Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

Ftesa që e la pa gjumë

 

Pasi kishte kuptuar se ishte ftuar në skuadrën e parë të Valerengas, Kamer Qaka për një moment ishte njeriu më i lumtur në botë. Futbollisti i ri kosovar nuk kishte fjetur fare një natë para ndeshjes ndaj Oppsalit, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultat bindës 11:1, në kuadër të Kupës së Norvegjisë.

Madje, ai shënoi golin e fundit të skuadrës, në debutimin e tij në fanellën e gjigantit norvegjez. “Kisha probleme të flija tërë natën. Para ndeshjes, kam menduar se kishte ardhur momenti im për të luajtur, dhe kur më është thënë se jam ftuar për lojë, kam mbetur mjaft i befasuar”, ka thënë 15-vjeçari për ueb faqen norvegjeze vg.no.

Ai u bë futbollisti më i ri në histori të Valerengas që shënon gol në një ndeshje zyrtare. “Edhe pse ishte goli i 11-të, unë isha mjaft i lumtur. Në fillim bëra disa gabime, por në vazhdim shkoi më mirë”, vazhdoi Qaka.

Edhe pse ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Valerengan, ofertat për talentin kosovar nga klubet e mëdha evropiane nuk mungojnë. Sipas mediave norvegjeze, interesim për kosovarin ka shprehur kampioni aktual i Spanjës dhe Evropës, Barcelona, por edhe klubi anglez, Blackburn Rovers, ai danez, Brondby dhe dy skuadrat nga Bundesliga gjermane, Hamburg e Werder Bremen.

“Janë shumë skuadra që thërrasin, por i ftoj ato që ta thërrasin direkt Valerengan. Është klubi ai i cili vendos”, shpjegoi babai i futbollistit, Adem Qaka.

Pasi ta kalojë një kohë te Valerenga, Kameri nuk e fsheh dëshirën e tij që të luajë në një klub më të madh evropian. “Në një periudhë më të largët, objektiv imi është që të luaj në më shumë se një skuadër, eventualisht për ta provuar veten jashtë”, ka shtuar Qaka, që ka si favorite skuadrat Manchester United e Real Madrid, derisa Lionel Messin e përdor si model të tij të lojës.

Kamer Qaka kishte arritur nga Kosova në Norvegji kur ishte dy vjet e gjysmë. Ai tash ka nënshtetësi norvegjeze dhe shpreson që të luajë për ekipin U15 të këtij vendi.

Gazeta express

 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com