Ardian Gashi shënoi dy gola në javën e fundit-video
Ekspertë të futbollit në Norvegji janë duke vlerësuar se mesfushori Ardian Gashi e meriton të ftohet në përfaqësuesen e këtij vendi. 28-vjeçari është duke shkëlqyer në kampionatin suedez “Allsvenskan”. Ai të shtunën shënoi dy gola për Helsingborgun që fitoi 2:1 kundër Halmstadit.
Por për Ardian Gashin, përfaqësuesja e Norvegjisë është kapitull i mbyllur. Ai thotë se është duke menduar vetëm për përfaqësuesen e Kosovës.
“Jam informuar që gazetarë dhe ekspertë të futbollit në Norvegji mendojnë se unë e meritoj të jem pjesë e përfaqësueses norvegjeze. Por, unë nuk jam duke menduar për Norvegjinë, jam duke menduar vetëm për Kosovën. Shpresoj që Përfaqësuesja e Kosovës shumë shpejt të fitojë të drejtën të luajë ndeshje ndërkombëtare dhe unë do të mbrojë ngjyrat e saj”, ka thënë Gashi të dielën.
Futbollisti i lindur në Gjakovë për Norvegjinë ka luajtur shtatë herë, në vitet 2004 e 2005. Përzgjedhësi i Norvegjisë, Egil Olsen, në konferencën e fundit, mbajtur javën e kaluar është pyetur nga gazetarët se pse nuk e fton Ardian Gashin.
“Norvegjisë ia kam kthyer borxhin që kam pasur ndaj saj. Karrierës nuk i dihet, por unë nuk jam i interesuar që të luajë më për Norvegjinë. Nuk kam kontakte me përfaqësuesen e Norvegjisë. Kontaktet e vetme i kam me përzgjedhësin e Kosovës, Albet Bunjakin. Ai më ka ftuar për ndeshjen miqësore kundër Halmstadit që luhet në qershor në Suedi”, ka shtuar Gashi.
Ardian Gashi në Helsingborg u transferua në fund të vitit të kaluar. Ka luajtur në 13 nga 14 ndeshjet e këtij edicioni. Një ndeshje mungoi për shkak të kartonëve, ndërsa në 13 ndeshjet e tjera ka luajtur nga 90 minuta. Helsingborgu i prin klasifikimit me 35 pikë, tetë më shumë se Malmo, që është e dyta, por që ka një ndeshje më pak të luajtur. Ndeshja e luajtur të shtunën ishte e fundit për Helsingborgun para fillimit të kampionatit botëror.
“Ishte fitore e rëndësishme. Ishte me rëndësi që të kthehemi me fitore, pas humbjes së pësuar javën e kaluar nga Kalmari. Pjesën e parë të kampionatit e përfunduam me fitore. Jam i kënaqur me paraqitjet e mia. Edhe trajneri po ashtu është i kënaqur. Po tregoj më shumë se që ka pritur ai”, ka thënë Gashi. Ai për herë të fundit dy gola në një takim i kishte shënuar në vitin 2008, kur luante për Fredrikstadin.
“I prijmë bindshëm klasifikimit, por kjo nuk është garanci për titull. Është ende herët të flasim për titull të kampionit. Helsingborgu edhe kampionatin e kaluar ka nisur mirë, por në fund përfundoi i teti. Jemi duke punuar që situatë e njëjtë të mos përsëritet edhe këtë vit. Këtë edicion kemi ekip më stabil”, ka thënë Gashi. Ai më herët ka luajtur për skuadrat norvegjeze: Fredrikstad, Brann, Valerenga e Molde.





