetëra përfaqësi diplomatike botërore nga mbi 100 sa janë në Frankfurt. Kam vizituar edhe konsullata të shteteve që nuk na kanë pranuar ende. U kam folur atyre për Kosovën dhe për rrugën që kemi kaluar deri tek pavarësia. Më kanë dëgjuar me admirim dhe më kanë premtuar se do të kërkojnë nga qeveritë e tyre të merren me çështjen e Kosovës dhe sa më parë të pranojnë shtetin tonë. Me këto vizita qëllimi ishte informimi i përfaqësive të ndryshme diplomatike me të arriturat në Kosovë. Në një takim prezantimi të Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë, shumë afër konsullit të Kosovës ishte dhe përfaqësuesja diplomatike e Serbisë. Ajo nuk mundi të reagojë ngase të gjithë përfaqësuesit diplomatikë të shteteve tjera ndienin kënaqësinë për praninë e konsullit të Kosovës, Astrit Zemaj, në mesin e tyre.

/BOTASOT/

 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com